.
×

Bullgaria dëbon dy diplomatë rusë, dyshoheshin për spiunazh



Bullgaria ka vendosur t’i dëbojë nga vendi dy diplomatë rusë, të cilët janë akuzuar për përfshirje në spiunazh. Emrat e tyre nuk janë bërë të ditur. Ministria e Jashtme e Bullgarisë njoftoi se e ka thirrur në raportim ambasadorin rus dhe ia ka dorëzuar shkresën, me të cilën i ka shpallur “persona non grata” dy diplomatët. Ata i kanë 48 orë afat që të largohen nga Bullgaria.

Në anën tjetër, ambasada ruse tha se dy diplomatët do të largohen nga vendi ballkanik, por këmbënguli se nuk ekzistojnë dëshmi për akuzat me të cilat rëndohen.

Për më tepër, kjo ambasadë tha se Rusia e rezervon të drejtën për të marrë masa reciproke ndaj Bullgarisë pas këtij vendimi.

Autoritetet bullgare e akuzuan njërin prej diplomatëve rus se ka mbledhur të dhëna për procesin e zgjedhjeve, ndërsa tjetrin për spiunazh në sektorin e energjisë, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.

Bullgaria, aleate besnike e Rusisë gjatë periudhës komuniste, u bë anëtare e NATO-s në vitin 2004 dhe pjesë e Bashkimit Evropian në vitin 2007.