.
×

Deklarohet e pafajshme e akuzuara për votim të dyfishtë



Biljana Miljkoviq, e akuzuar për keqpërdorim të së drejtës së votimit është deklaruar e pafajshme në seancën e shqyrtimit gjyqësor, të mbajtur në Gjykatën Themelore të Mitrovicës të premten.

Miljkoviq nga prokuroria akuzohet se në zgjedhjet nacionale të mbajtura në vitin 2014, ka votuar dy herë, një herë si votuese e rregullt dhe një herë si votuese me kusht.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Biljana Miljkoviq po akuzohet se në qershor të vitit 2014, në shkollën fillore “Stana Baqanin”, në fshatin Leshak në Leposaviq, në zgjedhjet nacionale ka votuar një herë si votuese me kusht, pastaj në shkollën fillore “Vuk Karagjiq” në Soqanicë, komuna e Leposaviqit, ka votuar si votuese e rregullt.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i të drejtës së votimit “.

Paraprakisht, në seancën e së premtes, është dhënë fjala hyrëse nga ana e prokurorit Ismet Ujkani dhe mbrojtësit të së akuzuarës Biljana Miljkoviq, avokatit Ljubomir Pantoviq.

Prokurori Ujkani, në fjalën e tij hyrëse, tha se nga provat materiale që janë propozuar në aktakuzë që të nxirren si prova, e që janë, kopja e zarfit, fletëvotimi me kusht në emër të pandehurës, lista e votuesve me kusht dhe lista e votuesve të rregullt, sipas tij vërtetohet se e akuzuara ka votuar dy herë.

Ndërsa sipas avokatit Pantoviq akuza e Prokurorisë, nuk është e bazuar në prova, pasi siç tha ai, e akuzuara Miljkoviq, ka votuar vetëm një herë dhe atë me kusht në Leshak ku edhe ka jetuar.

Pantoviq në fjalën e tij hyrëse u shpreh se në këtë rast, dikush e ka keqpërdorur situatën, pasi që sipas tij, emri i të akuzuarës ka mbetur në listë në fshatin Soqanicë ku e akuzuara ka jetuar më parë, duke thënë më pas se dikush ka votuar në emër të saj.

Gjithashtu, Gjykata Themelore në Mitrovicë, ka aprovuar kërkesën e avokatit Ljubomir Pantoviq, për cakimin e ekspertizës grafologjike.

Një propozim të tillë, avokati Pantoviq e dha pasi që e akuzuara Miljkoviq u deklarua e pafajshme lidhur me akuzën.

Mbrojtësi i të akuzuarës, avokati Ljubomir Pantoviq u shpreh se përmes ekspertizës grafologjike do të vërtetohet saktë nëse e akuzuara ka votuar dy herë apo jo.

Gjyqtari Beqir Halili pas administrimit të provave, mori aktvendim me anë të së cilit aprovoi kërkesën e avokatit Ljubomir Pantoviq, për caktimin e ekspertizës grafologjike, duke i njoftuar palët prezente, se seanca e së premtes shtyhet në afat të pacaktuar.

Gjyqtari Halili, tha se seanca e radhës do të mbahet pas pranimit të ekspertizës, me ç’rast palët në këtë procedurë, do të ftohen me ftesë nga gjykata./Bp/