.
×

Burim Ramadani: Letër mikut tim, Bardhyl Meta- Rrëfimi Juaj i vërtetë – pas pak kohe



Në një shkrim me titull” Rreth spekulimit se marrëveshja mes LDK-së dhe PDK-së, ishte arritur më herët!”, Bardhyl Meta shkruan se LDK i ka kërkuar Bllokut që kësaj partie t’i takojë posti i Kryeministrit brenda koalicionit.

Atij i është përgjigjur Burim Ramadani nga AAK, duke thënë se kjo është një tendencë e LDK’së për shfajësim, pas veprimeve të fundit politike.

Në një shkrim me titull: “Letër mikut tim, Bardhyl Meta- Rrëfimi Juaj i vërtetë – pas pak kohe”, Ramadani shkruan se nuk e kupton përse LDK kërkon të shfajësohet pas veprimeve të saj politike. Më tutje, Ramadani përmend një sërë çështjesh që e presin LDK’në, siç thotë ai, në qeverisje me “Njëshin” dhe “Dyshin” e PDK’së.

 

Shkrimi i plotë i Ramadanit:

Letër mikut tim, Bardhyl Meta

Rrëfimi Juaj i vërtetë – pas pak kohe

E kam të qartë. Është tendencë shfajësimi. Të paktën, kështu po e kuptoj unë. Por, nuk e kuptoj pse ju nevojitet kjo? As ty personalisht, as partisë suaj – LDK. Përse shfajësoheni?
Zakonisht, për veprimet që dikush ndërmerr në gjendje të vetëdijshme, nuk shfajësohet. Arsyetimin e një vendimi nuk e keni të domosdoshme ta ktheni në shfajësim. Apo jo?
S’po them, assesi, se LDK-ja po vajton. Nuk e di për elektoratin (kjo është çështje që matet më vonë), por gjë që shihet se zyrtarët e lartë të LDK-së nuk po vajtojnë. Dhe, nuk kanë nevojë.
Po presin të bëhen ministra, zëvendësministra, drejtorë, këshilltarë, asistentë, shoferë, profesorë, punëtorë bankash, të regjistrohen nëpër universitete publike, të fitojnë tenderë, etj etj.
Mund të thuash se nëse janë zyrtarë të lartë, çka i duhet të punësohen si asistentë apo shoferë? Eh, kështu besoj se do ta keni. Fatkeqësisht!
Edhe ministrat e zëvendësministrat nga LDK-ja (lutem ta kem gabim!) do të jenë asistentë dhe shoferë të kolegëve të tyre nga PDK-ja. Të Shefit apo Zëvendës-Shefit! Tashmë, 1-shi dhe 2-shi janë edhe tuajt, apo jo?
Apo nuk kishte ndodhur kështu gjatë qeverisjes suaj të përbashkët 2008-2010? Normalisht, me disa përjashtime. Asnjëherë dhe assesi nuk pranoj të përgjithësoj. Këtu besoj jemi të qartë.
Tash, jemi ku jemi. Dhe, mbetemi miq. Sepse, miqësia jonë nuk ka qenë partiake. Të paktën, kemi ndarë bindje të përbashkëta, ideale të përbashkëta, planet të përbashkëta.
Për çka? Mbi të gjitha, për qeverisje të mirë, sundim të ligjit dhe zhvillim ekonomik. Apo jo?
Dhe, këtu tashmë po na ndahen rrugët, Bardhyl. Po mendoj në rrugët politike, jo miqësinë personale. Assesi.
Përveç një mundësie: nëse që nga ditët e para të qeverisjes suaj, të na vërtetoni se nuk keni ndryshuar bindjet, idealin dhe planet.
Për shembull, cilat do të jenë veprimet e para EMERGJENTE të Kryeministrit tuaj? Normalisht, nëse ky do të jetë Isa Mustafa! Për të tjerët, refuzoj të flas, tash për tash!
Ja pak pyetje:
1. A do të anuloni të gjitha vendimet që Qeveria në Detyrë ka marrë që nga 9 qershori e këndej? Apo, ato do të vlejnë dhe ju do t’i bindeni atyre?
2. A do të anuloni vazhdimin e paligjshëm të mandatit të Sekretarëve Permanent nëpër Ministri të ndryshme dhe të Kryeshefave Ekzekutiv në Agjenci të ndryshme të pavarura?
3. A do të shpallni të anuluar vendimin e Qeverisë në Detyrë për Projekt-Buxhetin 2015? Apo, do të vazhdoni për hir të proceseve në Kosovë?
4. A do të ktheni në Kosovë të gjithë ata që u emëruan në nivele Ambasadorësh dhe dhjetëra të tjerëve që u vendosen nëpër Ambasadat e Kosovës nëpër vende të ndryshme, e që deri në ditën e emërimit ishin të emëruar politik dhe militant partiak të partnerit tuaj të tashëm? Apo, edhe kjo për hir të proceseve?
5. A do të anuloni vendimin e partnerit tuaj në lidhje me pagesat, që realisht ka sjellë në situatë të afërt për të kolapsuar Universitetin e Prishtinës, vendim ky që ishte pjesë e fushatës dhe që ju më së shumti e keni kritikuar?
6. A do të anuloni konkursin e Policisë së Kosovës, i cili është mbajtur pas zgjedhjeve dhe për të cilin LDK-ja pati ngritur dyshime për keqpërdorime? Kjo ka qenë një kërkesë e zëshme e zyrtarëve të LDK-së!
7. A do të angazhoni Auditor të Pavarur për të gjithë institucionet qeveritare? (sikurse ka përvoja në shtete të ndryshme).

Nuk janë shumë pyetje! Do të mund t’ju numëroja nja 100 të tilla. Pra, vetëm për çështje emergjente. S’po flas për qasjen zhvillimore. Atë do ta debatojmë pasi ta bëni programin qeverisës, që nuk e di si do të mund ta titulloni, përveç:
“Vetëm ne mundemi nër’ Misionin e Ri!”.

Pra, miku im Bardhyl, rrëfimi juaj (LDK-së) do të jetë më i vërtetë pas pak kohe. Në fakt, rrëfimi juaj do të del i plotë qysh në ditën dhe vendimet e para të Qeverisë suaj! Prapë po them, nëse dhe vetëm nëse Isa Mustafa do të jetë Kryeministër. Nëse jo, atëherë rrëfimi Juaj është i pavlefshëm në realitet. Ai rrëfim mund të jetë vetëm “Dashuria për Misionin e Ri”, asgjë më pak dhe asgjë më shumë.

Dhe, për pak harrova:

Po befasohem për të mirë se si LDK-ja po reagon në mënyrë kaq të shpejtë qoftë ndaj deklaratave të ish-partnerëve të Koalicionit të Madh, qoftë lajmeve nëpër media e portale. Partitë serioze sqarojnë të gjitha, asgjë nuk lënë në mjegull.
Por, po befasohem për të keq se si asnjëherë nuk komentuat (lexo: nuk demantuat) deklaratën e Rrustem Mustafës së PDK-së që tha se “në pesë javët e fundit unë kam pasur kontakte intensive me Kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa”. Dhe, këtë e përsëriti disa herë, për dy ditë rresht. E ju, nuk bëtë zë fare. Hmmm….

Miqësisht,

Burim Ramadani
23 nëntor 2014