[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Dita e Shën Nënë Terezës – Festa e Integrimit dhe solidaritetit në Quinto Di Treviso



 

Gëzim Muçolli – Di Treviso – Itali
Para 2 vitesh, komuniteti i qytetarëve shqiptarë të ardhur në provincën e Trevizos, në shenjë respekti e mirëkuptimi për vendin mikpritës ku gjetën strehë dhe punë, realizuan një projekt të shkëlqyeshëm dhe me kontribut vullnetar e sollën në Itali shtatoren e simbolit të paqes dhe dashurisë, Shën Nënë Terezës të cilën ia bënë dhuratë qytetit Quinto di Treviso në sheshin dedikuar asaj.
Dita kur u mbajt manifestimi ceremonial i inaugurimit të monumentit të shenjtores shqiptare Shën Nënë Terezës, ishte ditë feste që e shënuan edhe kronikat televizive dhe shtypi shqiptar dhe italian me ç’rast edhe njëhere u dëshmua vëllazërisht harmonia dhe bashkëjetesa paqësore te shqiptarët.

Edhe sivjet , aktivistë të dalluar të këtij komuniteti, të mirënjohur me angazhimet e tyre kulturore dhe humanitare, të prirë nga veprimtari i dalluar njëkohësisht themelues dhe koordinator i Shkollës shqipe në Quinto di Treviso, z. Bajram Desku u organizuan që të shënojnë përvjetorin e katërt të shenjtërimit të Nënë Terezës nga Papa Françesku, shtatorja monumentale e të cilës zbukuron sheshin në hyrje të këtij qyteti.

Ditën e shtunë, me 3 tetor 2020, në orën 11 e 30 filloi manifestimi Dita e Shën Nënë Terezës me takimin ceremonial në komunën e Quintos, ku kryetarja e komunës, zonja Stefania Sartori priti me nderim anëtarët e këshillit organizativ të komunitetit shqiptar që po shoqëronin mysafirët e nderuar, diplomatët shqiptarë nga Italia e veriut.

Pas fjalës hyrëse të zonjës Sartori, plot respekt dhe mirënjohje për marrëdhëniet e shkëlqyera të qytetit Quinto di Treviso me qytetarët shqiptarë që punojnë dhe jetojnë aty me familjet e veta duke folur për nivelin e lartë të integrimit iu drejtua konsujve me fjalë se këta qytetarë janë tanët poaqë sa ju konsideroni se janë tuajët. Ajo nuk harroi të nënvizoi edhe faktin se afaristët shqiptarë të këtij komuniteti gjatë pikut të pandemisë Covid-19 kur Italia ishte në ditët më të vështira, mblodhën kontribute dhe ia dhuruan regjionit Veneto si dhe komunës së tyre.

I pari mha mysafirët e ftuar e mori fjalën konsulli z. Adrian Andreja nga Konzullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Milano, i cili përshëndeti përfaqësuesit e qytetit mikpritës dhe u falenderua për fjalët e mira që dëshmojnë harmoninë dhe respektin në të cilin bashkëjetojnë qytetarët nga Kosova, të cilët këtu gjetën mundësi të jetojnë e të punojnë duke u integruar në mënyrën më të mirë në shoqërinë italiane.

Pas tij vazhdoi duke folur me respekt për zhvillimin konkret të këtij komuniteti dhe përvojat pozitive në proceset integruese edhe z.Serxho Matraku, konsulli i ri nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Milano.

Duke u prezentuar se ishte për herë të parë këtu, konsulli z. Muhamed Rakipi, nga Konsullata Gjenerale e Republikës së Maqedonisë në Venezia, tha se shembulli i këtij qyteti është pjesë e traditës së mirnjohjes së shqiptarëve. Ai tha se vjen nga qyteti i Shkupit, ku u lind edhe Nënë Tereza dhe se Maqedonia e Veriut dalëngadalë po shëndërrohet në shtet funksional multietnik i cili respekton të drejtat e shqiptarëve sipas marrëveshtjeve dhe standardeve ndërkombëtare.

