[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

“Cilët politikanë shqiptarë morën 17 milionë dollarët e UDB-së”



Ndoshta 20 vjeçarëve të sotëm gjithçka mbi atë periudhë mund t’u duket fiksion, diçka surreale që zor se ka ndodhur vërtet. Me kalimin e kohës mbase kështu na duket të gjithëve. Sidomos nëse vëmë në kandar idenë se njerëz të rritur dhe “me dy pare mend”, ishin të gatshëm të shisnin gjithçka dhe kursimet e tyre t’i linin në një sportel zhuls, me premtimin e shkruar me stilolaps në një copë letër të prerë me vizore, se do të merrnin dyfishin pas tre muajsh.

Por skemat piramidale kanë ndodhur vërtet. Ato nisën pa u ndjerë, patën një periudhë inkubacioni të heshtur, për arsyet që do shpjegojmë më poshtë. Dhe në vjeshtën e 1996-s, situata e shkaktuar prej tyre kishte mbërritur në një mahisje që endej në ajër. PD pas zgjedhjeve parlamentare të 26 majit sapo kishte fituar dhe zgjedhjet lokale, ndërsa shtypi i shkruar hapej çdo ditë me kurset e reja të përqindjeve që firmat piramidale, në një garë me njëra-tjetrën drejt greminës, shtonin vazhdimisht. Ishte e nxitur? Apo ishte një përpjekje kamikaze për të shtuar më kot myshterinjtë, me iluzionin se paratë që hynin nëpër arka do ishin më shumë se ato që dilnin për të paguar përqindjet? Kushedi. Por të gjithë kishin marrë garancinë publike nga presidenti Berisha, se “paratë e shqiptarëve ishin më të pastrat në botë”. Një frazë evazive që e bëri punën e vet. Sepse paratë e emigrantëve dhe familjarëve që shisnin shtëpitë, padyshim ishin të pastra, por ironikisht, ndryshe nga sot që ndodh e anasjellta, u “ndotën rrugës”. Dhe në fund, u përgjakën dhe u grabitën .

20 vjet nga plasja e firmave piramidale, një shpërthim që u mbars në vjeshtën delirante 1996 dhe kulmoi në fillim të janarit 1997 me ngjarjet që tashmë dihen, bëjmë një bisedë mbi këtë temë me ish truprojën e Sali Berishës, Izet Haxhia. Është një bisedë retrospektive, ku përzihen detaje, emra e fakte, me konkluzione apo përfundime që bëhen natyrshëm nga distanca e ftohtë kohore e 2 dekadave. Në fakt, një distancë e barabartë me vitet që Shqipëria është mbrapa, nëse nuk do të kishte ndodhur kjo masakër jo vetëm financiare, por edhe rrënuese e ngrehinës shtetërore, e më tej shpirtërore e njerëzore, që parë në dritën e të sotmes, ka dëmtuar rëndë indin shoqëror të këtij vendi.

-Izet, sot ‘zyrtarisht’ pranohet se dukuria e firmave piramidale në Shqipëri ka nisur në vitin 1991 me Hajdin Sejdinë. Në dijeninë tënde, kur është bërë e ndjeshme kjo dukuri për pushtetin e kohës?

Dihet se me hapjen e Shqipërisë ndaj botës, ndodhën dy gjëra. Shqiptarët vërshuan në Perëndim, sidomos në vendet fqinje Itali e Greqi, duke punuar e siguruar të ardhura për familjet e tyre të varfra në Shqipëri. Ndodhi dhe tjetra, fukarenjtë iknin, ndërsa politika e dyerve të shqyera që filloi të ndiqte qeveria shqiptare u dha mundësi shumë spekulatorëve e mashtruesve të futeshin në Shqipëri e të ‘investonin’ përvojën e tyre mashtruese. Një nga këta mashtrues ishte edhe Hajdin Sejdia. Njerëzve mund t’u kujtohet sesi shumë shpejt ai u bë i njohur në Shqipëri, dilte dhe në televizor. Ai krijoi miqësi me qarqet politike. U miqësua me qeverinë e Nanos, por në të njëjtën kohë sponsorizonte edhe PD e sapokrijuar.

-Me para?

