.
×

Botohet libri për jetën, veprën dhe atentatin ndaj kolonel Ahmet Krasniqit



Parathënje nga autori Rifat Haxhiu – Viti 1998 dhe gjithçka që ndodhi në Kosovë e rreth saj, do të duhej të analizohet nga historianët dhe analistët për një kohë të gjatë, me vëmendje dhe përkushtim të veçantë. Ishte ky vit që ndërroi shumë gjëra në jetën e kosovarëve dhe shqiptarëve në përgjithësi. Është vështirë të thuhet nëse ishte ky vit, një vit i sukseseve apo i disfa-tave në planin kombëtar e ndërkombëtar. Në këtë libër flitet për vullnetin, mundësinë reale dhe punën e bërë nga liderët Kosovarë gjatë këtij viti. Me një rrjedhë kronologjike përfshihen disa ngjarje të rëndësish-me rreth Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Koso-vës, që nga mbledhja e ushtarakëve kosovarë në Cyrih të Zvicrës e deri disa javë pas atentatit ndaj ministrit kosovar të Mbrojtjes, Ahmet Krasniqit. Libri është një udhëpër-shkrim i veprimtarisë së disa prej ushtarakëve që ishin të angazhuar në mënyrë direkte në njësitë e UÇK-së dhe njëherazi në udhëheqje të kësaj ministrie. Libri bazohet në argumente, dokumente dhe dëshmi të personave që ishin të angazhuar drejtpërsëdrejti, qoftë në radhët e politika-nëve qoftë në radhët e ushtarakëve dhe të luftëtarëve. Dokumentet dhe shkrimet në këtë libër janë origjinale dhe përdoren me lejen e autorëve për botim. Pjesa dërmuese e emrave në libër janë të vërtetë. Për arsye objektive dhe me kërkesë të disa prej ushtarakëve, emrat e një numri të vogël janë ndryshuar dhe në vend të tyre janë përdorur pseudonimet. Ushtarakët kosovarë që kishin braktisur ushtrinë jugo-sllave dhe Kosovën që nga viti 1991 mezi pritën të përfshiheshin në njësitë e UÇK-së në Kosovë dhe të jepnin kontributin e tyre konkret. Pas shtatë vjetësh pritjeje, koha erdhi. Shumica e tyre në mënyrë të organizuar u nisën drejt Kosovës. Dëshpërimi i tyre filloi që nga takimi i parë me zyrtarët shqiptarë në aeroportin e Tiranës, sido-mos nga arroganca e tyre. Disa nga kosovarët Shqipërinë e kishin parë vetëm nëpërmjet televizorit dhe e imagji-nonin krejtësisht ndryshe, më të rregulluar e më të pastër, diçka krejtësisht ideale. Gjithashtu, para luftës, ushtarakët kosovarë si edhe popullata atje, ishin të sigurtë se në rast lufte mes Kosovës dhe Serbisë, Shqipëria do të jepte një kontribut të madh. Kur ata e panë realitetin në Shqipëri u trishtuan dhe krijuan bindje se nëse Kosova një ditë do të çlirohej me forcat e veta, ajo do të mund ta ndihmonte Shqipërinë për ta rikthyer dinjitetin e saj të humbur. Mjerisht, nuk ishte vetëm mosndihma e Shqipërisë që ndikoi në rrjedhat e luftës në Kosovë. Ishte edhe pasiviteti i organeve të zgjedhura kosovare dhe rivalitetet në mes të fraksioneve në luftë. Në njërën anë partitë politike në Shqipëri, si duket, kishin për qëllim vetëm ruajtjen e pushtetit, kurse me kosovarët ata mbanin kontakte formale duke përkrahur vetëm atë parti, programi i të cilës ishte i afërt me to. Në anën tjetër organet e atëhershme shqiptare nuk komunikonin në nivel zyrtar me ato kosovare. Në këto kushte të vështira UÇK-ja në Kosovë e mbante barrën më të madhe të luftës. Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës mun-dohej në mënyrë indirekte dhe direkte që të përfshihej në të. Aktiviteti i saj në Shqipëri ishte i kufizuar dhe i pen-guar nga shteti shqiptar, por edhe nga vetë Qeveria koso-vare. Kishte konfuzion shumë të madh dhe krijohej për-shtypja që secili ishte kundër secilit. Në kushte të tilla koordinimi i operacioneve në mes njësive të UÇK-së po-thuajse nuk ekzistonte. Pak kush u përmbahej rregullave luftarake që njihnin doktrinat dhe strategjitë bashkëkohore në botë. Në libër flitet edhe për kapacitetin real të bashkëpunëtorëve dhe anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, mundësitë, planet dhe dëshirat e tyre. Për njerëzit që kanë dy fije mend vrasja e një Ministri kosovar në kryeqytetin e Shqipërisë me siguri se do të du-ket absurde. Vrasja bëhet edhe më e rëndë kur dihet se askush nuk u largua apo nuk u vu para përgjegjësisë, as nga qeveria kosovare e as nga ajo shqiptare tash e 20 vjet. Mjerisht, u desh që të vritet ministri Krasniqi, që opinioni shqiptar dhe ai i jashtëm të merrte dijeni që Kosova kishte Ministër të Mbrojtjes. Falënderoj shokët, kolegët dhe të gjithë ata që me kon-tributin e tyre konkret qoftë edhe me heshtjen e tyre, ndih-muan në shkrimin e këtij libri. Në veçanti falënderoj Bekimin, Rexhepin, Florimin, Ardin, Nehrun, Tonin dhe të ndjerin Agim Mehmeti. Falënderoj ushtarakët e Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës dhe ushtarakët e Shtabit të Përgjith-shëm të UÇK-së, të cilët ndihmuan në shkrimin e librit, e të cilët dëshirojnë të mbeten anonim.