.
×

Dajana Berisha: Eulogji për Aulon Zekën!



                                                                                    Shkruan Dajana Berisha 

 

Mbrëmë vonë shpirti i një 16 vjeçari të brishtë në pamje si çdo djalosh, që ende se ka mbërrit rriten fiziologjike fluturoj në qiell, për të zënë një qosh të sigurt aty pranë engjëjve.

Aulon djalë! Unë nuk të pata njohur 🙁 Të njoha pas ikjes tënde! Na ndodh, që në jetë të njohim njerëz të cilët me ikjen dhe me dramën e tyre marrin me vete dhe copëza të shpirtrave tonë. E ikja jote kaq e shpejtë prej kësaj jete më ka mpirë të tërën, duke shuar çdo grimcë arsyetimi, sesi dhe pse mund të ketë ndodhur kjo vdekje, kjo tragjedi.  Asgjë dhe askush nuk e justifikon ikjen nga kjo jetë të një 16-vjeçari!!!!

Aulon djalë! Le pas vetes një peshë të madhe dhimbje e faji, që do të na përndjekë të gjithëve ne si shoqëri. Dhimbje për familjen tënde (veç mundem me përfytyru nënën tënde). Qe besa fort dhimbje na fale dhe ne, që s’të njohëm!

Aulon djalë! Një akuzë të madhe ia le shoqërisë, komunitetit, shtetit, institucioneve arsimore (në oborrin e një shkolle thuhet, se të morën jetën). Ç’ka po ndodh me ne të gjithë? Me siguri, që ti të gjitha këto i ke ditur, por tashmë përgjigjet e këtyre pyetjeve ti i ke marrë me vete atje lart, duke na lënë ne me pendesën e jashtëzakonshme, që s’arritëm të parandalonim këtë tragjedi.

Aulon djalë! Po thuhet, se i paske pasë do vuajtje, paske qenë shëndetlig. E tash mundem me përfytyru shqetësimin tënd, që “ata qeshin me ty, se ti je ndryshe, por ti ma i mençur se të gjithë ne, qesh me ne, se ne jemi të gjithë njësoj”.

Aulon djalë! Ti sot do të duhej, të vazhdoje studimet, të angazhoheshe në sporte, ndoshta art, a pse jo aktivitete humanitare, çkado që të mbushte shpirtin dhe kohën tënde. Por në vend të këtyre…..Ti shkove!!! Ne s’ditëm me të ofru ngrohtësi shpirtërore, e s’mbërritëm me vlerësu burrërinë tënde përballë paburrnisë së shumicës prej nesh.

Aulon djalë!  Ndoshta Zoti ti qetëson dhimbtë e tua. E ndoshta ti prej së larti i nënqesh të gjithë ata, që s’ti kuptuan dhimbjet e moshës, dhe ato fizike e shpirtërore.

Jeta është dhuratë prej Zotit!Pusho në paqe djalosh, e ta dish, më të mirët i merr Zoti afër!

“For every dark night there’s a brighter day” – Tupac Amarur Shakur