Izet Haxhia

Me makina luksoze për kohën dhe pajisje të ndryshme për PD, si makina shkrimi e kancelari të nevojshme. Kemi parasysh që gjithçka ishte luks në atë kohë. Por në të njëjtën kohë ky mashtrues mblidhte edhe paratë e shqiptarëve sipas një skeme që askush nuk e njifte në atë kohë, por që shumë shpejt i doli tymi si një sipërmarrje mashtruese. Pası mblodhi rreth 17 milionë dollarë të shqiptarëve, Hajdin Sejdia u largua i paprekur nga askush prej Shqipërisë edhe pse mashtrimi i tij kishte dalë në skenë.

Shqiptarët mbi këto para pinë një gotë ujë të ftohtë dhe e harruan. Sot kur dëgjon këto shifra zë kokën me duar, asokohe s’ja kishim idenë.

-Pra a mund të themi se kishte injorancë në popull, duke menduar se ky është kapitalizmi, që njerëzit i jepnin paratë pa u menduar, pa marrë asnjë garanci…?

Sot ne kemi mësuar (me shumë dhimbje) se kapitalizmi është një sistem ku duhet të sundojë ligji e konkurrenca e ndershme, që kontrollohet nga institucione të konsoliduara demokratike. Por bëmë të kundërtën. Jo me ndërtim të institucioneve, por shkatërruam edhe gjithë skeletin e shtetit që trashëguam nga diktatura. Pse? Nën pretekstin e luftës kundër komunizmit, a thua se shumica e këtyre që erdhën në pushtet me në krye vete Berishën, nuk kishin qenë kuadro të krijuara në komunizëm e madje edhe komunista të flaktë. Shkatërrimi total i gjithë institucioneve të trashëguara nga diktatura krijoi një boshllëk në çdo fushë. Mjafton të përmend prapë kuadrot e formuar nga kurse gjashtëmujore plepash, siç ishte rasti i drejtësisë.

Pra shkurt, me ardhjen e PD në pushtet, u ndërtua antishteti dhe institucione në shërbim të këtij antishteti, e të lidhura me krimin që sapo kishte filluar të merrte formë.

Shqipëria si çdo vend i kësaj trajte në fillimet e një sistemi të ri, u bë në vitet e para të PD një parajsë për shumë spekullantë e mashtrues të huaj e vendas që ulidhën me pushtetarët. Mungesa e një sistemi privat e efikas bankar, krijoi terren për kreditimin ilegal, me para në dorë, me “fjalë burrash” etj. Më kryesorja, nuk kishte ligje dhe si puna e Sejdisë, mund të zhdukeshe bashkë me paratë.

-Ti vetë, në atë kohë si i shihje këto skema? Kishe ndonjë dijeni paraprake? Meqë patën ndodhur edhe në ca vende të tjera lindore…

Po kush i dinte! Gjithçka e mësuam rrugës. A dinim ne si funksiononte logjika dhe rregullat bankare psh? Puna është se fillimisht, pati njerëz që donin të investonin diçka në biznese, tregti etj, dhe ngaqë sistemi bankar i kohës nuk mund ta bënte këtë, avash avash aty nga viti 1993 filluan të lindin edhe këto skema private kreditimi që filluan të jepnin para me fajde siç thuhet në gjuhën e popullit. Kështu lindën edhe skemat e para që më vonë do të quheshin piramidale. Pastaj të mos harrojmë se në këto skema filluan të hyjnë edhe paratë e drogës dhe krimit, që po krijoheshin. Ndërkohë që një vend si Shqipëria, në fillesat e gjithçkaje, tërhiqte shumë vëmendje për “njerëzit e shkathët”…

Hajdin Sejdia me presidentin Ramiz Alia

Hajdin Sejdia me presidentin Ramiz Alia

-Në ç’kuptim? Di ndonjë episod?

Dua të tregoj vetëm një rast që tregon se Shqipëria ishte synim i qarqeve financiare ndërkombëtare, për t’u kthyer në një parajse të sistemit bankar off shore. Pra këto vendet pa taksa. Në verën e 1992-it më takon një shqiptar me origjinë të familjes së tij nga Tropoja, por vetë i lindur në Amerike e shkolluar atje. Më prezantoi me disa persona, lloj tipash që kisha parë vetëm në filma. Ishin sipas tij dhe ashtu doli që ishte, bankierë të fuqishëm çifutë që zotëronin banka në Hong Kong e Afrikë të Jugut. Meqë Hong Kongu në vitin 1997 do t’i kalonte Kinës komuniste dhe Afrika e jugut po shpëtonte nga sistemi i apartejdit, ky grup i fuqishëm financiar, (këta kuptohet ishin ndërmjetësit), mendonte që bankat në Hong Kong e Afrikë të Jugut t’i transferonin në Shqipëri. Kjo duke pasur parasysh edhe hapjen e Shqipërisë dhe pozitën gjeografike.

