.
×

Çfarë mendon kryeministri Rama për rrahjen në Kuvend?



 

ArmandShkullaku

 

Shkruan Armand Shkullaku

Edi Ramës do t’i pëlqente t’i nxirrte gështenjat me duart e të tjerëve. I ndodhur nën presionin e opozitës, opinionit publik dhe ndërkombëtarëve për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Kuvendin e Shqipërisë, atij duket se i ka ardhur si “dhuratë” nga qielli hetimi që sapo ka nisur prokuroria. I fshehur si struci, ai i ka bërë dalje tashmë kësaj çështjeje të ndjeshme, duke dashur të dalë i larë si me të vetët ashtu dhe me qytetarët. Pas lajmit se prokuroria ka marrë të pandehur dy deputetët Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu për dhunën e ushtruar ndaj deputetit të PD, Gent Strazimiri, kryeministri Rama doli me një qëndrim publik tepër të paqartë, por që qartësonte më së miri mungesën e tij të kurajës për të marrë përgjegjësi.

Rama deklaroi se nuk do të ndërhynte në punën e prokurorisë, duke u çuar kështu mesazh indirekt dy deputetëve se kjo çështje ishte përtej mundësive të tij. Nëse nesër Gjykata e Lartë i shpall fajtorë Ndokën dhe Ndreun (pavarësisht masës së dënimit), ata janë të detyruar të lënë mandatin e deputetit. Kryeministri jo vetëm i nxjerr, por edhe i qëron kështu gështenjat pa i dëmtuar gishtat e tij. Shmang një problem vërtet serioz që e njollos mazhorancën e tij, por duke shmangur njëkohësisht edhe përgjegjësinë e tij. Por tingëllon absurde që një kryeministër flet njëlloj si Barroso për mosndërhyrje në punët e drejtësisë dhe nuk mban asnjë qëndrim politik për atë çfarë ka ndodhur. Mirë gjykata mund t’i dënojë ose jo ligjërisht këta deputetë, po vetë Edi Rama a e dënon politikisht aktin e tyre? A duhet të jenë ata pjesë e grupit të PS pas asaj që kryeministri ka parë në video, me zë dhe me figurë? A ka një fjalë për t’u thënë qytetarëve në këtë rast një njeri, që vetë i ka përjetuar grushtat e dhëmbët e thyer?

Çdo kryeministër apo lider partiak në botë do të kishte patur një qëndrim të qartë për vetë rastin e pastaj mund të komentonte marrëdhëniet e qeverive me drejtësinë. Por Edi Rama nuk flet për deputetët e tij dhe merret me prokurorinë sepse me ndërgjegje nuk do të përballet me atë çka ka gatuar dhe frymëzuar vetë. Kryeministri ka guxim të shembë ndërtime me leje e pa leje, të mbyllë e të sekuestrojë biznese, ta përdorë policinë vend e pavend sepse mburojë ka shtetin. E me forcën e shtetit vështirë të përballet kush. Ndërsa nëse do të dënonte aktin e shfaqur publikisht të dy deputetëve të tij, kryeministrit do t’i duhej të përballej sy më sy, personalisht, me të zgjedhurit prej tij. Edi Ramës nuk i pëlqejnë ballafaqime të tilla me njerëz, të cilët i mban afër kur i duhen për vota dhe pastaj “ia lë drejtësisë” kur nuk i duhen më apo i sjellin telashe. Dënimi i aktit të dhunës nga kryeministri do të ishte ndëshkim edhe për atë vetë që ka ngjizur një grup parlamentar sipas interesave të momentin dhe jo sipas një vizioni afatgjatë politik. Do të ishte gjithashtu edhe një shenjë dobësie përpara të vetëve, që nesër do të mendoheshin mirë të bënin diçka në emër të tij.

Shumëkush mund të habitet se si një kryeministër që bën gjithë ditën ciu- ciu në Twitter, hesht për një ngjarje të tillë. E kjo heshtje nuk shpjegohet vetëm me mungesën e kurajës. A mundet Edi Rama t’i përjashtojë apo dënojë politikisht deputetët e tij, kur vetë i frymëzon, me zë dhe me figurë, për akte të tilla? Kërcënimet për opozitën, sharjet banale pas shpinës së kundërshtarit, gjuha e urrejtjes apo miratimi në heshtje i akteve të tjera të dhunës që kanë ndodhur, janë shembulli që vetë kryeministri i jep grupit të tij. Rama nuk do të marrë përgjegjësi as në raport me dy deputetët e tij, as me modelin që ka ndërtuar dhe as me publikun.

Ky bishtnim që kryeministri u bën përgjegjësive të veta, e bën të duket idiote edhe deklaratën e tij për marrjen të pandehur nga prokuroria të dy deputetëve socialistë. Thotë se nuk do ta pengojë prokurorinë dhe pastaj e akuzon atë se po vepron në mënyrë të njëanshme. Se nuk ka bërë gjë kur kanë ndodhur “rrahje masive me pasojë jo thjesht skuqjen e pjesëve lakuriqe të kokës, po përgjakjen e shumë njerëzve”. Është një deklaratë që nxjerr në pah pikërisht mekanizmin e Ramës për t’u përballur me problemet. Nuk guxon të dënojë politikisht të vetët dhe ndjen lehtësim që këtë po e bën drejtësia. Nuk do të marrë përgjegjësi për modelin që ka krijuar dhe merret me qeverinë e kaluar. Nuk do të duket i dobët dhe sulmon prokurorinë. E megjithë këtë kombinacion që vetëm ai di ta mbajë në këmbë, pyetja përsëri mbetet: Çfarë mendon kryeministri pas videos që u shfaq për rrahjen në Kuvend?