Në emër të këshillit organizativ të pranishmit i përshëndeti Gëzim Muçolli i cili foli për sukseset e këtij komuniteti dhe rolin që kanë kryer me sukses duke qenë ambasadorët e parë duke u dalluar me vullnetin e tyre për punë, për ndryshime dhe për integrim. Duke folur për simbolikën shqiptare ai përmendi shembullin e tre përfaqësuesve diplomatikë, njëri nga Kosova pikërisht nga Stublla ku u hap shkolla e parë shqipe dhe i afërm i Don Lush Gjergjit i cili veq tjerash ishte mik dhe biograf zyrtar i Nënë Terezës nëpërmjet të cilit ajo na la porosi të çmueshme. Pastaj konsullin nga Shkupi qyteti ku u lind Nëna Tereze i cili në atë kohë ishte kryeqytet i Kosovës dhe ishte pjesë e Shqipërisë siq e pat thënë edhe Papa Françesku në ceremoninë e shenjtërimit të saj si dhe konzulli nga Tirana ku jetoi familja e saj, si dhe kur ajo pas shumë vitesh erdhi në Tiranë dhe me falje dhe dashurinë e saj u bë katalizator i procesit të ndryshimeve shoqërore në Shqipëri në vitet nëntëdhjetë.Ai shtoi se puna e palodhur e koordinatorit Bajram Desku me shokët e tij nderojnë secilin dhe e bëjnë krenar çdo shqiptar kudo.

Z. Fulvio Pettenà, ish-kryetar i Provincës së Trevizos, funksionar i lartë, bashkëpuntor dhe mik i presidentit të Regjionit Veneto Luca Zaia, duke folur mbi aspektet e integrimit tashmë të plotë të komunitetit shqiptar tha se ka shumë vite që nga koha kur bashkë me Zaia-n administronin këtë provincë nga më të zhvilluarat në Itali, të dhënat mbi produktivitetin dhe ndërmarrjet shënonin suksese evidente të firmave dhe kantiereve ndërtimore të pronarëve me origjinë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia të cilët po punonin me vullnetin tipik të suksesit sikur edhe firmat venete.

Kontributi i tyre vërehet jo vetëm në komunat ku ata jetojnë por edhe më gjerë. Komuniteti juaj ka dhënë gjithmonë sinjale pozitive dhe nuk ka krijuar asnjëhere probleme e as ngatërresa sociale me banorët lokalë, me venetët, edhe pse nuk kanë jetuar kurrë si komunitet i mbyllur. Kush ka dëshirë të punojë, këtu ka gjetur vend ku të realizojë planet e tij duke u nisur nga rrethanat dhe ngjarjet që kanë përjetuar në ish-Jugosllavi plagët e të cilave i ndiejnë ende sot. Këta janë njerëz puntorë e jo njerëz që flasin kot dhe shikojnë retë duke pritur se nesër do të vjen ndonjë fortunë.

Z. Pettena pastaj foli për dëshirën e madhe të guvernatorit të Regjionit Veneto, z.Luca Zaia që të ishte sot këtu në mesin tuaj dhe ti priste mysafirët e nderuar por e kishte të pamundur për shkak të angazhimeve të tij në emergjencën shëndetësore në krye të fushatës kundër pandemisë Covid-19 si dhe detyrave në krijimin e qeverisë regjionale të posadalur nga zgjedhjet regjionale të mbajtura pak ditë më parë, por ka arritur të gjej kohë dje e të shkruajë një letër z. Bajram Desku , koordinator i Shkollës shqipe në Quinto di Treviso, mesazhin e të cilës po ua lexoj:
“I nderuar Z. Desku, duke ju falenderuar për ftesën tuaj dashamirëse më vjen keq të them se nuk do të jem në gjendje të marr pjesë në mbledhjen përkujtimore kushtuar Shën Terezës së Kalkutës, për shkak të angazhimeve të njëkohshme.

