.
×

Beogradi alarmon për gjendjen në veri, Prishtina thotë se gjithçka është inskenim



Botapress 26 Qershor – Komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, sipas autoriteteve në Beograd, po i vuajnë deri në përmasat e tragjedisë humanitare pasojat e taksës 100 për qind të vendosur nga Prishtina zyrtare për importet nga Serbia. Por, e gjithë kjo situatë, sipas Qeverisë së Kosovës është një inskenim i Beogradit që vjen si presion dhe përpjekje për pezullimin e vendimit për taksën 100 për qind.

Zbatimi i taksës 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina, nuk ka krijuar krizë humanitare në pjesën veriore të Kosovës, pasi gjitha pikat kufitare në Republikën e Kosovës janë të hapura për qarkullim të mallrave dhe tregtarët lejohen të furnizohen me produkte nga vendet të ndryshme, ka thënë të mërkurën ministri i Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, Endrit Shala. Këto komente ai i bëri në një debat me temën “Efekti i Taksës 100 për qind”, të organizuar nga Kolegji Riinvest.

Shala ka shtuar se taksa 100 për qind e vendosur për mallrat nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina, do të mbetet në fuqi derisa shteti i Serbisë të ndërrojë qasjen karshi shtetit të Kosovës.

“Vetëm në pjesën veriore, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë i ka të angazhuar mbi 30 inspektorë të tregut dhe shumica nga ta janë nga komuniteti serb, të cilët në baza ditore janë duke e përcjell tregun në atë pjesë të Republikës së Kosovës. Dhe nga informatat që kemi nga inspektorët, nuk ka asnjë shqetësim dhe nuk duhet të ketë asnjë shqetësim për mungesë të produkteve ushqimore në atë pjesë të Republikës së Kosovës”, tha ministri Shala.

Ai ka përsëritur qëndrimin e kryeministrit Ramush Haradinaj se Qeveria e Kosovës ka njohuri që në veri të vendit po bëhen përpjekjet për të improvizuar një “krizë humanitare”.Kryeministri Haradinaj ka thënë se “në objekte dhe shtëpi të ndryshme në veri të Kosovës po mbahen produkte të caktuara ushqimore, ndërkohë që shitoret po boshatisen”. Sipas tij, ky skenar do të duhej të aktivizohej të enjten.

Në anën tjetër, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, tha se Qeveria serbe do të përpiqet të bëjë gjithçka që ka në pushtetin e saj, për të “siguruar që mallrat nga Serbia qendrore të arrijnë te të gjithë njerëzit në Kosovë”.Ajo tha se shpreson që bashkësia ndërkombëtare të fillojë t’i kushtojë më shumë vëmendje kësaj çështjeje dhe se përveç thirrjes për heqjen e taksës, të sigurohet qarkullimi i lirë i mallrave.

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se Beogradi do të bëjë çmos që të ndihmojë, siç ka thënë ai, popullatën serbe në veri të Kosovës.“Nuk do të lejojmë që populli ynë të vdes nga uria edhe pse këtë shumëkush do ta dëshironte”, ka thënë Vuçiq, duke shtuar se këtë dëshirë nuk e kanë vetëm udhëheqësit në Prishtinë, por edhe disa nga pjesë të ndryshme të botës, e madje edhe disa nga Serbia qendrore.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në rrjetin social Facebook ka shkruar se institucionet e zbatimit të ligjit kanë ndërmarrë veprime konkrete në parandalimin dhe luftimin e të gjitha aktiviteteve të paligjshme ndërkufitare në zonën e rripit të gjelbër, që kufizon në pjesën veriore Kosovën dhe Serbinë.Ai ka thënë se “asnjë skenar mashtrues ose lajm i rremë nuk do të ndikojë që institucionet kredibile dhe të ligjshme të Kosovës të heqin dorë nga misioni i tyre për zbatimin dhe sigurimin e sundimit të ligjit në të gjitha pjesët e Kosovës, përfshirë zonën e rripit të gjelbër në veri ku edhe kufizohet Republika e Kosovës me Serbi”, ka shkruar Haradinaj.

Duke iu përgjigjur shqetësimeve të zyrtarëve në Beograd për mungesën e gjërave elementare për jetë në komunat veriore, ministri i Tregtisë në Qeverinë e Kosovës, Endrit Shala thotë se nuk do lejohet asnjë qytetarë i Republikës se Kosovës të përballet me mungesë të produkteve ushqimore.

“Disa pika shitëse tregtare në atë pjesë po mundohen të “stimulojnë kinse një krizë humanitare që nuk ka produkte. Kjo po bëhet me qëllim, që të sillet një reagim për një katastrofë të mundshme humanitare. Ne si Qeveri kemi pasur shumë me herët këtë informacion. I kemi marrë hapat e nevojshme dhe nuk do të lejojmë që asnjë cep të territorit të Republikës së Kosovës, asnjë qytetarë i Republikës së Kosovës të ballafaqohet me mungesë të produkteve të nevojshme”, tha Shala.Qeveria e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar ka vënë taksën prej 100 për qind për prodhimet e importuara nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina, për shkak të, siç kanë deklaruar autoritetet në Prishtinë, sjelljes destruktive të Serbisë ndaj Kosovës.Me gjithë insistimet nga Serbia që taksa të shfuqizohet, autoritetet e Prishtinës kanë përsëritur të mërkurën se taksa do të mbetet në fuqi.

Sipas Qeverisë së Kosovës, zbatimi i kësaj takse, përveç efekteve politike që synojnë të ndëshkojnë qëndrimet lobuese të Serbisë karshi Kosovës, ka prodhuar edhe efekte ekonomike.

Në emër të Qeverisë, ministri Shala thotë se taksa ka dhënë rezultate pozitive tek industria e prodhimit vendor, si në rritjen e sasisë, të kualitetit, rritjen e numrit të punëtorëve dhe përfitimin e një pjesë të madhe të tregut me produktet “Made in Kosova”, raporton Radio Europa e Lirë.