.
×

Burg me kusht për eurot që i mori në postë e i shpenzoi në kazino



Me shtatë muaj burg me kusht është dënuar sot Luan Kleçka, i akuzuar për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Gjakovë, Kleçka duhet të mos kryejë vepra të tjera penale në periudhën prej dy vjetësh nëse nuk dëshiron që dënimin e shqiptuar ta vuajë prapa grilave.

Kleçka akuzohej nga Prokuroria Themelore e Gjakovës se në cilësinë e punëtorit të sigurimit nga sporteli i Postës së Kosovës, dega në Rahovec, kishte marrë zarfin me para në shumë prej 465.17 euro.
Sipas aktakuzës, pastaj i akuzuari kishte shkuar në kazino duke i shfrytëzuar të hollat që gjendeshin në zarf në lojërat e fatit.

Po ashtu, Gjykata të akuzuarin e ka obliguar që të dëmtuarës, Postës së Kosovës, t’ia kompensojë shumën prej 465.17 euro në afat prej 30 ditësh, në të kundërtën dënimi i kushtëzuar do të shndërrohet në dënim me burg.

Paraprakisht i akuzuari kishte pranuar fajësinë para Gjykatës, duke deklaruar se këtë veprim e kishte bërë duke qenë nën ndikim të alkoolit.

Sipas aktakuzës, rasti ka ndodhur më 24.07.2017 rreth orës 22:30.

I pandehuri Luan Kleçka, sipas aktakuzës, në cilësinë e punëtorit të sigurimit në PTK, dega në Rahovec, nga sporteli i punëtores Jasmina Jaha ka marrë një zarf të mbyllur, në të cilin ishte pazari ditor në shumë prej 465.17 euro, dhe me të njëjtin ka dalë nga objekti i PTK-së, e prej andej menjëherë shkon në një lokal të kazinos ku i shfrytëzon të hollat për të lozur në aparatin e lojërave të fatit.

“Me këtë veprim ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës.