[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Daut Haxhaj: A po përsëritet historia e dhimbshme e shqiptarëve ?!



 

Shqipëria e vitit 1912 është një tregim përafërsisht i njëjtë me projektin e Lirisë dhe Pavarësisë së Kosoves! Me insistimin e Autro-Hungarisë dhe përkrahjen e fuqive të mëdha që ishin kundër pretendimeve të Rusisë së atëhershme për t’u zgjeruar në Ballkan e veçmas për të dalë në Detin Adriatik përmes krijesës shtetërore serbe, shqiptarët e fituan një shtet të pavarur, edhe përkundër faktit që një pjesë e madhe e territorit mbeti jashtë shtetit shqiptar! Pas një dekade Qeveria e Ahmet Zogut e filloi konsolidimin e shtetit shqiptar dhe perendimorizimin e ligjeve, performancës dhe pretendimeve për t’u bërë një shtet i ngjashëm me shtetet e Perëndimit.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore ndikimi serbo-rus, që në atë kohë ishte aktiv, arriti që përmes agjentëve të vetë ta formojë Partinë Komuniste të Shqipërisë me orientim jugosllav-sovjetik në krye me Enver Hoxhën, përmes të cilit i eliminuan të gjithë filoperëndimorët dhe shoqërinë shqiptare e orientoi kah Jugosllavia e ish-Bashkimi Sovjetik e më vonë edhe kah Kina e largët maoceduniste.

Për fat të keq, Kosova 18 vjet pas shpëtimit nga lufta shfarosëse dhe 10 vjet pas shpalljes së pavarësisë gjendet në një udhëkryq të madh në orientime integruese, falë punës dhe sjelljeve banditeske kriminale të udhëheqësve institucionalë! Shqetësimet janë të shumta nga SHBA dhe aleatët tjerë në raport me qeverisjen në Kosovë, si në sferën e rendit dhe ligjit, korrupcionit, shëndetësisë, arsimit, mirëqenies sociale  dhe administratës shtetërore në përgjithësi.

A po e arrijnë qëllimin Serbia dhe Rusia ta shtrijnë ndikimin në hapësirat shqiptare? Pa dyshim se po. Në bazë të analizës së gazetës prestigjioze “The Econimist”, në një vështrim analitik, në vendet që ka ndikim politika ruse, hyn edhe Kosova, ndërsa një anketim i bërë kohë më parë, del se në Shqipëri 68% i besojnë Putinit si lider botëror!

Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë dhe pranimit të shtetit të Kosovës nga numri më i madh i vendeve demokratike të botës dhe sidomos pas fitimit të betejës juridike në GJND, ofensiva ruso-serbe filloi të angazhohet më tepër në Kosovë, duke tentuar defunksionimin e institucioneve të Kosovës për ta shantazhuar SHBA, NATO-n dhe vendet demokratike në projektin e tyre; intervenim humanitar dhe krijimin e shtetit demokratik të Kosovës! E më së miri projektit serbo-rus janë duke i ndihmuar banditët e Kosovës nën petkun e politikanëve dhe liderëve të institucioneve, që në pushtet kanë ardhur me stilin e Kominternës.

 

Qeveria e Kosovës është model i mirë për të treguar se si dështon një shtet. Krejt veprimet e qeverisë tregojnë se Kosova është në prag të dështimit shtetëror, duke filluar nga rritja e administratës dhe ministrive, rritja e shpenzimeve qeveritare, falja e borxheve mafisë ekonomike etj., etj.

I mbetet shoqërisë kosovare që të mobilizohet kundër rrënuesve të shtetit të Kosovës, kundër bandave politike që po donë ta shkatërrojnë shtetin për interesin e tyre. Një rol kryesor duhet ta luaj LDK që është nismëtare e proceseve properëndimore tash e njëzetë e shtatë vjet më parë. Dikur udhëheqësit e LDK-së priteshin edhe në Zyrën Ovale të presidentëve të SHBA-së e tash përfaqësuesit  të Kosovës nuk mund as të marrin viza e lere ma të të udhëtojnë sigurt për në vendet e Perëndimit dhe Amerikës.

Menu Title