.
×

Demanton Ibrahim Kelmendi: Jam përplasur me Xhavit Halitin, por nuk kam bërë plane që ta vras



Është shpifje mjerane se unë kam pasur plan për eliminimin e Xhavit Halitit. S’kam pasur as ambicie për t’ia zënë vendin Hashim Thaçit. Me Haliti kam pasur përplasje para vitit 1996. Por, nuk isha i armiqësuar me te, sa të kisha shkak për të angazhuar vrasës. Të njëjtat fjalë do t’ia them edhe Prokurorisë. I përmenduri si porositës i vrasjes së Xhavit Halitit, Ibrahim Kelmendi, flet për Express.

Një dëshmitar ka deklaruar se ju keni pasur plan ta eliminoni XhavitHalitin. Bëhet fjalë për vitin 2003. Është i vërtetë ky pohim?

Ibrahim Kelmendi: Është shpifje mjerane, ndoshta e nxitur nga afera Doshi në Tiranë, por kjo tashmë nuk është origjinale dhe atraktive, meqë është duke u konsumuar barbarisht në Tiranë.

 Sipas dëshmitarit, motivi juaj për vrasjen e Halitit ishte që ju të ngjiteshit në pozitën e Hashim Thaçit….?

Ibrahim Kelmendi: Nuk kam pas kurrfarë pretendimesh politike e partiake në Kosovën e çliruar. Në Prizren kemi mbajt Kuvendin e fundit të Lëvizjes (LPK) në qershor 1999. Kur më kanë propozuar të bëhem anëtar komisioni për formim të partisë politike, jam deklaruar: “Nuk jam i gatshëm të angazhohem në parti politike. Nëse kontributi im çlirimtar ka qenë konstruktiv, duhet të ketë qenë i mjaftueshëm, e nëse ka qenë i dëmshëm, ka qenë i tepërt” (perifrazim i lirë).

As përgjegjësinë që më ka ofruar z. Thaçi në qeverinë e tij të përkohshme, nuk e kam pranuar, meqë nuk ndihesha mjaftueshëm i ambientuar në Kosovë, pas 23 viteve jetë e angazhime në ekzil.

Cili ka qenë dhe është raporti i juaj me Xhavit Halitin dhe a keni pasur probleme më herët?

Ibrahim Kelmendi: Po, kishim përplasje gjatë bashkëveprimtarisë tonë të përbashkët, por janë diskutuar e përmbyll në institucionet e Organizatës sonë.

Përplasjet e para datojnë në vitin 1996, kur zonat e Drenicës, Llapit e Dukagjinit iu drejtuan Lëvizjes dhe Fondit “Vendlindja thërret” në Gjermani me kërkesa për ndihma financiare. Ne i ndihmuam. Z. Haliti më akuzoi se po anashkaloi “centralizmin demokratik” të Organizatës, meqë sipas tij, të gjitha mjetet do të duhej të dorëzoheshin në Kryesi dhe ajo t’ia përcjellë UÇK-së përmes të ngarkuarve të saj. Unë u mbrojta kur më thirrën për të dhënë llogari në Kryesi: “Derisa zonat e UÇK-së kërkojnë ndihma nga ne në Gjermani, rezulton se “centralizmi demokratik” nuk është duke i ndihmuar. Le t’i ndihmon Kryesia dhe strukturat e saj përkatëse që të mos kërkohen ndihma nga Kosova nga ne në Gjermani. Përndryshe, sa herë që do të kërkojnë, nëse do të kemi, do t’ju dërgojmë.” (perifrazim i lirë).

Përplasjet janë ashpërsuar gjatë marsit e prillit 1998, kur shpërtheu Kryengritja e armatosur në Kosovë. Z. Haliti insistonte që të centralizonte gjithçka nën komandën e tij. Si pasojë, u desh të mbajmë Kuvend të jashtëzakonshëm të Lëvizjes në maj 1998. Në atë Kuvend plasën një mori akuzash. Për ti sqaruar ato akuza u vendos formimi i një komisioni. Kuvendi zgjodhi kryesi të re. Pretendentët këmbëngulës Xhavit Haliti dhe Azem Syla nuk morën vota të mjaftueshme për tu bërë anëtarë të Kryesisë, ndërsa unë po. Që të dy e shprehen hapur atë pakënaqësi të tyre.

Aty e tutje ish-bashkëveprimtarët Xhavit Haliti dhe Azem Syla i kam akuzuar (në mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm), se po e sabotojnë e komplotojnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës…

Dëshmitari thotë se ju keni ofruar 250 mijë euro për të eliminuar Halitin. Këtë e ndërlidh me faktin se ju keni pasur qasje në Fondin “Vendlindja Thërret?

Ibrahim Kelmendi: Nuk është e vërtet. Në këtë kohë nuk e kishim më atë Fond. Më të përfunduar Lufta kundër Fondit “Vendlindja thërret” pa bërë puç ministri i financave i “Qeverisë së përkohshme” Adem Grabovci, duke e tjetërsuar në fond të asaj qeverie. Edhe po të kisha aq shumë të holla, nuk do të kisha nevojë ti shpenzoja për vrasje të Xhavit Halitit, meqë, siç sqarova, nuk kisha armiqësi me te, pastaj, atëherë, rugovistët e thekur, Naser e Xhek Kelmendi kishin sjell në Pejë mercenarë tropojanë, që i vrisnin ish-luftëtarëte UÇK’së për vetëm 5 mijë euro për vrasje. Pra, kishte oferta fare të lira, pa pas nevojë të harxhoheshin aq shumë financa.

Me vjen keq për ish-bashkëveprimtarin dhe shokun Xhavit Haliti që ka rënë kaq poshtë. Ai nuk do të duhej të më bënte mua kurban të tij, për ndonjë kalkulim mjeran para se të fillonte proceset e paralajmëruara gjykata speciale…

 Ky dëshmitar ju akuzon, po ashtu, se keni marrë 20 milionë marka nga fondi “Vendlindja Thërret” dhe se ju jeni marrë vesh me Florim Ejupin për vrasjen e Halitit?

Ibrahim Kelmendi:Me sa mbaj mend, i gjithë Fondi nuk ka pas të hyra 20 milionë marka, prandaj ai paskësh gënjyer trashë, që të bëhet më atraktiv.

Nuk ka qenë mendësi imja për të bërë vrasje, sepse nuk i çmoja si zgjidhje efektive!

Nuk isha i armiqësuar me Xhavit Halitin, sa të kisha shkak për të angazhuar vrasës, meqë përplasjet i kemi diskutuar e përmbyll në mbledhje të udhëheqjes së Organizatës sonë.

A jeni intervistuar nga Prokuroria e Shtetit për këtë rast dhe nëse intervistoheni cila do të jetë përgjigja juaj?

Ibrahim Kelmendi: Jo, nuk jam intervistuar. Edhe prokurorisë të do t’i jepja përgjigje të ngjashme.

 Nëse nuk janë të vërteta këto pohime, a do të ndiqni rrugët ligjore për të dëshmuar të kundërtën?

Ibrahim Kelmendi: Jo, nuk ia vlen, sepse Babait tim ia mbaj mend një këshillë që i shkon rastit: “Nëse të lehin qentë, mos ua kthe!”