.
×

Besa Gaxherri:  JO me PDK-në, Blloku ta gjejë formulën e kompromisit



“Kam qenë një ndër ata zëra që kam menduar se qysh në fillim LDK-së me të gjitha kriteret i ka takuar posti i kryeministrit. Por marrëveshje ka qenë ajo që ka qenë. Marrëveshja e tillë është aprovuar nga të gjitha strukturat e LDK-së. Sot jemi në një situatë të re dhe normalisht edhe AAK-ja dhe çdo subjekt tjetër politik që është në koalicion me LDK-në duhet të reflektoj”, tha deputetja Besa Gaxherri në intervistën për “Botapress”.

  

Lirie Hajdari-Botapress, 19 nëntor

 

Anëtarja e KP të LDK-së, Besa Gaxherri, edhe pse fillimisht ishte shprehur kundër një koalicioni LDK-AAK, sot ajo e konsideron më të arsyeshëm një koalicion të tillë, por me Isën kryeministër, sesa një koalicion me PDK-në. Madje ajo është e bindur se LDK as që duhet ta vë në rend të ditës koalicionin PDK-LDK. Në një intervistë për “Botapress”  deputetja Gaxherri flet për rrjedhën e sotme të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së dhe qëndrimin e saj.

 

 

“Botapress”: Zonja Gaxherri ju jeni anëtare e KP të LDK-së. Cili do të jetë qëndrimi dhe cila do  të jetë vota juaj sot në këtë takim të rëndësishëm, për koalicion me PDK-në, të vazhdoni partneritetin me AAK-në, apo për LDK-në në opozitë?

 

B:Gaxherri: Të jem e sinqertë nuk e di konkretisht rendin e ditës sot, por në bazë të zhvillimeve natyrisht se pritet një opinion nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së. Unë konsideroj se do të diskutohet për marrëveshjen e deritanishme të Bllokut LAN. Nuk jam e njoftuar dhe nuk besoj se do të diskutohet për asnjë lloj koalicioni me PDK-në. Kjo konsideroj se nuk është në rend dite të LDK-së, por do ta shohim se si do të rrjedhin gjërat.

 

“Botapress”: Ju keni qenë vazhdimisht kundër një koalicioni me AAK-në. Por sot a do të votoni për qëndrimin e LDK-së në Bllok, por me Ramushin kryeministër, pasi ai nuk po heq dorë nga ky post?

 

B.Gaxherri: Po kam qenë një ndër ata zëra që kam menduar se qysh në fillim LDK-së me të gjitha kriteret i ka takuar posti i kryeministrit. Por marrëveshje ka qenë ajo që ka qenë. Marrëveshja e tillë është aprovuar nga të gjitha strukturat e LDK-së. Sot jemi në një situatë të re dhe normalisht edhe AAK-ja dhe çdo subjekt tjetër politik që është në koalicion me LDK-në duhet të reflektoj dhe ta di, por unë konsideroj se ka ende hapësirë për të biseduar dhe për t’u marrë vesh, dhe unë  konsideroj se këta liderë nuk kanë hyrë në koalicion për emra të kryeministrit, por kanë hyrë me një parim të cilin e dimë të gjithë, pra largimin e qeverisjes Thaçi. Unë kërkoj nga të gjithë që të thirremi prapë në parimin mbi të cilin e kanë bërë marrëveshjen dhe natyrisht se marrëveshja pastaj ka edhe emra, edhe pozicione dhe për këto çështje liderët duhet të merren vesh.

 

“Botapress”: Por në rast se sot KP duhet të vendos nëse do të qëndroj në Bllok me AAK-në apo të heq dorë dhe t’i drejtohet një koalicioni me PDK-në cila është zgjedhja juaj?

 

B.Gaxherri: Unë personalisht jam aty ku kam qenë deri më sot.

 

“Botapress”: Që i bije?

 

B.Gaxherri:  Po unë jam pajtuar për një koalicion çfarë ka qenë deri më sot dhe dua të shpresoj se ky koalicion duhet të funksionoj përkundër përplasjeve krejtësisht të panevojshme.

 

“Botapress”: A do të thotë kjo se ju po pajtoheni të kemi një qeveri LDK-AAK me Ramushin kryeministër?

 

B.Gaxherri: Jo nuk është e thënë që Ramushi të jetë kryeministër, por unë konsideroj se ky koalicion duhet të funksionoj dhe ta gjejë formulën e kompromisit. LDK ka bërë gjithmonë kompromise jo vetëm në këtë rast, por historikisht. Por edhe partitë tjera duhet të mësohen  të bëjnë kompromise kur është nevoja për to.

 

“Botapress”: A jeni edhe për një kryeministër konsensual?

 

B.Gaxherri: Kjo është hipotetike dhe nuk dua të spekuloj me këto gjera. Ne sot kemi një takim dhe besoj shumë se nga ky takim do të dal diçka më e qartë e pastaj të shohim se cilat janë spekulimet e cila është e vërteta.