.
×

Cili është roli i BIA-s dhe VBA-së në destabilizimin e shtetit të Kosovës?  



Vlen të theksohet fakti se në Kosovë, veprimtaria kriminale e shërbimeve të huaja sekrete nuk është e ndaluar me ligj dhe de-jure, nga ne, kjo veprimtari nuk mundet të quhet krim apo veprimtari anti ligjore

 

Eroll Velija

 

 

Për momentin veprimtaria agjenturore e Serbisë në drejtim të Kosovës bëhet përmes dy agjencive të cilat janë riorganizuar pas vitit 2002. E para është BIA (Agjencia Informative dhe e Sigurisë e cila është resor qeveritar që kontrollohet nga qeveria dhe parlamenti. E dytë është VBA (Agjencia Ushtarake e Sigurisë) e cila është në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes së Bashkësisë Shtetërore Serbi – Mali i Zi.

Aktiviteti kriminal është fenomen i cili shoqërinë njerëzore e përcjell që nga lashtësia e deri në ditët e sotme. Molla e ndaluar e Ademit është tregimi fetar i cili përcakton më së miri tre dimensionet që e karakterizojnë krimin si fenomen shoqëror. Së pari, pra kemi dimensionin historik të lindjes së krimit. Përmes këtij tregimi përcaktohet se krimi lindi njëkohësisht me njeriun dhe se është brenda natyrës së tij. Së dyti dimensioni i natyrës njerëzore si qenie kureshtare, lakmitare dhe e prirur që për kënaqjen e orekseve të tij, pa zgjedh mjetet dhe kohën, të shkojë deri në ekstrem. Dhe dimensioni i tretë i këtij tregimi, më së miri përcakton definicionin e krimit, d.m.th. atë se krim është çdo gjë që është e ndaluar pavarësisht se ajo nganjëherë mund të jetë edhe mollë.

Lufta e organizuar kundër krimit ka gjenezën e vet që kur shoqëria njerëzore filloi të organizohet, pra, thënë më thjesht që kur lindi shteti si institucion administrativ i popujve apo kombeve. Në kuadër të kësaj, të gjithë pajtohen me atë se: krim është çdo gjë që është e ndaluar me ligj (pas lindjes së shtetit ), mirëpo gjatë zhvillimit të shoqërisë njerëzore kriteret për atë se çka duhet të konsiderohet krim, kanë qenë të pa standardizuara dhe kanë ndryshuar varësisht prej epokës historike, natyrës së regjimeve shoqërore faktorëve ekonomikë, socialë etj. Për ilustrim po përmend faktin se: në mesjetë krim është konsideruar argumentimi shkencor i fenomeneve natyrore dhe shoqërore kurse sanksionet kanë qenë të tmerrshme. Ose në hapësirat tona dhe përreth nesh (gjatë kohës së komunizmit), shumë aktivitete shoqërore që sot zhvillohen janë konsideruar krim.

Manifestim i krimit në hapësirat kosovare shfaqet në dy forma

  1. Në formë të krimit të organizuar
  2. Në formë të krimeve ordinere

Këto aktivitete kriminale të manifestuara në format e më sipër përmendura janë karakteristike nga fakti se bazohen në disa aktivitete të cilat falë rrethanave të cilat mbretërojnë në hapësirat tona (gjendja ekonomike infrastruktura ligjore, joefikasiteti i duhur i organeve të ndjekjes dhe gjyqësore), kanë teren të përshtatshëm të zhvillimit të tyre dhe janë burim permanent i destabilizimit të gjendjes së sigurisë.

Motivimi kryesor i veprimit kriminal i manifestuar në format e sipërpërmendura bazohet në;
1.     Aktivitetet e motivuara me arsyetim politik, ku si pretekst zakonisht merren ngjarjet historike, përkatësitë ideologjike, fetare dhe etnike;
2.     Aktivitetet  e motivuara nga shërbimet sekrete të vendeve të treta të cilat kanë qëllim armiqësor ndaj Kosovës;
3.     Aktivitetet e motivuara me arsyetim të përfitimit material;

Vepritmari e agjenturave në Kosovë nuk është e ndaluar me Ligj
Në këtë shkrim do të përqendrohem në aktivitetet kriminale të motivuara nga shërbimet sekrete të vendeve të cilat kanë qëllim armiqësor ndaj Kosovës dhe konsideroj se që nga viti 1999, ato kanë pasur ndikim dhe do të vazhdojnë të kenë edhe në të ardhmen në sigurinë e përgjithshme në hapësirat tona.

