.
×

Byrek me shampanjë – mediat serbe tallen me shpenzimet e Kryeministrit të Kosovës



Qeveria Haradinaj apo ndryshe Qeveria e luksit dhe sefas, ka pasur numrin më të madh të këshilltarëve ndonjëherë, 41 prej tyre këshilluan Ramush Haradinajn, e ku këto këshilla i kushtuan buxhetit të shtetit me shumën prej 966.307.34 euro.

Mëditje, akomodime në hotele, udhëtime të shtrenjta me avionë, darka e birra të shtrenjta paguan këta 41 këshilltarë të Ramush Haradinajt me para të taksapaguesve kosovarë.

Nga kjo shumë, 1 mijë euro i ka kushtuar buxhetit të shtetit një ditë pune e Qeverisë së Ramush Haradinaj dhe 41 këshilltarëve të tij.

E këto shpenzime të mëdha të kabinetit qeveritar të Haradinajt dhe vet kryeministrit në detyrë, kanë bërë jehonë edhe në mediet serbe.

Ato kanë shkruar se si është e mundur që Ramush Haradinaj ka bërë harxhime ekstravagante nga buxheti i shtetit në darka luksoze, pije, mëditje, bileta udhëtimi dhe akomodime në hotele të shtrenjta.

Deklaratën e Haradinajt e dhënë për mediumet kosovare se “Nuk kam harxhuar asnjë cent të shtetit të Kosovës për ushqim për vete, e ha drekën në zyre, burek apo diçka tjetër”, mediet serbe e kanë shfrytëzuar për tallje dhe ironizim.

“Një javë pas formimit të qeverisë me 9 shtator të 2017, si duket Haradinaj burekin e hante me shampanjë” shkruan N1, duke ju referuar shpenzimeve të Haradinajt ku në zyre kishte porositur 4 shampanje, në vlerë të 200 eurove, 50 për copë, shkruan Metro.