Nëpërmjet këtyre rreshtave ua dërgoj urimet e mia për një festë të mirë në kujtim të figurës së jashtëzakonshme të Shën Terezës së Kalkutës, kjo grua që ka bërë shumë për të tjerët.

Ajo është shembull i bujarisë që nuk ka të ngjajshëm, një person që kishte fjalë për të gjithë dhe që unë shpesh e kam nderin të përmend një frazë që unë ndiej se i përket edhe familjes së madhe të vullnetarizmit në Veneto: “ajo që bëjmë është vetëm një pikë në oqean, por nëse nuk do ta bënim atë, oqeani do të kishte një pikë më pak”.

Ky përvjetor përaqet për ju një moment të bashkë-shpëndarjes së pasurisë shpirtërore që Shën Tereza ishte në gjendje t’i jepte të gjithë botës. Solidariteti që populli juaj ka manifestuar ndaj vendit tonë gjatë muajve më të vështirë të pandemisë. Një shenjë e jashtëzakonshme humaniteti që të gjithë qytetarët e kanë vlerësuar shumë.
Po e përfundoj duke dërguar përshëndetjet e mia më të mira për të gjithë të pranishmit“.

Luca Zaia. Venezia 2 tetor 2020.

Pastaj duke marrë fjalën, nënkryetari i Komunës Mauro Dal Zilio si gjithmonë foli me admirim për shenjat e pashlyeshme të humanitetit, punës dhe shkëmbimeve interkulturore që ka lënë dhe ofron gjithmonë komuniteti i shqiptarëve. Ai tregoi se me sa vullnet ka bashkëpunuar bashkë me Bajram Deskun dhe të tjerët gjatë kohës sa ishte kryetar i kësaj komune në dy mandatet e kaluara. Jemi qytetar të të njëjtës botë dhe unë siq ndalem dhe flas me mikun tim Fulvio me të cilin njihem që nga lindja poashtu ndalem dhe bisedoj me Deskun në të njëtën mënyrë.Ne jemi mikpritës dhe kemi dëshmuar edhe në këtë rast se janë të mirseardhur të gjithë ata që respektojnë rregullat dhe ligjet.

Në fund të takimit, kryetarja Stefania Sartori në shenjë mirnjohje iu dhuroi mysafirëve nga 2 libra me dëshmi të trashëgimisë kulturore-artistike të kësaj zone të pasur të veriut. Poashtu edhe konsulli Andreja dhe konsulli Rakipi i dhuruan kryetares libra me vlerë në gjuhën shqipe, duke shprehur falenderim për mikpritjen.

Pasdite duke filluar nga ora 15 në sheshin ku ndodhet shtatorja e Nënë Terezes, ishin grumbulluar shumë qytetarë që kishin ardhur për të nderuar dhe shenjtoren dhe për ta madhëruar këtë ditë feste. Në ato momente aty kishin ardhur edhe këngëtari i mirënjohur Gjin Shani i cili i ka kushtuar këngë Nënë Terezes, pastaj edhe valltarët e grupit artistik të“Shoqatës Kulturore Iliria Veneto” nga Treviso.

Para shtatores së shenjtores të cilës përditë besimtarët e devotshëm nga ky qytet i vejnë lule të freskëta, mbajtën fjalë rasti ku me plot respekt folën për figurën dhe shembëlltyrën e saj folën kryetarja e Komunës Stefania Sartori, bashkë me konsujt shqiptarë Adrian Andreja, Muhamed Rakipi dhe Serxho Matraku, që nderuan këtë manifestim kushtuar bijës më të madhe të kombit shqiptar, themeluese të Kongregacionit të Misionarëve të mëshirës dhe laureate e Çmimit Nobel për Paqe në vitin 1979 dhe shenjtore nga 4 shtatori i vitit 2016.

