.
×

Blerim Shala: Tre skenarë për ngërçin, secili më i keq se tjetri



Situata aktuale politike në Kosovë nuk duket se po shkon drejtë daljes nga hendeku, ku është futur pas zgjedhjeve të 8 qershorit, por po thellohet edhe më tutje.

Nënkryetari i AAK-së, Blerim Shala në një opinion për portalin lajmi.net, vlerson se, aktualisht, duket që janë tre skenarë, secili më i keq se tjetri, të cilët mund të marrin trajtën e rrjedhës konkrete politike në vend, nëse nuk ndodhë mrekullia e zhbërjes së bllokadës totale që është në fuqi.

“I pari flet për vazhdimin e gjendjes së sotme. Në fakt, nuk do të ketë vazhdim të krizës në shkallën e tanishme, por thellim të saj, gjë që do t’i ulë edhe më shumë gjasat për një epilog të mbarë”.

“I dyti thërret si dalje nga kjo situatë organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, ndërsa ato zgjedhje, realisht, do të shënonin hyrjen në fazën më të rrezikshme që prej vitit 2004 e këndej”.

“I treti sërish kapet për atë idenë e një Qeverie më të gjerë, e cila do të duhej të ekzistonte dy vjet a më pak, sa për të tejkaluar këtë gjendjen e mundimshme. Por në fakt, kjo Qeveri do ta kishte rolin e qetësuesit për një pacient thuaja të pashpresë, e jo që do të kontribuonte në përgatitjen e terrenin për ri-organizimin kushtetues dhe ligjor të Kosovës, me synim të shmangies afatgjate të krizave të këtij lloji të cilat kërcënojnë të shtrijnë për toke shtetin e Kosovës”.