[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Demarkacionin e presin protestat dhe kundërshtimet në Kuvend



Opozita nuk do të lejojë kalimin e marrëveshjes së demarkacionit, ani pse ajo pritet të sillet në Kuvend për ratifikim javën e parë të marsit. Kjo marrëveshje, pos kundërshtimit nga ana e deputetëve të opozitës, pritet të hasë në kundërshtim të qytetarëve në protestat që do të organizohen kundër demarkacionit.

Shqipe Pantina, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë për “Indeksonline” se ende nuk ka vendim konkret se kur do të zhvillohet protesta, por që ka një gatishmëri tek qytetarët për ta kundërshtuar marrëveshjen sipas të cilës Kosova humb mbi 8 mijë hektarë tokë.

Ajo është shprehur se ekziston qëndrimi i njëjtë me AAK-në dhe Nismën për Kosovën që demarkacioni të mos kalojë, por që ende nuk janë ulur për t`u koordinuar bashkërisht.

“Ne jemi në vazhdimësi nëpër takime në terren. Vërejmë një gatishmëri të qytetarëve që me u aktivizu dhe mos me u leju kalimin e marrëveshjes por ende nuk kemi një vendim konkret si dhe kur do të bëhet ajo. Qëndrimi jonë është i përbashkët se kjo marrëveshje nuk duhet të kalojë, këtu kemi dakordim, por ende nuk kemi diskutuar se si do të jetë kundërshtimi ynë, nëse së bashku do të organizojmë ndonjë protestë, apo cili do të jetë kundërshtimi ynë brenda Kuvendit. Besoj se ditët në vazhdim kur Qeveria ta sjellë atë projektligj, ne me siguri do të ulemi dhe do të koordinohemi me ta”, ka thënë ajo.

Tutje, Pantina si diçka pozitive e ka vlerësuar qëndrimin e deputetëve të koalicionit qeverisës PDK-LDK, të cilët e kundërshtojnë marrëveshjen.

Në të njëjtin qëndrim është AAK-ja, e cila po vazhdon ta kundërshtojë versionin aktual të demarkacionit.

Ahmet Isufi, nënkryetar i kësaj partie, në një prononcim për “Indeksonline” është shprehur se përveç kundërshtimit të deputetëve në Parlament, do të ketë edhe protesta të qytetarëve.

“Në të gjitha format demokratike do ta kundërshtojmë ashtu siç e kemi kundërshtuar dhe nuk do të heqim dorë nga kjo për shkak se Kosova humbë territor dhe askush nuk ka të drejtë të cënoje territorin e Kosovës dhe të falë tokën e Kosovës. Do të ketë kundërshtim të deputetëve në Parlament, do të ketë edhe protesta qytetare të vazhdueshme sepse janë bërë gati dy vjet që ne nuk e ndalim kundërshtimin, sepse më e shtrenjtë është toka e Kosovës, se sa interesat e individëve që për të shpëtuar lëkurën e tyre po duan të rrezikojnë Kosovën”, ka thënë ai.

Isufi është shprehur se protestës, data e së cilës ende nuk dihet meqë nuk është saktësuar dita kur demarkacioni vjen në Kuvend, duhet t`i bashkëngjiten qytetarët, shoqëria civile dhe të gjithë ata që e duan territorin e Kosovës./Indeksonline/

Menu Title