Aty ishte edhe prifti nga Parrokia e Quintos, Don Roberto Stradiotto, i cili është edhe një nga përkrahësit më të mëdhenj të komunitetit shqiptar duke vënë në dispozicion falas lokalet Shkollës shqipe për mbajtjen e rregullt të mësimit të gjuhës amtare mërgimtarëve të vegjël. Me rastin e përfundimit të mandatit të tij dhe shkuarjes në një parrokie tjetër , atij iu bë një dhuratë e papritur, një targë solemne e mirënjohjes ku shkruan se Komuniteti Shqiptaro-Kosovar i Quinto di Trevizo falenderon Don Roberton për angazhimin e dëshmuar të tij qytetar, human dhe religjioz për forcimin e raporteve të miqësisë dhe integrimit midis qytetarëve të Quintos dhe komunitetit tonë. Don Roberto e falenderoi Bajram Deskun për mirënjohjen që ia dorëzoi dhe tha se ndihet i lumtur që ka vepruar dhe realizuar bashkëpunim kaq të madh me këtë komunitet shembull për të mirë.

Po aty kishte ardhur edhe Norina Bortolato, një zonjë nga ky qytet e cila e kishte vizituar në Indi dy herë Nënën Tereze për së gjalli dhe ishte lutur bashkë me të. Ajo tha se përvoja shpirtërore dhe forca që i kishin dhënë lutjet e Nënë Terezës i kishin sjellur dobi në shëndet dhe fat në jetë. Ajo vazhdon ta vizitojë përditë, ti sjellë lule he të kujdeset për shtatoren e saj.

Pas përfundimit të kësaj pjese, sipas protokollit të organizimit konsujt shqiptarë shkuan në vizitë në ambientet e Fabrikës së Pompave me Piston “Luigi Catterin”, e cila është shembull i suksesit profesional dhe integrimit të puntorëve shqiptarë.Aty u pritën me respekt nga pronari Mario Catterin i cili me familjen e tij njihen si miq dhe sponsor të veprimtarive kulturore të komunitetit të shqiptarëve si dhe shkollës shqipe të Quintos. Lidhur me procesin dhe tipologjinë e punëve që kryhen aty, inxh. Bajram Desku me zell i njoftoi mysafirët e nderuar. Poashtu zotëri Mario duke shprehur kënaqësinë e tij për këtë vizitë kishte organizuar një koktej rasti.Të pranishmit bënë fotografi brenda dhe jashtë fabrikës aty ku në mesin e flamujve që valviteshin ishte edhe ai i Kosovës dhe flamuri kombëtar shqiptar.

Disa kilometra më tutje ishte caku tjetër i vizitës në ambientet e firmës së afaristit të nderuar dhe veprimtarit të madh të komunitetit z. Bedri Suka i cili sjell në treguin italian prodhime vendore nga Republika e Kosovës, Shqipëria dhe vendet tjera të Ballkanit. Ai duke i mirëpritur mysfirët me tryezën shtruar plot me prodhime shqiptare i njohtoi ata për sukseset dhe përpjekjet e tij që duke sjellur në sofrat e mërgimtarëve prodhime autoktone të ndihmojë edhe prodhuesit vendorë në Republikën e Kosovës.

Pas angazhimeve të kësaj dite të shënuar që kaluan midis mërgimtarëve dhe mikpritësve nga institucionet vendore, komuniteti shqiptar shtroi darkë festive ku veq diplomatëve të nderuar ishin ftuar edhe veprimtarë të dalluar nga shoqatat shqiptare dhe mësues që japin mësim në shkollat shqipe në Regjionin Veneto. Tortën e madhe festive me flamujt e Italisë, Shqipërisë, Kosovës dhe Regjionit Veneto e kishte porositur dhe ofruar edhe këtë herë miku i madh dhe sponsori i rregullt i festave shqiptare inxh. Mario Catterin.

