[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Brenda një kohe të shkurtër Specialja ftoi dy prej funksionarëve më të lartë të shtetit



Brenda një periudhe të shkurtër kohore, Gjykata Speciale ka ftuar dy prej udhëheqësve më të lartë të shtetit të Kosovës. Më 19 korrik, ish-komandanti i Zonës së Dukagjinit, Ramush Haradinaj, kishte dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit pas ftesës që kishte marrë për intervistim në Hagë.

Ditë më parë organizata e veteranëve paralajmëroi arrestime të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, ndërsa Veseli ftesën e bëri publike në ditën kur KQZ-ja shpalli rezultatet e zgjedhjeve, shkruan Gazeta Express.

Tre muaj pas, ftesa nga Dhomat e Specializuara i ka mbërritur edhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe ish-shefit të SHIK-ut, Kadri Veselit.

Kjo ftesë nga Specialja, Veselin e ka gjetur në detyrën e kryekuvendarit të Kosovës që do ta lë së shpejti pasi që partia e tij ka humbur në zgjedhjet e 6 tetorit dhe do të bëjë opozitën në mandatin e ardhshëm.

Veseli sot në një konferencë për media nga holli i Kuvendit të Republikës së Kosovës ka konfirmuar se është ftuar nga Specialja dhe se një ftese të tillë do t’i përgjigjet më 4 dhjetor të këtij viti, megjithatë nuk ka specifikuar se në çfarë cilësie është ftuar.

Haradinaj e Veseli janë vetëm dy prej qindra emrave të ish-ushtarëve të UÇK-së, që ka ftuar Specialja gjatë këtij viti.

Në ditën kur ishte votuar Specialja, Kadri Veseli, në cilësinë e kryetarit të Kuvendit, kishte bërë thirrje për deputetët që të votojnë pro-themelimit, duke thënë se një gjykatë e tillë do të jetë në të mirën e Kosovës.

“Do ta votojmë se është në të mirën e vendit tonë”, kishte thënë Veseli nga foltorja e Kuvendit më 3 gusht të vitit 2015.

E në fjalim e sipër kishte thënë se nuk beson që Gjykata Speciale ka ardhur nga Beogradi.

“Gjykata Speciale kurrë nuk besoj që ka ardhë prej Beogradi”, kishte potencuar Veseli.

Më 3 gusht të vitit 2015, deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim i kishin dhënë dritën jeshile themelimit të Dhomave të Posaçme, duke miratuar kështu ndryshimet kushtetuese të kërkuara nga bashkësia ndërkombëtare. Në momentin e votimit në seancë kishin qenë të pranishëm 117 deputetë.

Miratimi i këtyre ndryshimeve kishte ardhur pas një dite të rëndë debatesh ndërmjet deputetëve të koalicionit qeveritar dhe atyre të opozitës, në shumë raste edhe me fjalët më banale.

Menu Title