[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Deputeti i AAK’së për taksën në Prishtinë: Ata që mendojnë se kufiri është te hekurudha e kanë gabim



Deputeti i AAK’së, Gazmend Syla, po e kundërshton propozimin e kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetit për taksën për hyrje në kryeqytet me vetura.

Syla e ka quajtur përrallë idenë e Ahmetit. Ai shton se Kosova nuk mund t’i përshtatet mënyrës së jetesës së individëve të caktuar.

“Të gjithë ata që mendojnë se Kosova duhet t’i përshtatet mënyrës së jetesës së tyre, e kanë gabim. Në çdo variant më mirë është që ata të provojnë të gjejnë veten në shtete tjera, aty ku ndihen më së miri, qoftë ata që e duan Londrën, qoftë ata që mendojnë se kufiri është te hekurudha. Vendi jonë nuk është eksperiment. Populli nuk mund t’i durojë këto përralla”, ka shkruar Syla.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka paralajmëruar se hyrja me vetura në kryeqytet së shpejti do të ketë një kosto. Kjo, sipas tij, për të zgjidhur problemin e trafikut të ngarkuar.

Ndërkohë, pas kritikave të shumta ndaj deklaratave të tij për bërjen me pagesë të hyrjes me vetura në kryeqytet, Shpend Ahmeti ka shkruar në Facebook se kjo do të bëhet për të evituar tollovinë në komunikacion dhe për të mbrojtur qytetarët nga ndotja e ajrit.

“Meqenëse rrugët janë të ngushta dhe nuk mund të zgjerohen në qendër, atëherë zgjidhja e vetme mbeten ndërtimi i rrugëve alternative (unaza) dhe pagesa e taksës për lëvizje me makinë në pjesë të populluara të qytetit ku ka tollovi dhe që mund të shkaktojnë ndotje”, ka shkruar Ahmeti.

I pari i Prishtinës thotë se një shembull të tillë e ndjek edhe Londra.

“Pra, përveç parkingut me pagesë, ne kemi shqyrtuar edhe mundësinë e taksës për lëvizje me makinë në qendër. Në gjuhën angleze njihet si Congestion Charge (taksë e tollovisë në njëfarë mënyre). Londra është kryeqyteti që e ka rregullu më së miri këtë sistem”, thotë Ahmeti.

“Nuk ka rampa (laura), nuk ka diskriminime, kur të vendoset kjo politikë vlen për të gjithë dhe implementohet me kamera. Thjeshtë në një qytet të vogël ku mundesh me ec në këmbë prej njërës anë në tjetren për 30 minuta dhe me ndotje serioze gjatë dimrit, prioritet duhet ta kemi luftimin e përdorimit të panevojshëm të veturave”, ka shkruar kryetari i Prishtinës. /Express/

Menu Title