.
×

Dega e Vetëvendosjes në Shqipëri ia kthen Erion Veliajt: Pse Rama bën marrëveshje me Vuçiqin në emër të Kosovës



Kryetari i Bordit të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë, Enis Sulstarova, ka reaguar ndaj deklaratës së Bashkisë së Tiranës të udhëhequr nga Erion Velijaj. Sulstarova ka pyetur se a i takon Edi Ramës të merret vesh me Vuçiqin për “marrëveshje rajonale” në emër të Kosovës. Kjo pasi në një reagim të Bashkisë së Tiranës thuhet se “Vetëvendosja është e votuar të qeverisë Kosovën dhe jo të bëjë djalin e Fahriut (Balliu) apo suflerin e Orjolës (Pampuri, ish-deputete e PD) në Tiranë”.

“Ne mendojmë se jemi në të drejtën tonë kur shprehemi për çështjet e Tiranës, siç është kushdo që ia do të mirën kryeqytetit. Por duhet shtruar seriozisht pyetja se a është në të drejtën e vet kryetari i partisë që drejton bashkinë e Tiranës, kur merret vesh me Vuçiçin për “marrëveshje rajonale”, në emër edhe të Kosovës?”, ka thënë Sulstarova.

Tutje, ai tha nuk është në rregull që këta të thonë se shqiptari nuk paska të drejtë të flasë për Tiranën, derisa të njëjtit ftojnë serbët të flasin për Kosovën pa prezencën e saj.

“Nuk shkon kështu, këta na thonë se shqiptari s’paska të drejtë të flasë për Tiranën, kur po të njëjtët ftojnë serbët të flasin për Kosovën, pa Kosovën”, ka shkruar Sulstarova.

Vetëvendosje e Tiranës ka ftuar Bashkinë e Tiranës që kritikat të mos i marrë personale por institucionale, kjo për shkak se Vetëvendosje në Shqipëri është e regjistruar si organizatë joqeveritare dhe jofitimprurëse.

“Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Tiranë e fton Bashkinë e Tiranës të mos i marrë kritikat si personale, por si institucionale. Në Republikën e Shqipërisë ne jemi të regjistruar si organizatë joqeveritare dhe jofitimprurëse, dhe është shenjë katastrofale kur një forcë politike e cila tashmë qeveris pa opozitë institucionale në nivel qendror e lokal, shënjestron dhe përpiqet t’ia mbyllë gojën edhe organizatave joqeveritare që nuk ia ndjekin avazin”, thuhet në reagimin e VV’së.

Krejt në fund Vetëvendosje tha se dega e saj në Shqipëri do të merret me çështje kombëtare, do të denoncojë politikat e gabuara, nuk do të rreshtohet pas ndonjë partia, por pas ideve për zhvillim.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Shqipëri për çështjet kombëtare do të kërkojë vazhdimisht bashkëpunimin me faktorët politikë, qofshin ata në qeveri apo opozitë. Njëherazi, do të denoncojmë politikat që i shohim si të gabuara. Ne do të jemi të rreshtuar jo pas ndonjë partie, por pas ideve për zhvillim ekonomik, demokraci qytetare e të drejta njerëzore”, ka shkruar Sulstarova.

Sot në mëngjes, Bashkia e Tiranës zhvilloi aksionin “Astriti”, për të rrënuar disa banesa nga autoritetet shqiptare. E kjo solli përplasje mes policisë dhe banorëve të cilët e kundërshtuan këtë aksion.

Për pasojë, pati të plagosur si nga radhët e policisë ashtu edhe në mesin e banorëve duke bërë që të reagojë edhe presidenti shqiptar Ilir Meta, si dhe shumë të tjerë, e në mesin e tyre edhe Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë.

Mirëpo, Bashkia e Tiranës ka reaguar pas komunikatës së VV-së duke e sulmuar e duke thënë se është e keqardhur për degradimin e rëndë në të cilin ka përfunduar dega e Tiranës së Albin Kurtit.

Si kryetar i Bordit të Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri, më duhet të shpreh shqetësimin për një deklaratë…

Publiée par Enis Sulstarova sur Mardi 12 novembre 2019