.
×

Bomba me telekomandë shpërthen makinën, vritet i riu shqiptar (Video)



Një djalë 35 vjeçar humbi jetën në mënyrë të frikshme kur makina e tij shpërtheu në flakë në mes të autostradës, kurse vajza 26 vjeçare që e shoqëronte mori plagë serioze dhe u dërgua në spitalin shtetëror “Jorgos Gjenimatas” të Athinës.
Viktima është V.Grillo, 35 vjeç, emigrant nga Shqipëria. Kurse vajza e plagosur ka djegie në trup dhe kokë në masën 20 për qind.
Policia nuk konfirmoi identitetin e vajzës 26 vjeçare që tha se ishte e dashura e të ndjerit. Ata bashkëjetonin në një banesë në “Shën Dhimitriu” në Athinë.
Hetimet e para flasin për një shpërthim të telekomanduar në distancë. I riu dhe vajza po udhëtonin në drejtim të aeroportit “Elefteros Venizelos” në Athinë, kur befas automjeti i vogël tip Smart shpërtheu si pasojë e një bombe që ishte vënë dhe u komandua në distancë nga persona aktualisht të panjohur.
Dëshmitarët thanë se shpërthimi ishte i fuqishëm dhe ndërsa automjetet ecnin me shpejtësi të lartë, siç shihni dhe pamjet, u krijua një situatë kaotike. I riu, prej disa kohësh punonte në një lokal (club) nate në zonën Vuliagmeni në Glifadha, një ndër lagjet më të pasura të Athinës. Policia tha se nuk kishte asnjë precedent penal për të riun që u vra në mënyrë të frikshme dhe as për vajzën që e shoqëronte. /noa.al/