.
×

Burim Ugzmajli:Arsimi !



Sa  përpiqemi të studiojmë dhe të marrim njohuri për shkencën, aq do të kemi edhe rezultate.

Në shtetin tonë, sa i përket kuadrove të kualifikuara, tash kemi mjaftueshëm, por për të pasur sukses duhet një politikë afatgjate, strategji nga Ministria e Arsimit, pasi që mësimdhënësit kanë nevojë të madhe profesionale për trajnime dhe këto trajnime duhet të jenë pothuajse pa ndërprerje gjatë gjithë karrierës arsimore të mësimdhënies. Po ashtu Ministria e Arsimit duhet të përgatisë kuadro  trajnerëve, të cilët duhet të jenë të përgatitur , sepse shpesh edhe trajnerët   nuk kanë njohuri të bollshme në fushën e caktuar.

Për më tepër,  përzgjedhja e tyre nuk bëhet nga aspekti meritor  dhe me konkurs të drejtë dhe të hapur, ose me provim pranues për trajner,  por bëhet vetëm formalisht.

Mungesa e trajnimeve  të përshtatshme për mesimdhënie dhe mësimnxënie krijon problem dhe joefikasitet në punën e mësimdhënësit, meqë trajnimet janë të domosdoshme të ndiqen nga mësimdhënësit, por edhe nga drejtorët e shkollave, sepse  trajnimet sjellin një vizion  të freskët  në qasjen e mësimdhënies dhe mësimnxënies. Mësimdhënësit janë të përgatitur si kurrë më parë, por vetëm duhet një strategji për trajnime të qarta, të dobishme dhe me kritere të caktuara.

MASHT-i duhet të përgatitë strategji edhe për arsimin profesional pasi që tregu i punës ka dhe do ketë nevojë shumë për profesionistë të fushave të ndryshme.  Një nxënës i përgatitur mirë në fushën e vetë profesionale, e ka prespektivën të punojë dhe të zhvillojë projekte që ofrojnë  vende të reja të punës.

E gjithë strategjia zhvillimore në fushën e arsimit varet nga MASHT-i.

Strategjia duhet të përgatitet duke  pasur parasysh  që të kemi kuadro të përgatitura për avancimin e strategjisë, pasi që ne duhet t’i përmbushim rezultatet e pritshme dhe të synuara.

Çdo plan apo strategji duhet të ketë zbatuesin, monitoruesin edhe të vlerësohen të arriturat  dhe të gjitha projektet duhet të ndiqen deri në fund nga të gjithë aktorët në fushën e arsimit, sepse në shumicën e rasteve po ka ndërprerje të projekteve, rrjedhimisht edhe ngecje në zhvillim dhe përmirësim. Sidoqoftë, mendoj që  kemi kuadro që janë për lakmi,  të përgatitur dhe shumë profesional.

 

Autori

Burim Ugzmajli

Master i Politikave të BE-së