.
×

Bie numri i kërkesave për azil



Botapress 11 Tetor – Numri i kërkesave për azil në shtetet e Bashkimit Evropian (BE) dhe të Zonës Shengen nga ana e kosovarëve ka shënuar rënie që nga viti 2008. Kështu të paktën tregojnë të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), sipas të cilave edhe numri i kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare për herë të parë në shtete të BE-së dhe të Zonës Shengen është zvogëluar rreth 12 herë nga viti 2015 deri në vitin 2017. Ndërkaq, zyrtarë të organizatave joqeveritare dhe sociologë pohojnë se qytetarët e Kosovës vetëm e kanë ndryshuar mënyrën e ikjes, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Kemi bërë punë të mirë në stopimin e fluksit potencial dhe shifrat e azilkërkuesve kanë rënë drastikisht. Nga viti 2015 deri më sot kemi rënie të azilkërkuesve mbi 95%, por ne duhet të punojmë më shumë. Kështu pati deklaruar ditë më parë i pari i Qeverisë, Ramush Haradinaj.

Edhe të dhënat nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) flasin për ulje të numrit të kosovarëve që kërkojnë azil në vendet evropiane. Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), duke u bazuar në të dhënat e viteve të fundit, theksojnë se ka rënie të konsiderueshme të numrit të kërkesave të kosovarëve për mbrojtje ndërkombëtare në shtete të BE-së.

“Gjatë vitit 2017 numri i kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare për herë të parë në shtete të BE-së dhe të Zonës Shengen ishte rreth 5400, ndërsa gjatë vitit 2018 sipas të dhënave të fundit nga EUROSTAT-i numri i tyre është 2865, që përbën një rënie të konsiderueshme e krahasuar me të njëjtën periudhë kohore të vitit 2017”, ka thënë zyrtarja për media në MPB, Rroksana Qarri.

Sipas kësaj Ministrie, duke krahasuar me vitet e mëparshme numri i kërkesave për azil në shtetet e BE-së dhe të Zonës Shengen ka shënuar rënie që nga viti 2008.