[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Bizneset kosovare të frikësuara nga ikja e punëtorëve pas liberalizimit të vizave



Një raport i Odës Ekonomike të Kosovës ka shpërfaqur një shqetësim të bizneseve me një ‘zbrazje’ të mundshme të fuqisë punëtore kosovare pas liberalizimit të vizave për vendin. Ky raport tregoi edhe për rritjen e pakënaqësisë së bizneseve mbi ambientin biznesor në Kosovë

Kryetari i OEK, Berat Rukiqi ka prezantuar rezultatet e indikatorit matës së tendencës në biznes për tremujorin e dytë dhe ka thënë se niveli i kënaqshmërisë së bizneseve në tremujorin e dytë të vitit 2018 ka qenë i ulët.

“Në çdo indikator kemi ulje të kënaqshmërisë së bizneseve. Kemi përkeqësim të gjendjes te bizneset”, ka thënë Rukiqi.

Sektorët që janë përfshirë në këtë studim janë ata që kanë ndikim më të madh në Bruto Produktin e Vendit (GDP)  e vendit.

Sektorët si tregtia me shumicë dhe pakicë, prodhimi (përpunimi i ushqimit; riciklimi, përpunimi i drurit, metaleve dhe materialit ndërtimor), ndërtimtaria dhe shërbimet (transporti, shërbime profesionale dhe hoteleri) .

Tremujori i dytë i këtij viti vlerësohet me gjendje të mirë të biznesit. Edhe pse krahasuar me tre mujorin paraprak, por edhe krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017, niveli i kënaqshmërisë së bizneseve për këtë tremujor ka qenë më i ulët.

“Sektori privat në Kosovë këtë tremujor ka pritshmëri më të ulët për punësim krahasuar me tremujorin paraprak. Respektivisht, 26 për qind e kompanive kosovare presin të rrisin numrin e të punësuarve në tre muajt e ardhshëm. Ndërsa, rreth 8% e kompanive pjesëmarrëse presin të zvogëlojnë numrin e punëtorëve”, thuhet në Indikatorin e prezantuar nga OEK.

Bazuar në statistikat e nxjerra nga Agjencioni i Statistikave në Kosovë (ASK), në këtë tremujor numri i të punësuarve ka rënë në krahasim me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar, respektivisht nga 357.6 në  341.6.

“Që nga tre-mujori i tretë i vitit 2017 e deri tash, 24 mijë e 100 vende të punës më pak, që e vërteton pritjen që e kemi matë ne që bazohet edhe në statistikat e ASK së”, ka deklaruar Rukiqi gjatë prezantimit të Indikatorit.

Pritjet e komunitetit të biznesit kanë rënë sa i përket aktivitetit biznesor në periudhë ciklike gjashtë mujore.

Kjo rënie e pritjeve është reflektuar edhe nga shqetësimet e bizneseve për liberalizimin e vizave të cilët mendojnë se kjo do të shkaktonte ikjen e një numri të madh të punëtorëve.

“Pritjet negative vijnë kryesisht nga sektori i tregtisë me pakicë dhe shumicë, pasuar nga sektori i ndërtimit”, thuhet në rezultatet e Indikatorit.

Indikatori i besueshmërisë ka shënuar rënie thelbësore në këtë tremujor, respektivisht për 13.2 pikë të përqindjes nga 23.1 sa ka qenë në fillim të vitit në 9.9 për qind sa është tash.

“Duke dhënë sinjal të qartë për vështirësitë nëpër të cilat po kalon sektori privat në vend si rezultat i proceseve politike dhe ekonomike nëpër të cilat po kalon vendi ynë dhe njëherit mungesës së një platforme të qëndrueshme për përkrahje të sektorit privat (prodhues veçanërisht)”, vazhdon Indikatori.

Tri barrierat kryesore për bizneset që janë evidentuar tek rezultatet e Indikatorit janë konkurrenca jo lojale, mungesa e mjeteve financiare dhe ekonomia joformale./Bp/

Menu Title