.
×

Çfarë shkruan mediat bullgare për përplasjet e Borisovit me Daçiqin për Kosovën



Mediat bullgare gjatë ditës së djeshme kishin raportuar për përplasjet mes kryeministrit bullgar, Boyko Borisov, me ministrin e punëve të jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq. Të dy këta politikanë të njohur të Ballkanit, u përplasën për çështjen e Kosovës.

I pari që e kishte nisur, ishte kryeministri bullgar, i cili kur u pyet për kandidatin e postit të Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Josep Borrell, ai tha ndër tjera “… me gjithë respektin, por nëse ai zgjidhet, Spanja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, dhe ai duhet ta mbajë qëndrimin e Bashkimit Evropian e jo qëndrimin e Spanjës”.

Pas kësaj kishte reaguar edhe ministri i punëve të jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili kishte thënë “Boyko, më lër të të them ty se Bashkimi Evropian nuk e njeh Kosovën shtet të pavarur. Ti, Boyko, duhet ta respektosh këtë fakt, dhe jo t’i japësh mësime Borrellit”.

Televizioni shtetëror serb, BNT, raportoi se Ministrja e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, e kishte thirrur ambasadorin serb në Sofje për raportim mbi deklaratat e shefit të tij.

Ky televizion rikujton se nga 27 shtete të BE-së, 23 e kanë njohur Kosovën, dhe ndër ta është edhe Bullgaria. E kjo mund të ndikojë edhe në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Bullgarisë. Në këtë rast, edhe pse Bullgaria e mbështetë Serbinë në rrugën e saj të integrimit, por duhet të jenë të kujdesshëm me deklarata të tilla.

Ndërsa gazeta Dnevnik, duke e cituar ministren e punëve të jashtme Zaharieva, kanë shkruar se Daçiq “nuk do të ishte keq të kërkonte falje”.