-Duket projekt serioz…

Nga fjalët, po. Për këtë ata kërkonin që t’u jepej një zonë e lirë dhe mendonin për zonën e Vlorës apo Durrësit.  Po me të vërtet një rast shumë i mirë, kur e sheh me syrin e tanishëm dhe ato që dimë sot. Shteti do merrte qera nga këto banka që sipas fjalëve që më thanë atëherë ata personat shkonin disa miliard dollarë në vit… dhe ma merr mendja që po të futeshin këto banka në Shqipëri, as kriza politike as ekonomike nuk do njifnim, sepse në ato vende ku operojnë banka të lobeve të fuqishme financiare ka stabilitet politik e prosperitet ekonomik.

-Dhe çfarë ndodhi?

Ata kërkonin një takım sa më të shpejtë me Berishën. U rregullova një takım të nesërmen me Berishën, dhe pas këtij takimi ata takuan edhe Meksin. Projekti i tyre ishte pëlqyer dhe si konkluzion, në një kohë të shkurtër do kalonte në miratim. Por edhe SHIK-u i Gazidedes ishte vënë në përgjim të këtyre njerëzve misteriozë. Pası kishin marrë ok paraprak për projektin e tyre, në një darkë me disa persona, çifutet e qarqeve financiare kishin deklaruar që pasi të bëjmë instalimin e këtyre bankave në Shqipëri, do caktojmë ne se kush vjen në qeveri apo bëhet president. Ky informacion i shkon menjëherë Berishës nga SHIK-u dhe po me anë të SHIK-ut urdhërohet dëbimi i këtyre personave nga Shqipëria. Këta pas këtij dështimi të projektit të tyre në Shqipëri i vendosën bankat e tyre një pjesë në Lihtenshtejn dhe një pjesë në ishujt e Karaibeve ku edhe shumë politikanë të korruptuar shqiptarë kanë investuar paratë e tyre. Nga sa kuptohet nga ky rast që tregova, Shqipëria ishte një pikë e favorshme për aktivitete gjithfarllojit. Han pa porta për çdo gjë, ama vetëm te pushteti Berisha nuk të falte. Mbështetur në këtë klimë u lejua dhe forcua veprimtaria e firmave piramidale.

-Si i ka shfrytëzuar pushteti këto firma, ç’marrëdhënie reciproke ka patur në këtë fushë?

Duhet të kujtojmë se ishte koha e thyerjes së embargos ndaj Jugosllavisë nga Berisha e të tijët. Ishte koha e kontrabandës së armëve drejt serbëve të Bosnjës e vendeve të Afrikës si Sudani, apo drejt Afganistanit. Pra kishte boll para të pista në qarkullim që duhet të pastroheshin në një ‘lavatriçe’ dhe këtë rol e morën apo iu dha kompanive investuese apo piramidale siç do quheshin më vonë. Këtyre parave të pista duhet t’u shtojmë edhe të ardhurat që vinin nga trafiku i drogave të rënda dhe nga një trafik i saponisur i canabis sativas.

-Që atëherë kanabisi?

Ishte një bimë e panjohur më parë për shqiptarët, dmth njihej si çaj por jo si fitim i paparë. Por farërat e saj u sollën në Shqipëri për t’u mbjellur e kultivuar që në vitin 1995 nga njerëz të Ministrit të Brendshëm Agron Musaraj. U provuan fillimisht në zonën e Berat-Myzeqesë e pastaj për t’u shtrirë në gjithë vendin.

-Po mirë, si i përdorte pushteti këto firma, kur vetë kishte “para plot”?

-Këto skema financiare u lejuan sepse paratë e tyre të grumbulluara, që ishin furnizime parash të pista nga aktivitetet që thashë më sipër, i qarkullonin nëpërmes Bankës së Shtetit. Pra pastroheshin. Jo vetëm terreni ligjor ishte i përshtatshëm, pası ligji nuk egzistonte fare për këto sipërmarrje spekulative, por edhe terreni politik ishte ideal. Sidomos u shtuan si dukuri për qëllime elektorale, në funksion të ruajtjes së pushtetit të tronditur të Berishës, pas humbjes së referendumit të kushtetutës në 1994.

-Atëherë, të hyjmë më në detaje…

Ti marrim me radhë këto firma piramidale, ku katër ishin kryesoret por që gjithsej në total ishin rreth 15-16 mesa më kujtohet.