Vlen të theksohet fakti se në Kosovë, veprimtaria kriminale e shërbimeve të huaja sekrete nuk është e ndaluar me ligj dhe de-jure, nga ne, kjo veprimtari nuk mundet të quhet krim apo veprimtari anti ligjore, mirëpo besoj që de-fakto të gjithë pajtohemi se kjo veprimtari është anti Kosovare dhe e kriminalizuar dhe se meriton qasje nga ky pikëvështrim.

Siguria në Kosovën e tanishme dhe në atë të pas pavarësisë në njëfarë mase do të varët nga qasja që do të ketë Serbia ndaj saj. Kjo kryesisht do të lidhet me atë se cila klasë politike do të qeverisë Serbinë në të ardhmen dhe se, sa ajo do të jetë e integruar në organizmat euro-atlantikë. Një Serbi me një kalasë politike ekstreme dhe të lënë jashtë strukturave euro-atlantike do të jetë burim permanent i rrezikimit të gjendjes së sigurisë në Kosovë dhe rajon.
Klasa politike e cila qeveris Serbinë, aktualisht është e impenjuar thellë në zgjidhjen në favor të saj të statusit përfundimtar të Kosovës. Ky impenjim edhe pse nuk ka rezultuar pozitivisht, deri sot është permanent dhe shtrihet në shumë fusha ku më e ndjeshmja është ajo e veprimtarisë agjenturore në drejtim të Kosovës.
 

Historia e veprimtarisë së shërbimeve sekrete serbe në Ballkan
Veprimtaria e shërbimeve sekrete serbe në drejtim të vendeve të Ballkanit ka një parahistori. Ajo fillon në vitin 1908 kur në Prokuple (në jug të Serbisë) dhe nën drejtimin e kolonelit Dragutin Dimitrieviq Apisit dhe  kapitenit Tankosiq, formohet kampi për stërvitjen e çetnikëve. Po nga ky kamp[1] kanë filluar të bëhet planifikimi dhe zhvillimin i veprimtarisë agjenturore në drejtim të tokave shqiptare të cilat atë kohë ishin nën Perandorinë Osmane. Që nga kjo kohë e deri më sot nuk ka pushuar së vepruari veprimtaria agjenturore e shërbimeve serbe në drejtim të Kosovës e cila veprimtari fatkeqësisht ka qenë ofensive, çka do të thotë se është shoqëruar me akte të mprehta të cilat përpos se kanë ndikuar keq në zhvillimin e jetës sonë shoqërore, kanë lënduar shumë familje kosovare.
Për momentin veprimtaria agjenturore e Serbisë në drejtim të Kosovës bëhet përmes dy agjencive të cilat janë riorganizuar pas vitit 2002. E para është BIA (Agjencia Informative dhe e Sigurisë)[2] e cila është resor qeveritar që kontrollohet nga qeveria dhe parlamenti. E dyta është VBA (Agjencia Ushtarake e Sigurisë) e cila është në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes së Bashkësisë Shtetërore Serbi – Mali i Zi.
Që te dyja këto agjenci, edhe pas reformimit kanë në dispozicion të gjithë infrastrukturën agjenturore të paraardhësve të tyre RDB-së, KOS-it dhe Drejtorisë së Dytë të Shtabit të Përgjithshëm të APJ[3]. Kjo ju mundëson atyre që për momentin të jenë ndër agjencitë që disponojnë infrastrukturë të mjaftueshme për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit.
Rrethanat të cilat kanë mbretëruar në Kosovën e para vitit 1999 kanë mundësuar që në fillim OZNA, pastaj UDB më vonë SDB dhe KOS e së fundit RDB, të rekrutojnë agjentë përmes të cilëve bukur shumë është kontrolluar jeta shoqërore te ne.

Pa dashur të spekulojmë me të dhënën e përfolur shumë se serbet disponojnë rreth 25 mijë bashkëpunëtorë në Kosovë, por duke analizuar të dhënat e bëra publike, prapë na del një shifër e lartë e pranisë së agjenturës serbe këtu te ne e cila për qytetarët dhe institucionet e Kosovës, mendoj se duhet të jetë shqetësuese.

 

Sa është numri i shqiptarëve që u morën në pyetje nga shërbimet sekrete serbe pas demonstratave të vitit 1981?

