.
×

“Britma e gruas” kërkon lidhjen e letërsisë me lexuesin



Seleksionimi që i bëhet letërsisë së femrave konsiderohet si i padrejtë. Po ashtu edhe portretizimi i tyre si objekt. Nuk ka kritike letrare dhe politika është e përfshirë në çdo aspekt. Këto kanë qenë tri nga disa çështjet që u trajtuan të enjten në edicionin e pestë të “Britma e gruas”, që organizohet në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë të lëvizjes “Woman Poets International”. Tema e sivjetme ka qenë “Gratë e dritës”.

Në sallën Qendrës Informative Kulturore të BE-së, në mesin e poeteve dhe poetëve u debatua për gjendjen e letërsisë në vend. Nisi me një pikë baleti nga balerinat e vogla të studios “Mjellmat”.

Afërdita Saraçini me këtë rast ka thënë se në Kosovë nuk ka kritikë letrare. Ajo ka kritikuar edhe shoqërinë për mosinteresim ndaj letërsisë.

“Ajo që më pengon është se edhe ata që janë aktivë nuk tregojnë rëndësi për atë që prodhohet. Nuk kemi kritikë letrare. Jetojmë në një shoqëri që po konsolidohet. Jemi në një fazë të vështirë. Garë e fuqishme për promovim të produkteve të ndryshme”, ka thënë Saraçini.

Poetja dhe sociologia Sibel Halimi ka thënës se derisa gruaja të shihet si grua, nënë, mike, nuk është bërë asgjë. Sipas saj, gruaja duhet të shihet si subjekt dhe jo domosdo duke e karakterizuar në një rol të cilin ajo do të duhej ta kishte.

“Prandaj edhe në poezitë e mia gjatë gjithë kohës kam bërë përpjekje që mesazhi të jetë i fuqishëm, të jetë një britmë, një revoltë në kuptimin që ne si krijuese kur t’i rrisim fëmijët tanë të kenë një dhomë më vete. Thjesht ta dëgjojnë veten se çfarë afiniteti kanë”, ka thënë Halimi. Sipas saj, një prej faktorëve që po ndikon në ngecje dhe diskriminim në letërsi është politika.

Politikën si problem e sheh edhe poetja Qibrije Demiri. Ajo ka fajësuar edhe vetë femrat për viktimizim. Sipas saj, një tjetër çështje me rëndësi në këtë aspekt është edhe qasja ndaj librit.

“Ne ende nuk kemi një popullsi të kultivuar sa i përket qasjes ndaj librit. Politika e ka bërë të veten. Pak sheh fytyra të kulturës dhe të artit. Plasohen pseudovlerat dhe në një mënyrë lexuesi është anashkaluar”, ka thënë Demiri. Sipas saj, librit nuk po i bëhet reklama e duhur. “Nuk merret kritika me librin. Pothuajse çdo gjë me vlerë kalon në heshtje. Nëse nuk krijojmë lexues që nga fëmijëria, mendoj se do të na kushtojë”, ka shtuar ajo.

Për këtë studiuesi Ndue Ukaj ka thënë se duhet që të gjendet një strategji që të joshet lexuesi. Ndërsa nuk beson se ka ndasi mbi premisa gjinore.

“Lexuesi teksa lexon një libër duhet të joshet, të gjejë kënaqësi dhe dimension intelektual. Letërsia duhet t’i plotësojë këto gjëra. Tash në këtë avarinë tonë shoqërore, ku politika ka qepë çdo gjë, ne nuk mundemi të kërkojmë e as të krijojmë rend kulturor. Është një iluzion përtej mundësive” , ka thënë Ukaj.

Ky takim ka qenë i mirëseardhur nga poeti Fahredin Shehu. Ai ka thënë se në këso formash mund të luftohen paragjykimet dhe ndasitë gjinore.

“Përkrahja që na mungon është pikërisht kjo mbledhje, ky ballafaqimi ynë me tjetrën, me të ndryshmen. A u pëlqyem ne apo jo si gjini, si racë, si gjak, nuk ka rëndësi”, ka thënë Uka.

Krejt në fund, poetët dhe poetet lexuan para të pranishmëve nga një poezi të cilën e kishin zgjedhur për të shënuar këtë aktivitet.