.
×

Dhurata Hoxha parashikoi se liberalizimi mund të ndodhë në qershor, por parashikimi i ekspertëve është tjetër



Botapress, 11 Mars-Jo serioze janë duke u cilësuar deklaratat e ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën.

Madje, deklaratat e saj se Kosova mund të lëvizë lirshëm në zonën shenghen pas mbajtjes së zgjedhjeve në Parlamentin Evropian, gjë e cila do të ndodhë në maj të këtij viti, po cilësohen si premtime “boshe” të cilat nuk kanë munguar që nga fillimi i këtij procesi.

Të paktën, kështu ka thënë për Gazetën Blic njohësi i integrimeve evropiane, Avni Mazreku. Ai tha se ashtu siç deri më tani nuk është realizuar asnjë premtim, nuk pret që edhe premtimi i radhës i bërë nga ministrja Hoxha të realizohet në kohën kur edhe ajo e ka cekur se do të ketë liberalizim të vizave.

“Unë kisha rekomanduar që asnjë prej këtyre premtimeve të mos merren si serioze. Ashtu siç asnjëherë deri më tani nuk janë realizuar premtimet paraprake as këtë premtim nuk duhet ta marrim serioz për vet faktin se as ministrja Hoxha, as zonja Mogherini e as Johanes Hahn dhe asnjë zyrtarë tjetër me e parashikuar qëndrimet e shteteve” tha Mazreku.

Sipas tij, deklaratat e tilla janë vetëm paragjykime pasi, siç u shpreh ai, nuk mund të dihet qëndrimi i vendeve të cilat do të votojnë për ose kundër liberalizimit të vizave.“Nuk mundet me paragjyku vendimin e shteteve. E vendimi për vizat varet nga qëndrimi i shteteve. Mendimi im është që për afate kohore nuk mund të flitet kur përderisa nuk ka një politikë efektive me shtetet anëtare të BE-së të cilat kanë për të votuar pro ose kundër një vendimi të caktuar për liberalizimin e vizave për Kosovën” përfundoi ai.

Ndryshe në një konferencë për medie, gjatë ditës ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha tha se Kosova është duke pritur që në Parlamentin Evropian (PE) të përfundojnë zgjedhjet, në mënyrë që të mund të lëvizet përpara me një vendimmarrje, sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave të qytetarëve të Kosovës në zonën Schengen.

“Po shpresojmë dhe po kërkojmë që pas zgjedhjeve në Parlamentin Evropian të krijohet një momentum i ri dhe në takimin e qershorit të Këshillit të ministrave (të Bashkimit Evropian) të kemi një vendim”, tha Hoxha.

Zgjedhjet në Parlamentin Evropian do të mbahen gjatë muajit maj.