[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Demarkacioni dërgohet këtë javë në Kuvend



Botapress, 28 shkurt – Qeveria e Kosovës gjatë kësaj jave pritet ta procedojë për votim në Kuvend çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi. Votimi pritet të ndodhë javën e ardhme, pak ditë pas vizitës në Kosovë të kryediplomates europiane, Federica Mogherini.

Komisioni që kryeministri Isa Mustafa e konstituoi për verifikimin e Demarkacionit, javën që shkoi, ia ka dorëzuar shefit të ekzekutivit raportin për të dhënat faktografike për territorin e Kosovës. Tash Demarkacioni të cilin Qeveria zotohet se nuk i sjell humbje territoriale Kosovës, derisa opozita i ka shndërruar në kauzë 8000 hektarë që pretendohet t’i humbë vendi, pritet të marrë aprovimin nga qeveria, gjatë kësaj jave.

Burimet të Gazetës Express brenda ekzekutivit tregojnë se në mbledhjen e radhës të Qeverisë, ekzekutivi do t’ia procedojë Kuvendit për votim, Demarkacionin.

Kjo do t’i hapë rrugë Kryesisë së Kuvendit që në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë, që zakonisht thirren në ditën e parë të javës, ta fusin Demarkacionin në rend dite për votim nga deputetët, në njërën nga seancat e ardhshme të muajit mars.

Ndryshe, kundërshtimeve ndaj Demarkacionit, përveç deputetëve të opozitës, iu janë bashkuar edhe deputetë të koalicionit qeverisës PDK-LDK. Sipas llogarive, të bazuara në deklarimet publike të këtyre deputetëve koalicioni udhëheqës në vend rrezikon t’i ketë numrat për të kaluar këtë marrëveshje ndërkombëtare për votimin e të cilit janë të nevojshme 2/3 e votave pro të deputetëve.

Përveç deputetëve të vet, koalicioni PDK-LDK ka telashe edhe me partnerët serbë të Listës Serbe, të cilët kanë bojkotuar Kuvendin deri në themelimin e Asosacionit të Komunave Serbe në Kosovë, i arritur me një marrëveshje në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar.

Megjithatë, votimi në Kuvend mbetet të ndodhë pak ditë pasi në Kosovë të qëndrojë shefja e diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini.

Menu Title