.
×

Deklarata e njeriut që privoi nga jeta Triumf Rizën: Nuk më urdhëroi Enver Sekiraqa



12 vite më parë e kishte vrarë policin Triumf Riza. E për këtë vrasje Arben Berisha, ishte dënuar me 35 vjet burgim.

Por, atij sërish i është dashur që të paraqitet para Gjykatës.

Kësaj radhe ai është ftuar në cilësinë e dëshmitarit në rigjykimin e Enver Sikiraqës, i cili po ndiqet penalisht për nxitje të vrasjes së Triumf Rizës.

Paraprakisht për këtë vepër Sekiraqa ishte dënuar me 37 vjet burgim.

Ndërkohë, Arben Berisha para trupit gjykues tha se askush nuk e kishte nxitur që të vriste Triumf Rizën.

“Mu nuk më ka nxit kërkush për me kry këtë vrasje, e kam kry për punë të mia, e kam cek qysh ka ndodh rasti, jam pendu. As nuk më ka nxit Enver Sekiraqa, as ndonjë anëtar i familjes së tij, as nuk kam marrë kurrfarë shpërblimi nga ta”.

Në këtë seancë prezent ishte edhe babai i Triumfit Rizës, Shefqeti.

E mes tij e Arben Berishës pati edhe konfrontim verbal, ku babai i Rizës e quajti Berishën kriminel.

Ndërkohë, i dënuari për vrasje të Triumf Rizës, Arben Berisha, mohoi se e njihte Enver Sekiraqën.

“Unë e kam njoft si figurë, amo raporte s’kam pas as t’mira, por as raporte të këqija. Unë Enverin veç si figurë e kam njoft, raporte s’kam pas me to”

Ky dëshmitar më tej tha se edhe më parë kishte probleme me ish policin e njësisë speciale.

Arben Berisha thotë se atë e kishte rrahur disa herë Triumf Riza.

“Me Triumf Rizën për herë të parë kemi pas mosmarrëveshje 6 muaj e gjysmë para se me ndodh vrasja, Ai pastaj më tha maje në mend, se kur të zateti gjithmonë qështu e ke, mos t shoh k’tu pari mo, edhe një mosmarrëveshje e kam pas 3 muaj para se me ndodh vrasja. në rrugën Fehmi Agani në Prishtinë, e takova Triumf Rizën rastësisht, ish kon tuj e vozit një xhip të bardhë. E ndali veturën e tina dhe dul e më ndali mu, unë isha vetëm, dhe e pyeta pse m ndale ti mu, dhe mu përgjigj çka t’kam thonë ty, pastaj më ra dy herë shuplak, duke më thonë se e ke kshtu sa herë të takoj dhe ik prej ktuhit”,

Më tutje Berisha ka thënë se ditën kur e kishte vrarë Triumf Rizën, me vete kishte një revole të cilën e kishte blerë kohë më parë.

Ndërsa ka rrëfyer edhe momentin e vrasjes.

“Tani Triumfi u kthy me ec për n’xhip i zi, kur u afru më tha hup se po ta q*** n***, e ka qu dorën e djathtë në anën e majtë afër brezit, unë mendova se po don me nxjerr revolen. Nga frika unë e kam nxjerrë revolen e kam ripërtirë, kam shtënë rrefall, 11 plumba kanë dal prej revoles, 3 pluma e kanë rrokë”

Enver Sekiraqa po gjykohet për nxitje të vrasjes së policit Triumf Riza.

Kjo pasi që Gjykata e Apelit e kishte prishur aktgjykimin e shkallës së parë që Sekiraqën e kishte dënuar me 37 vite burgim.