Nëse merret e saktë e dhëna e bërë publike në vitin 1988 nga Sekretariati i Punëve të Brendshme të Kosovës se: “Deri në vitin 1985 nga Shërbimi i Sigurimit Shtetëror (SDB) janë trajtuar rreth 500 mijë qytetarë të Kosovës” kjo nuk do koment. Nëse nga ky trajtim, SDB ka arrit të rekrutojë vetëm një përqind, ne na del që çdo i katërqindi banor i Kosovës është bashkëpunëtor i shërbimeve serbe. Këtu nuk duhet harruar mundësinë e rekrutimit të bashkëpunëtorëve nga shërbimi i armatës jugosllave (KOS-i dhe Drejtoria e Dytë pranë SHP të APJ) si dhe bashkëpunëtorët vullnetarë.
Për vrojtuesin e kujdesshëm, prania e agjenturës serbe në radhët tona ka qenë mëse e dukshme. Pa hyrë në atë se si janë zbuluar grupet ilegale para vitit 1981, zbulimi i veprimtarisë ilegale pas viteve të nëntëdhjeta flet shumë. Duke filluar që nga grupi i Gjakovës, pastaj Ministria e Mbrojtjes dhe e Brendshme  e Republikës së Kosovës, zbulimi i grupit të Nait Hasanit, vrasja në pritë e Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës dhe Akif Zejnullahut flasin për prezencën e shërbimit serb në vendet më të ndieshme të aktiviteteve tona të rezistencës ilegale të cilat pa dyshim nuk kanë përfshirë vetëm Kosovën por të gjithë hapësirën ku shqiptarët kanë zhvilluar aktivitet politik.

Mendoj që, vetëm këto ngjarje dëshmojnë: nëse jo për praninë e agjenturës masive serbe në radhët tona, për një kualitative po se po.
Vrasjet enigmatike të figurave politike të Kosovës dhe veprimet e tjera të mprehta të cilat kohë pas kohe skajshmërisht kanë rrezikuar gjendjen e sigurisë, tej mase kanë reflektuar në stabilitetin politik dhe në prishjen e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Mendoj se në një pjesë të tyre është e involvuar agjentura serbe pasi që Qeveria e Serbisë është e bindur se e vetmja rrugë për rimarrjen e sërishme të Kosovës është nëse ajo destabilizohet (vietnamizohet – futja e shqiptarëve në konflikt me bashkësinë ndërkombëtare), dhe në fazën gjatë bisedimeve për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës, duhet pritur një intensifikim i këtyre aksioneve.
Të paktë janë politikanët, gazetarët, dhe analistët të cilët këtë fenomen e kanë analizuar nga ky prizëm. Menjëherë pas çdo akti, në të dyja kampet rivale politike, në media, dhe nga gazetarë “të pa varur” janë gjetur persona të cilët me apo pa vetëdije, kanë mjegulluar edhe më shumë gjendjen dhe rrallë herë analizat shkuan deri në fund. Zakonisht ato janë mbetur në nivelin i cili do të shtonte edhe më tej hendekun e ndarjes mes forcave politike dhe në rastin e volitshëm do të inicionte një përshkallëzim të gjendjes në shkallë më të gjerë.

Aksionet e lagura


Të gjitha aktet e ndodhura deri tani, e që kanë rrezikuar stabilitetin e Kosovës, janë kryer sipas formulës së “aksioneve të lagura” në të cilat gjithmonë kryesi i aksionit dhe porositësi mbetën të pa zbuluar. Vetë literatura e bërë publike nga veteranë të shërbimeve serbe flet se si këto shërbime kanë pasur sektorë të specializuara për planifikim dhe kryerje të këtyre aksioneve ku gjatë Luftës së ftohtë, ato janë kryer në vendet perëndimore dhe nuk është arritur asnjëherë të dokumentohet prania e shërbimeve serbe në këto ngjarje.

Gjëja më e rëndësishme në këto aksione është që ai të kryhet në mënyrë që mos të lihet as edhe dyshim më i vogël për atë se kush është organizatori. Gjatë Luftë së ftohët, shërbimi jugosllav (SDB) ka arritur që përmes këtyre aksioneve të eliminojë disidentët në vendet perëndimore (kryesisht të emigracionit shqiptar dhe kroat). Këtyre aksioneve në radhë të parë i paraprinte taktika e krijimit të fraksioneve brenda organizatave politike të cilat krijoheshin përmes agjenturës influente, pastaj kur ndodhnin eliminimet, ato përmes agjentëve influentë prapë mjegulloheshin dhe mbeteshin si qërim hesapesh përbrenda organizatës.

