.
×

Deputetët Labinot Tahiri e Ilir Deda pjesë e dërgimit të dekretit të Thaçit në Kushtetuese



Ankesës për vlerësimin e kushtetueshmërisë së dekretit të presidentit, Hashim Thaçi për emërimin e anëtarëve të KQZ-së të inicuar nga tri partitë, AAK, Nisma dhe PSD i janë bashkangjitur edhe dy deputetë tjerë të Kuvendit të Kosovës që nuk janë pjesë e këtyre grupeve parlamentare.

Në ankesën e siguruar nga KALLXO.com, shihet se deputeti i AKR-së, Labinot Tahiri dhe ai i Alternativës, Ilir Deda janë poashtu kundër këtij vendimi të presidentit.

Deputetët e kanë dërguar Thaçin në Kushtetuese këtë të hënë, dhe kanë deklaruar se presin që gjykata t’u japë të drejtë në këtë çështje.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka emëruar tetë anëtarët e rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me 28 mars të këtij viti, pas një viti vonese.

Këto emërime kanë zhbllokuar punën e këtij organi, i cili për më gjatë se një vit ishte jofunksional, pikërisht për shkak të mungesës së anëtarëve.

Vonesa e presidentit Thaçi për këto emërime nxiti reagimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, ku thuhej se “dështimi për t’i bërë emërimet, e ka lënë KQZ-në të paaftë për të kryer funksionet e saj themelore”.

Nga tetë anëtarët e rinj, dy janë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, dy nga Lëvizja Vetëvendosje dhe katër nga komunitetet jo shumicë.

Ndërkaq, aty mungojnë edhe përfaqësuesit e partive politike në pushtet. Këto të fundit, kërkojnë nga presidenti që në KQZ, të përfaqësohen si parti politike dhe jo si koalicion, ngase përfaqësimi si koalicion, i privon disa prej tyre që të sigurojnë ulëse në këtë organ.