Me këtë rast Bajram Desku i cili udhëhoqi me sukses këtë manifestim i përshëndeti mysafirët dhe i ftoi të mernin fjalën në bisedë të hapur ku edhe u diskutua për sukseset, vështirësitë dhe projektet e ardhshme. Fjalën e morën përsëri Konsujt Adrian Andrea, Gjylymsere Ahmetxhekaj-Kundja dhe Muhamed Rakipi e më pastaj edhe mysafirët nga Sllovenia: Heset Ahmeti, kryetar i Shoqatës “Iliria” nga Kopri dhe Besim Hajdari afarist i suksesshëm dhe aktivist i dalluar nga qyteti i Postojnës; nga qyteti Arzignano: Miradije Zymberi-Avdullahu kryetare e Shoqatës “Ardhmëria” dhe Ferat Avdullahu koordinator i Shkollës shqipe; nga Bassano del Grappa z. Avdi Beqiri kryetar i Shoqatës “Bashkimi kombëtar” dhe z.Ragip Thaqi mësues i shkollës shqipe; nga Portogruaro z. Sami Binakaj-kryetar i Shoqatës “Kosova” si dhe nga Montebelluna Isuf Zenelaj,kryetar dhe Besnik Veselaj e Fadil Gashi nga Shoqata “Zëri i atdheut”; nga Conegliano dy veprimtarë të dëshmuar të çështjes kombëtare: Mejdi Bislimi dhe Agim Mulosmani; Grupi artistik “Iliria” nga Treviso Muamer Murtezani, Gëzim Muçolli nga Padova dhe Gjin Shani këngëtar i mirënjohur.
Me nderim dhe respekt të veçantë, në emër të mërgimtarëve shqiptarë si dhe të prindërve dhe nxënësve të Shkollës shqipe “Shën Nëna Terezë” në Quinto di Treviso, Bajram Desku nuk harron të përshëndetë e të falenderojë të gjithë afaristët dhe veprimtarët që janë kontribuesit dhe përkrahësit e rregullt të të gjitha projekteve dhe manifestimeve të organizuara nga komuniteti shqiptar i Quinto di Treviso duke i përmendur me emra: Elmi Vrenezi, Hetem Zogaj, Bedri Suka, Albert Bashota, Mursel Kodra, Rahim Krasniqi, Xhevat Zemaj, Murat Bytyçi, Bekim Besimi, Vait Bytyçi, Jahir Bytyçi (Jaha-tours), Bekim Spahiu, Labi Morina, Burim Obrazhda, Imer Berisha, Ramadan Rukolli, Rrustem Zogaj, Gëzim Desku, Zeqir Zogaj, Arton Gjoka, Naim Bytyçi, Kristian Palokaj, Musa Ahmataj, Nazim Morina, Shefit Beqaj, Ramiz Gashi, Gazmend Bytyçi, Njazi Pirku, Xhemajl Ahmataj, Muamer Murtezani, Gjin Shani, Petrit Ndoja, Xhelal Shaqiri, Mejdi Bislimi, Agim Mulosmani, Gëzim Muçolli dhe Mario Catterin.
Edhe këtë herë institucionet e komunës Quinto di Treviso në bashkëpunim me këshillin organizativ të festës madhështore Dita e Shën Nënë Terezës dëshmuan në mënyrën më të mirë se ky qytet është jo vetëm shembull i integrimit të realizuar me sukses, por ka vite që është shëndërruar në kryeqytet të paqes, dialogut inter-religjioz dhe vend i takimeve politike e institucionale të nivelit të lartë.
I gjithë manifestimi kulturor Dita e Shën Nënë Terezës dhe programi i vizitës është përgatitur dhe realizuar me respektimin maksimal të masave mbrojtëse Anti-Covid 19 sipas rekomandimit të autoriteteve shëndetësore të Italisë.

Menu Title