.
×

Blloku “i frikësuar” dhe Flora Brovina “trimneshë!?  



Me një Bllok “të frikësuar” dhe me një Flora Brovina të “trimëruar” nuk di edhe sa gjatë do të presim krijimin e institucioneve të vendit.

 

Shkruan Bajrush Morina

 

Deputetët e Bllokut LDK Vetëvendosje, AAK dhe Nisma u mblodhën në sallën e Kuvendit të Kosovës por nuk  ndërmorrën asnjë veprim kuvendor për tejkalimin e situatës, përkatësisht për zgjedhjen e organeve të Kuvendit të Kosovës. Liderët e katër partive politike të Kosovës edhe njëherë e akuzuan PDk-në dhe Hashim Thaçin, madje edhe për shpërndarje parash me thes, por asnjëri prej tyre nuk dha ndonjë propozim konkret përveç premtimit se seanca e radhës do të mbahet javën e ardhshme.

Të katër liderët politikë përveç kritikave me fjalë të ashpra që i adresuan PDK-së dhe Thaçit, ata duket sikur ndjeheshin “të frikësuar” për të ndërmarrë veprime të mëtutjeshme. Madje Fatmir Limaj tha se sot “…dikush ka pritur që ne të bëjmë revolucion”, por aq nuk u bë ky “grushtet parlamentar!’

Në fakt, sot ka pritur shumica e populli të Kosovës që të bëhet një veprim parlamentar. Shumica e popullit të Kosovës pop pret tash e 4 muaj që të zgjidhen institucionet e vendit, por kjo pritje duket se do të zgjasë, ndërkohë duket se është ende larg.

Në këtë kuadër, Blloku sot dukej paksa “i frikësuar’ për të vepruar në kuadër të mundësive parlamentare.

Në ndërkohë më duket sikur sot Flora Brovina u “trimërua” edhe më shumë. Ajo edhe sot e demonstroi pushtetin e saj mbi Kuvendin, mori vendim arbitrar për shtyrje të seancës, u kundërshtua nga Blloku dhe me një gjysmë fjale nga presidenca, por ajo nuk luajti vendit. Vendimi i saj u qua në vend, u respektua edhe nga shumica parlamentare edhe nga e para e vendit.

Me një Bllok “të frikësuar” dhe me një Flora Brovina të “trimëruar” nuk di edhe sa gjatë do të presim krijimin e institucioneve të vendit.