.
×

Berisha: Rotary Clubi në Gjilan mbështetës i shëndetësisë gjilanase



Gjilan, 24 tetor / Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Gjilan ka pranuar një donacion simbolik me 21 tension-metra, nga Klubi Rotary në Gjilan, që ndikon në lehtësimin e punës në shëndetësinë primare dhe ndihmën e pacientëve në përgjithësi.

Me këtë rast drejtori i QKMF-së në Gjilan Fejzulla Berisha, ka falënderuar Klubin Rotary për këtë donacion dhe disa donacione të tjera, duke potencuar se kjo është një mbështetje për të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare  në kuadër të QKMF – së.

“Fal bashkëpunimit shumë të mirë me Rotarianët Gjilanas ne sot pranojmë edhe një donacion tjetër, është fjala për 21 tension-metra që normalisht janë shumë të nevojshëm për shërbime të mira shëndetësore. Kisha fatin e madh sepse nga ardhja në pozitën e drejtorit të QKMF – në, nga Rotarianët kemi pranuar një Auto – ambulancë, po ashtu vizitën e mjekëve rotarian Britanez e që kanë shprehur gatishmërinë që të na ndihmojnë me mjete të ndryshme për nevoja të QKMF – së dhe sot po pranojmë donacionin tjetër po ashtu me shumë rëndësi për ne. Bashkëpunimi nga ana jonë me klubin Rotary do të jetë i përhershëm, ngase bashkërisht mund të bëjmë projekte me rëndësi për neve por edhe për shërbimin më efikas për pacient”, ka thënë drejtori Berisha duke shtuar se Klubi Rotary është mik dhe mbështetës i shëndetësisë Gjilanase.

Ndërsa kryetari i Klubit Rotary në Gjilan, Vehbi Salihu ka thënë se është një ditë e madhe për rotarianët e gjithë botës, e poashtu edhe për neve këtu në Gjilan, sepse në 1985 ka filluar edhe lufta kundër sëmundjes më të madhe në historinë e njerëzimit e ajo ishte sëmundja e Polios, andaj në shënim të kësaj dite ne simbolikisht po ndajm sot këtë donacion për QKMF – në.

“Duke e ditur mungesën e aparateve për matjen e tensionit, ne sot kemi vendosur që në shenjë simbolike të bëjmë shpërndarjen e 21 tension-metrave për QKMF – në Gjilanase në shënim të ditës kur ka nisur lufta kundër sëmundjes së polioz. Jemi fatlum që kjo sëmundje ndër më të përhapurat në historinë e njerëzimit sot pothuajse është e zhdukur tërësisht. Bashkëpunimin me QKMF – në do ta vazhdojmë edhe më tutje, sepse interesi ynë është i përbashkët, pra kontributi për të mirën e shoqërisë në përgjithësi”, ka thënë Salihu, duke spikatur se fokusi është i vendosur në shëndetësi, arsim dhe ujësjellës e kanalizime.