.
×

Boiken Abazi jep një shpjegim filozofik për tradhtinë në politikë, sqaron kalimin e Bahtirit në VV



Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Boiken Abazi, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, ka thënë se Bahtiri nuk e ka tradhtuar AKR’në por se ka tradhtuar krerët matrapazë të asaj partie. Ai ndër tjera tha se në politikë, të tradhtosh tradhtinë është vlerë dhe emancipim.

“Ata që vinë nga AKR-ja në VETËVENDOSJE! nuk tradhtojnë elektoratin por krerët matrapazë të AKR-së. Në matematikë, shumëzimi i një numri negativ me një numër tjetër negativ jep një numër pozitiv. Në politikë, të tradhtosh tradhtinë është vlerë dhe emancipim!” shkroi Abazi.

Ndër tjera kryetari i degës së Vetëvendosjes në Tiranë, shkroi se AKR’ja kishte tradhtuar elektoratin pasi që në fillim kishte premtuar ta çonte PDK’në në opozitë ndërsa më pas iu bashkua asaj.

“Partia e Behgjet Pacollit (AKR) garoi në zgjedhjet parlamentare 2017 në koalicion me LDK-në, kundër koalicionit PDK-AAK-Nisma (PAN) etj. Pra, votat i mori me premtimin se do çonte PDK-në në opozitë. Më tej, pas zgjedhjeve, AKR-ja u fut në koalicion me PDK, duke hyrë në qeverinë shumëpartiake PAN, e duke e shndërruar këtë të fundit në PANA.” shkroi ai.

Ai shton edhe se nuk mund të konsiderohet tradhëti kalimi nga AKR në Vetëvendosje për shkak se vetë AKR kishte tradhtuar.

“Tash që një ekspontet i AKR-së ka ardhur në VETËVENDOSJE! është hedhur pretendimi se ky i fundit paska vjedhur votat apo tradhtuar. AKR-ja mori mandat nga qytetarët kundër PDK-së, i vodhën ato mandate, e tradhtuan elektoratin, dhe ia çuan votat PAN-it” tha Abazi.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, kaloi të premten nga Aleanca Kosova e Re në Lëvizjen Vetëvendosje.