Teknikisht kryerja e këtyre aksioneve bëhet në dy mënyra: Së pari, përmes agjenturës shërbimi grumbullon të dhëna për gjendjen në terren dhe pas analizës piketon viktimën. Në aksion angazhohet një ekip e specializuar i cili përmes rrugëve të ndryshme nga baza (në këtë rast Serbia) dërgohet në vendin e ngjarjes dhe realizon aksionin. Këto aksione ndërmerren ndaj objektivave ku garantohet tërheqja pa problem i ekipit.
Së dyti, kryerja e aksionit bëhet përmes agjentit rezident. Kjo është mënyra më e mirë për kryerjen e aksioneve “të lagura”. Agjenti rezident (në këtë rast i shërbimit serb, me përkatësi etnike shqiptare i cili mund të jetë me gradë shkencore ose pa të, i dëshmuar në “çështjen kombëtare”, “gazetar i varur apo i pa varur” i futur në ndonjë organizatë politike ose jashtë saj), rreth vetes grumbullon zakonisht pjesën më revolucionare të kombit e cila pa vetëdije i vihet atij në shërbim dhe është e gatshme për sakrificë sublime. Në njërën anë, ai përmes këtyre personave kontrollon të gjitha aktivitetet që bëhen në dëm të padronit për kë punon, kurse në anën tjetër organizon aksione të mprehta (vrasje, sabotime, vendosje të bombave etj) të cilat i porosit në emër të patriotizmit.
Edhe po u zbuluan kryesit e drejtpërdrejtë, ata do të dalin se janë persona pa formim të mjaftueshëm intelektual, do t’i përkasin kësaj apo asaj vije politike por që kanë dashur të kryejnë një shërbim në “dobi” të kombit. Për momentin se kush janë ata nuk dihet. Në një fazë të caktuar ata do të zbulohen dhe natyrisht, kur për këtë do të ketë nevojë Serbia. Kjo do të ndodhë kur shërbimi serb mendon se ne jemi në një pikë kritike ku mjafton një shkëndijë e vogël për të degraduar gjërat këtu.
Pa pasur ndonjë fakt të veprimeve operative të bëra nga organet legjitime të sigurisë në Kosovë (SHPK, policia e UNMIK-ut, KFOR-i) por vetëm nga pozita e vrojtuesit të thjeshtë, përpos atyre që u thanë më lart, mund të nxirren edhe argumente të tjera të cilat e vërtetojnë pranin e shërbimit serb në aktet e pa ndriçuara në Kosovë.
Së pari po të shikohet gjeografia ku ndodhin më së shumti aktet e mprehta, ajo i përket territorit i cili nuk është i banuar me serbë (rrafshi i Dukagjinit). Kjo bëhet për të eliminuar ço dyshim të pranisë së tyre në këto akte.
Së dyti po të shikohet koha kur ndodhin, ato zakonisht lidhen me ndonjë mbledhje në nivel ndërkombëtar për Kosovën apo me ndonjë vizitë të ndonjë personaliteti ndërkombëtar në Kosovë. Ndër rastet e tilla po veçojmë: vendosja e eksplozivit në një kishë ortodokse në Burim gjatë konferencës së KS të OKB ku debatohej për Kosovën; atentati ndaj Presidentit Ibrahim Rugova gjatë vizitës së Solanës; rasti i fundit i sulmit të autobusit në Shar gjatë vizitës së ministrit të mbrojtjes së Gjermanisë në Prizren etj.

Edhe pas pavarësisë së Kosovës, për një kohë të gjatë gjendja e sigurisë do të vazhdojë të jetë e brishtë për shkak të aktiviteteve të shërbimeve serbe këtu. Se për sa kohë do të vazhdojë kjo gjendje kjo lidhet me shumë gjëra që do të zhvillohen në Kosovë dhe përreth saj, mirëpo mënyra më e mirë për t’i parandaluar ato është kur ne arrimë të konsolidohemi dhe krijojmë institucione të mirëfillta të sigurisë, puna e të cilave përcaktohet me ligj.

 

[1] Nga kuadrot që kanë udhëhequr këtë kamp është përgatitur edhe Atentati i Sarajevës i 28 qershorit 1914 i cili çoi në fillimin e Luftës së Parë Botërore
[2] Buxheti vjetor i BIA-së është rreth 20 milion euro
[3] Në kuadër të Shtabit të Përgjithshëm të APJ kanë ekzistuar dy shërbime: KOS-i, veprimtaria e të cilit ka qenë kundërinformative dhe Drejtoria e Dytë e cila kryesisht ka zhvilluar veprimtari informative.