.
×

Deputetët heshtin për ‘presidentin’ Thaçi



Ditën kur zgjedhja e Presidentit do të hyjë në rend dite në Kuvendin e Kosovës, deputetët do të konsiderohen më shumë numra e veprime matematikore, sesa njerëz.

Dy grupe të fuqishme, koalicioni qeveritar pa disa deputetë në njërën anë dhe opozita me disa deputetë të pozitës në krahun tjetër, do të tentojnë të mbajnë sa më shumë të zgjedhur të popullit brenda sallës së mbledhjes, ose të nxjerrin sa më shumë deputetë prej saj.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të marsit 2011 që lidhej me papranueshmërinë e zgjedhjes së Behgjet Pacollit President, për t’u ngjitur dikush në këtë pozitë, të pranishëm në sallë para votimit duhet të jenë dy të tretat e deputetëve, ose 80 prej tyre.

Kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendësi i tij Hashim Thaçi që është kandidat për President, e bëjnë të lehtë zgjedhjen e kryetarit të shtetit.

“Do të thërrasim seancën e Kuvendit, në fakt do ta thërrasë Kuvendi [seancën] për zgjedhjen e presidentit. LDK është parti institucionale dhe shtetformuese. Do të bëjmë përpjekje që të respektohet çdo shkronjë e kushtetueses për zgjedhjen e presidentit,” tha Mustafa më 5 shkurt në një konferencë për media.

Thaçi në këtë konferencë ishte i bindur se do të zgjidhet President ashtu siç tha se dihej më herët me marrëveshjen PDK-LDK të dhjetorit 2014.

Pika 6c e kësaj marrëveshjeje përcakton pajtimin mes dy partive të koalicionit qeveritar që Thaçi të jetë numri 1 i shtetit.

 

Më 8 shkurt Thaçi u prit nga simpatizantët e PDK-së në Pejë me mbishkrimin “Mirë se erdhe President”.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Adem Grabovci të premten e 12 shkurtit nuk e bëri fort të zorshme zgjedhjen e Thaçit President.

“Nuk do të kemi vakum institucional. Ajo që mund t’i garantoj qytetarët është që Presidenti do të zgjidhet me mbi 2/3 e votave”, tha Grabovci.

Por kryetari i Kuvendit Kadri Veseli u takua të enjten e të premten me ambasadorë të shumë shteteve, pikërisht për çështjen e zgjedhjes së Presidentit.

Ai vetë tha të premten se Presidenti do të zgjidhet në shkurt, pa saktësuar datën, por siguroi gazetarët se me kohë do të njoftohen për seancën e kësaj zgjedhjeje.

Zgjedhjen në shkurt të të parit të shtetit e deklaroi të shtunën edhe Kryeministri Mustafa.

Megjithatë, koalicioni PDK-LDK-Lista Serbe aktualisht i ka vetëm 79 deputetë që nuk ia krijojnë Thaçit, kuorumin në Kuvend për t’u zgjedhur president.

Për të qenë edhe më keq, disa nga deputetët e këtij koalicioni mund të votojnë edhe kundër zgjedhjes së Thaçit, ose ta bojkotojnë seancën ku ai do të tentojë të zgjidhet në krye të vendit.

Rrjedhja e mundshme e kuorumit

Deputetja e LDK-së Vjosa Osmani, tashmë e ka paralajmëruar bojkotin, ndërsa nuk e ka fshehur ambicien që pas vetes të tërheqë edhe deputetë tjerë të LDK-së.


Qëndrimi i deritanishëm dhe i mundshëm i deputetëve ndaj zgjedhjes së Thaçit \
Edhe Alma Lama, gjithashtu deputete e LDK-së e ka deklaruar votën kundër Thaçit dhe mund të mos marrë pjesë në seancën kur do të caktohet votimi për Presidentin.

Lama, kur Gazeta Jeta në Kosovë e pyeti se a do të qëndrojë apo jo në sallë, u përgjigj “këtë pyetje nuk e konsideroj aspak profesionale, jam deklaruar 50 herë nëpër medie”.

Qëndrimin jashtë seancës në kohën e votimit për kryetar e ka bërë të ditur edhe deputeti i LDK-së Adem Salihaj.

Salihaj nuk i është përgjigjur interesimit të Gazeta JNK për të folur rreth kësaj çështjeje.

Ai votoi kundër zgjedhjes së Kadri Veselit si kryeparlamentar dhe kundër qeverisë së koalicionit PDK-LDK-Lista Serbe më 8 dhjetor 2014.

