.
×

Bellini-storie suksesi me injorim nga shteti



Mbi pesëqind e pesëdhjetë mijë euro investime të fundit, me kapacitet prej tetëdhjetë mijë pula dhe mbi shtatëdhjetë mijë vezë të prodhuara në ditë Sektori privat në Republikën e Kosovës ka edhe storiet e tyre të sukseseve, por ka dhe sfidat dhe padrejtësitë që nga politika, respektivisht pushtetet “zhvillimore, demokratike dhe transparente” bëhen ndaj tyre. Skivjani i Gjakovës është një fshat i madh, i njohur dhe mjaft qarkullues pasi është jo shumë kilometra në dalje të Gjakovës dhe në drejtim të rrugës magjistrale mjaft frekuentuese në drejtim të Deçanit, Pejës dhe tërë Rrafshit të Dukagjinit. Në këtë lokalitet ka iniciativa dhe zhvillime individuale por dhe familjare të bizneseve.

Njëra ndër to, por që njihet si firmë me përkushtim maksimal dhe investime më bashkëkohore në fermën e shpezëve, është ajo e familjes Selimaj, të njohur si ferma “Bellini”. Këtë emërtim e ka jo të rastësishëm këtu, pasi me të njëjtën emër në Bremen të Gjermanisë gjendet restauranti shumë i njohur, poashtu biznes familjar, në të cilën rregullisht ushqehen futbollistët e Ëerderit. E njëri ndër ta, që tani është jo vetëm klient i rregullt por edhe mik i familjes, është ylli i përfaqësueses së Kosovës, Milot Rashica. Se janë të mishëruar me biznesin dhe punën në Bremen, këtë e tregojnë dhe veshëmbathjet e familjarëve por dhe të miqëve, që u sjellin si dhurata, ato të ekipit të Ëerderit.

Ndryshe nga ky qytet zhvillimor gjerman, këtu në Skivjan, familjarët e ngushtë, dy nga gjashtë vëllezërit, merren me shpeztari. Këtë biznes e bëjnë që nga viti 2010, por si biznes më i gjerë familjarë tradita e tyre i dërgon që në vitin 1984. Atëherë kur ishte koha e koperativave. Sot, të hysh në fermat ku janë hiq më pak se tetëdhjetë mijë pula e ku gjatë ditës prodhojnë mbi shtatëdhjetë mijë vezë, është një motivim cytës pune por dhe një vlerësim për këtë përkushtim, pavarësisht padrejtësive që u bëhen nga politikat tona menaxhuese të nivelit qendror

. Me aparaturat më moderne të sjellura së fundmi edhe nga viti që sapo e lamë, e që vetëm brenda një periudhe njëvjeçare e gjysmë bëhet fjalë për investime në aparatura të teknologjisë së fundit të importuara nga Gjermania,në shumë prej mbi 350 mijë euro, është tregues serioziteti në modernizimin dhe menaxhimin e kapaciteteve në mënyrën më të lartë. E, nëse llogariten dhe investimet që janë bërë në fermë tash së fundmi, pasi kohë më parë i kanë privatizuar, këtu hyn edhe shuma tjetër e lartë prej rreth 200 mijë euro.

Të tërat nga buxheti familjar. Më kot kanë pritur pas aplikimeve për grante në Ministrinë e Bujqësisë E njëjta i ka refuzuar pasi dyshohet në ndarje selektive të granteve. Por, jo nga inati apo ndonjë shkas tjetër individual me dikë nga përfituesit, që nuk u interesojnë emrat e përveçëm, porse kriteret e kërkuara e që nuk janë aplikuar, tani është kërkuar drejtësi në gjykatë. Astrit Selimaj, njëri nga vëllezërit dhe menaxhues në fermë, tregon se janë ende në proces të gjykimit që është parashtruar nga ta.

Njëherë është fituar, porse presin epilogun, në të cilën beson në drejtësi, sepse po të mos e kishte atë, as që do të bënte fare padi. Shteti, mund të themi, në këtë rast tregon përkëdheljen dhe padrejtësitë që vetiu të shpie dhe në dyshime të tjera, ndërkohë që lë mënjanë aplikuesit e firmave pa mbështetje nga lartë e që mu këtij shteti i kryen të tëra obligimet.

Po të shikosh nga jashtë ke përshtypjen se brenda objekteve nuk ka diçka që gjallon. Aparaturat, thuaja fare nuk dëgjohen. E, me të hyrë brenda vie kundërmimi i pulave që nuk shkojnë pak minuta dhe ambientohesh. Të trajtosh gjithë ato pula me aparaturë elektronike dhe produktin e tyre, vezët, është diçka që, ndonëse si injorantë në këtë profesion që mund të jetë secili nga ne, të lë një përshtypje të ndjeshme.

Aparatura e kryen tërë procesin, që nga ushqimi i pulave e deri tek paketimi i vezëve, e që para këtij procesi të fundit, është po aparatura e cila i klasifikon ato në gjashtë njësi matëse, prej më të voglave të njohur si S (30-44 gramë) deri tek XL (mbi78 gramë).

Më lartë cekëm dhe mosmbështetjen me grante nga qeveria, por jo e tëra përfundon me kaq. Në firmë potencojnë edhe pamundësinë e daljes në treg jashtë Kosovës, mandej importi i lëndës së parë të ushqimit nga Kroacia dhe Greqia, ndërkohë që tabllot e vezëve një sasi importohet nga Shqipëria ndërsa sasia tjetër sigurohet nga prodhuesit në Kosovë. Kur jemi të tregu, siç theksuam, është i mbyllur përbrenda kufijve të Kosovës dhe plasmanin e tyre e gjen më së shumti tek firmat më të mëdha, si Elkos, Viva Fresh, Interex, e të tjera.

Ka dhe të tjera preokupime në ecurinë normale të kësaj firme, por më e rënda për Astrit Selimaj, është mosmbështetja e duhur nga shteti. Shpresohet në ndonjë ditë, por para shpresës e kanë besimin në vete. Punojnë të motivuar përkundër demotivimeve që sjellin situatat politike dhe ekonomike, por ashtu siç e kanë nisur edhe vazhdojnë: Biznes familjar. Të tjerat rrjedhin dhe mbase koha i kthen në normalitet.

Kastriot Shehdadi