Vefa e krijuar e drejtuar nga një kapter magaziner i ushtrisë me emrin Vehbi Alimuça, që më kujton një kapter në qytetin tim të lindjes; ky kish për detyrë të ushqente e kujdesej për qenin e kufirit, por qeni dobësohej e kapteri shëndoshej, ngaqë ky i fundit hante ushqimet e qenit që ishin caktuar sipas normës. Kështu edhe puna e Vehbiut, i dhanë një detyrë që të bënte pastrimin e parave që vinin nga kontrabanda e armëve të ushtrisë shqiptare dhe pajisjeve të tjera të ushtrisë të trashëguara me shumicë nga ushtria popullore e Enverit. Njeriu më i afërt nga PD me firmën Vefa ishte Genc Pollo.

Familja “rentiere”: Vehbi Alimuçaj i VEFA-s me djalin dhe të shoqen në një foto zyrtare

Firma e Maksude Kadenës apo Sudes, që nuk dinte as të shkruante as të bënte llogari, bënte pastrimin e parave të kontrabandës së naftës me ish Jugosllavinë nga firma e PD-së, Shqiponja, dhe ishte nën përkudesjen direkte të Tritan Shehut; ky ishte edhe bashkëpronari i firmës Shqiponja bashke me Il Mulletin.

Firma Kamberi që bënte pastrimin e parave të drogës së Agron Musarajt me co., por më interesantja është historia e Gjallicës dhe lidhjet speciale të Berishës me këtë firmë. Nqs ju kujtohet një fjalim i liderit radikal serb Vojisllav Sheshelit në parlamentin serb në vitin 1993, ku i kërkonte llogari Millosheviçit për 17 milionë dollarët e dërguar në Shqipëri për bashkëpunëtorët e tyre.

-Dhe këto 17 milion ishin futur në firmë, dmth te Gjallica?

Po shpjegohem. Së pari, le të kemi parasysh edhe përgjigjen e Milosheviçit për Sheshelin: “Prit se do ta shofësh efektin e këtyre miliona dollarëve…”

Pse pikërisht këtu u futën këto shuma, te Gjallica? Duke njoftur drejtimin e firmës nga gruaja e një ish-punonjësi të ambasadës shqiptare në Rijekë të Jugosllavisë, (Shemsija, gruaja e Gani Kadrisë me lidhje të dyshimta me UDB jugosllave) por edhe bashkëpronari tjetër Fitim Gërxhalliu, që ishte një mik i familjes Berisha dhe rrinte i shoqëruar nga Shkëlzeni 17 vjeçar në atë kohë (edhe nga kunati i Berishës Agim Rama, bile unë kam thënë që në pritjen që jepte presidenti Berisha në Pallatin e Brigadave me rastin e 28 Nëntorit 1996, ishte i ftuar edhe Fitim Gërxhalliu. Ky gjithë kohën në shoqërinë e Zenit, ku djali na kishte veshur edhe xhaketë, si duket ngaqë kishte filluar të merrej me punë “serioze” siç është ajo e lekëve). Duke patur parasysh edhe përgjigjen e Milosheviçit, lidhjet e pronarëve të kësaj firme me UDB dhe lidhjet e gjakut të familjes Berisha me Serbinë dhe lidhjet me këtë firmë…. atëherë të gjitha këto dalin te fakti që:

Një pjesë e këtyre milionave janë investuar në këtë firmë piramidale për t’i tërhequr të shumëfishuara me paratë e investuara të djersës së shqiptarëve të varfër; fukarenjve që investuan në këto firma pas reklamës e mbështetjes që iu bë këtyre firmave nga vetë Berisha e PD.

-Ke ndonjë episod, fakt që e mbështet këtë?

Në fund të shkurtit 1997 pas një udhëtimi të fshehtë të Shkëlzenit nën shoqërinë e Gani Dizdarit, zëvendës prokuror i Përgjithshëm, mik i Berishës, dhe një person që vinte nga një familje që kishte patur lidhje të dyfishta me Sigurimin e Shtetit dhe UDB, shkuan në Vlorë dhe tërhoqën gjithë dokumentacionin dhe shuma parash të firmës Gjallica. Kjo është një e dhënë e saktë. Kjo tregon se u bë për të fshehur lidhjet e investimet e familjes Berisha në këtë firmë me paratë e ardhura nga Serbia, me qëllim destabilizimin e Shqipërisë.

Menu Title