Salihaj akuzoi zyrtarë të lartë të ish-Shërbimit Informativ të Kosovës (ShIK) për vrasjen në tentativë të tij në vitin 2000.

Deputetja tjetër e LDK-së, Doruntinë Maloku, i ka premtuar Gazeta JNK se do t’i tregojë për qëndrimin e saj rreth pjesëmarrjes dhe votës në seancë, por ende nuk e ka bërë këtë.

Maloku është e bija e Enver Malokut, ish-drejtues i Qendrës Informative të Kosovës (QIK) që u vra në vitin 1999.

Ajo nuk e ka votuar zgjedhjen e Kadri Veselit si kryeparlamentar dhe me të ka shkëmbyer debate të ashpra parlamentare.

 

Deputetja Maloku më 3 tetor 2015 votoi për amendamentin kushtetues që i hap udhë formimit të Gjykatës Speciale, ndërsa në janar të vitit të kaluar në një protestë kërkoi që kjo gjykatë të marrë përsipër edhe gjykimin e vrasjeve me motive politike.

Thaçi mund ta ketë vështirë ta marrë votën, ose edhe ta sigurojë qëndrimin në Kuvend të Armend Zemajt e Fatmir Rexhepit.

Zemaj i ka thënë Gazeta JNK se do të deklarohet për këtë medium kur të caktohet seanca e zgjedhjes së presidentit.

Edhe Rexhepi që në kohën para shpalljes së pavarësisë në bashkëqeverisje me UNMIK-un pati dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme pas vrasjes së Mon Balajt e Arben Xheladinit në protestën e “Vetëvendosjes” më 10 shkurt 2007, qëndrimin e tij për zgjedhjen e të parit të vendit e mbajti për vete.

“Shihemi në seancë”, i tha Fatmir Rexhepi Gazeta JNK.

Nuk dihet se si do të veprojnë as Melihate Tërmkolli, Bardhyl Metaj, Arben Gashi e Teuta Rugova.

Tërmkolli nuk ka dashur të deklarojë qëndrimin e saj, ndërsa Bardhyl Metaj që ishte një ndër kritikuesit më të mëdhenj të qeverive Thaçi 1 e 2, pa u futur në politikë, nuk u është përgjigjur thirrjeve të Gazeta JNK-it për të treguar se a do të rrijë ose jo në seancë, apo sesi do të votojë.

I pamundur ka qenë edhe kontakti me Teuta Rugovën, e cila nuk ka deklaruar as në mediet e tjera qëndrimin e saj për zgjedhjen e Presidentit, ndërsa Arben Gashi që nuk e votoi as koalicionin PDK-LDK, ka treguar se Thaçi nuk është kandidati i tij i preferuar për kryetar.

Nga deputetët e PDK-së, Nait Hasani nuk dihet çfarë qëndrimi do të mbajë rreth zgjedhjes së Thaçit President.

Ai nuk ka dashur të flasë se a do ta lëshojë seancën apo si do të votojë, por ka thënë për Gazeta JNK se pyetja për këtë çështje i është shtruar herët, duke aluduar te vështirësitë e thirrjes së seancës dhe krijimit të kuorumit.

Hasani njihet si deputet që nuk u është nënshtruar presioneve partiake, ndërsa shpesh ka votuar sipas bindjeve personale.

Ai më 3 gusht 2015 votoi kundër ndryshimeve kushtetuese që mundësojnë Gjykatën Speciale, ndërsa votë pro i dha në Kuvend më 27 qershor 2013, ratifikimit të marrëveshjes për normalizim marrëdhëniesh me Serbinë.

Lista Serbe vendos ditëve të ardhshme

As deputetët e Listës Serbe, partnerit të tretë të koalicionit qeveritar, nuk kanë vendosur ende se si do të veprojnë kur në rend dite të Kuvendit të Kosovës do të nxirret votimi për kryetar të Kosovës.

Slavko Simiq, shef i Grupit Parlamentar të Listës Serbe tha për Gazeta JNK se ky grupim politik do të vendosë ditëve në vijim lidhur me veprimet në ditën kur do të zgjidhet kryetari.

“Lista Serbe ende nuk e ka marrë vendimin zyrtar nëse do të jetë në sallën e mbledhjeve kur do të zhvillohet procesi zgjedhor për kryetarin e Kosovës. Në ditët e ardhshme Lista Serbe do ta ketë qëndrimin e vet zyrtar nëse atë ditë do të jetë në sallën e mbledhjeve dhe me këtë qëndrim opinioni do të njoftohet gjatë dy-tri ditëve të ardhshme,” tha Simiq.

