.
×

Dënohet me 200 euro gjobë shoferi i autobusit që dha 10 euro ryshfet për të kaluar kufirin



Shoferi i autobusit të kompanisë “Barileva Tours”, Nurë Ahmetgjekaj, i akuzuar se ka dhënë 10 euro ryshfet, për këtë vepër të martën është dënuar me 200 euro gjobë.

Para se të shpallej aktgjykimi, një ditë më parë i akuzuari Ahmetgjekaj, e ka pranuar fajësinë se më 25 gusht të vitit 2015, në pikë kalimin kufitar Kosovë-Serbi, në Merdare, në brendësi të dokumenteve të identifikimit të udhëtarëve rreshterit Behram Maliqit, ia kishte lënë edhe 10 euro, në emër të ryshfetit.

Kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kuka- Mekaj, deklaroi se nëse i dënuari nuk mundet që ta bëj pagesën e gjobës apo nuk dëshiron, të njëjtit ky dënim do t’i zëvendësohet me burgim.

Ajo ka thënë se nëse bëhet zëvendësimi i dënimit me burg, atij një ditë e kaluar në burg do t’i llogaritet 15 euro. Sipas aktgjykimit, i akuzuari duhet të paguaj edhe taksën për programin e kompensimit të viktimave në vlerë prej 50 euro.

Gjatë shpalljes së aktgjykimit, të pranishëm në sallë nuk ishin as prokurorja Merrushe Llugiqi, e as i akuzuari. Ndryshe, në seancën e 24 shtatorit, ishte paraparë që të mbahej shqyrtimi i dytë, por pasi i akuzuari nuk kishte ushtuar fare kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, me pajtimin e palëve ishte kaluar në shqyrtimin gjyqësor, në të cilën më pas, i akuzuari kishte thënë se e pranon fajësinë për veprën për të cilën ngarkohet.

Gjithashtu, në këtë seancë, pasi që i akuzuari e kishte pranuar fajësinë, ishin dhënë dhe fjalët përfundimtare. Në fjalën e saj përfundimtare, prokurorja Merrushe Llugiqi, kishte delaruar se prokuroria e mbështet pranimin e fajësisë dhe kërkoi që kjo të merren si rrethanë lehtësuese me rastin e shpalljes së aktgjykimit.

Në anën tjetër i akuzuari, pasi kishte pranuar fajin, kishte kërkuar nga gjykata një dënim sa më minimal. “Unë jam i interesuar për gjobë, iu kisha lutë një dënim sa më minimal, kushtet nuk i kemi shumë të mira. Hera e parë ne jetën tem që po akuzohem”, kishte thënë i akuzuari.

Sipas aktakuzës, Ahmetgjekaj, më 25 gusht 2015, rreth orës 09:00, me qëllim të lehtësimit të kalimit të kufirit, në pikë kalimin kufitar në Merdare, në mënyrë të drejtpërdrejtë i ka ofruar para personit zyrtar, rreshterit Behram Maliqit, në kabinën e daljes, në të cilën bëhen kontrollimet dhe regjistrimet e dokumenteve të nevojshme për kalimin e kufirit.

Siç pretendon prokuroria, i akuzuari pasi kishte ardhur për kontroll, në brendësi të dokumenteve të identifikimit të udhëtarëve, rreshterit Behram Maliqit ia kishte lënë edhe 10 euro, në emër të ryshfetit. Vepra penale për të cilën ishte akuzuar Ahmetgjekaj mund të dënohet me gjobë ose me burgim deri në tri vjet./BP/