Ai bëri të ditur se është takuar me përfaqësues të LDK-së e PDK-së për çështjen e Presidentit.

“Kemi pasur në ditët e kaluara disa takime konsultative me partnerët tanë të koalicionit, por në ato takime ende nuk i kemi definuar disa parime të caktuara sa i përket marrëveshjes së koalicionit, në mënyrë që t’u japim përgjigje partnerëve të koalicionit nëse atë ditë do të marrim pjesë në mbledhjen e Kuvendit, ku duhet të zgjidhet kryetari i Kosovës,” tregoi Simiq.

Ai bëri të ditur se marrëveshja për bashkëqeverisje nuk e obligon Listën Serbe “të votojë për asnjërin nga kandidatët që pretendojnë të jenë kryetarë në zgjedhjet e ardhshme për kryetar të Kosovës”.

Por Simiq sqaroi gjithashtu se kjo listë nuk do të kërkojë diçka shtesë, e jashtë marrëveshjes së koalicionit në këmbim të votave për zgjedhjen e kryetarit.

Kjo listë deri tash ka votuar për qeverinë Mustafa dhe Kadri Veselin si kryeparlamentar, ndërsa në Kuvend ka 11 deputetë.

“6+” sot me qëndrim për zgjedhjen e Presidentit

Grupi 6+ që në Kuvendin e Kosovës përfaqëson komunitetet joserbe e pakicë, si për t’iu përshtatur emrit që ka, përbëhet nga 6 deputetë.

Kujtim Paqaku nga “6+” tha për Gazeta JNK se grupi pas një takimi do të dalë sot me qëndrim për veprimet e tij në seancën e Kuvendit ku pritet të zgjidhet kryetari.

Gazeta JNK kontaktoi dhe i shkroi edhe mesazhe telefonike deputetes së “6+” Duda Balje për qëndrimin ose jo në seancë të saj ditën e zgjedhjes së Presidentit, por nuk mori përgjigje nga Balje.

Përveç Baljes e Paqakut, këtë grup e përbëjnë edhe deputetët Mufera Sinik, Danush Ademi, Fikrim Damka dhe Ćerim Bajrami.

Edhe pse ende thonë se nuk janë përcaktuar, të gjithë deputetët e “6+” në kohën kur Kosovës i bëhej presion për kalimin e Gjykatës Speciale në Kuvend, votuan pro amendamentit që mundëson themelimin e kësaj gjykate më 3 gusht të vitit të kaluar.

Balje e Sinik nga ky grup dhe Ademi që atëherë nuk ishte pjesë e “6+”, votuan edhe për ratifikimin e marrëveshjes për normalizim marrëdhëniesh me Serbinë më 27 qershor 2013, ndërsa Fikrim Damka nuk ishte i pranishëm në mbledhje atëherë, kurse Qerim Bajrami nuk ishte deputet.

Deputeti pa grup nuk rri në mbledhje

Në legjislaturën e pestë dhe aktuale të Kuvendit të Kosovës, deputetët Blerim Shala, Gëzim Kelmendi, Margarita Kadriu dhe Shaip Muja janë pa grup parlamentar.

Gëzim Kelmendi tha për Gazeta JNK se do ta bojkotojë seancën e Kuvendit kur të vijë në rend dite zgjedhja e Presidentit.

Për qëndrimin e tij rreth kësaj çështjeje nuk u deklarua Blerim Shala. Ai tha “jam në do takime” si arsyetim për mosdhënien e qëndrimit për zgjidhjen e kryetarit të Kosovës. As Shaip Muja e Margarita Kadriu nuk iu përgjigjën telefonatave të Gazeta JNK.

31 deputetët opozitarë pritet që ta bojkotojnë dhe ta pengojnë seancën e zgjedhjes së Presidentit.

Ata kanë deklaruar se do ta kundërshtojnë këtë seancë në të gjitha format, përfshi edhe protestat.

Tri partitë opozitare, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma po kërkojnë dorëheqjen e qeverisë, pasi Gjykata Kushtetuese në vendimin e 23 dhjetorit 2015 parimet e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe të nënshkruar në Bruksel më 25 gusht 2015 konstatoi se nuk janë plotësisht në pajtim me frymën e kushtetutës.

Frashër Krasniqi, zëdhënësi i “Vetëvendosjes” kur u pyet për qëndrimin opozitar rreth zgjedhjes së Presidentit tha shkurt “opozita do të vazhdojë me kundërshtimin e saj”. /JNK/