.
×

Bekë Berisha tallet me PDK-në: Jemi gati për zgjedhje, Kadria i ka punët e veta në PDK



AAK-ja është e gatshme për zgjedhje të reja. Madje siç shprehet deputeti Bekë Berisha “nuk është problem kjo punë”. Berisha, vendimin e Kadri Veselit për shkarkimin e personave me aktakuza nuk e lidh me rrëzim të qeverisë.

Zyrtarët e AAK-së po sillen sikur dikur udhëheqësit e LDK-së kur ishin bashkë me PDK-në.

Nuk po frikësohen se një ditë Ramush Haradinaj mund të kthehet ne Gllogjan si ish-Kryeministër sikur i kishte ndodhur Isa Mustafës më 10 maj të vitit 2017 kur ishte rrëzuar nga Kadri Veseli, pavarësisht se LDK e kishte bërë Kryeparlamentar e Hashim Thaçin President.

Megjithëkëtë, Bekë Berisha, deputet i AAK-së nga Dukagjini, thotë se s’kanë asnjë problem të shkohet në zgjedhje të reja.

Madje, thotë se Ramush Haradinaj është gati për zgjedhje kurdo që ndodhin.

“AAK ka bërë be që është gati. Kem bo be që jem gati për zgjedhje. Nuk është problem kjo punë”, ka thënë Berisha.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka aktualisht pozitën e Kryeministrit. Ramush Haradinaj, në sondazhet e fundit ka dalë me përkrahje deri 20 për qind. Madje, është përmendur se ka dalë edhe si partia e tretë.

Në krejt këtë situatë, PDK është duke dalë keq edhe nëpër sondazhe. Ka mbetur me vetëm pesë komuna që i udhëheqë. Është partia e dytë, aktualisht, në Parlament pas LDK-së.

Kadri Veseli ka nisur një iniciativë për ta rikthyer PDK-në në skenë pasi në dy mandatet e fundit i ka shërbyer LDK-së e AAK-së për të udhëhequr Qeverinë.

Tash, Veseli ka marrë një iniciativë për t’i larguar nga Partia e Qeveria njerëzit që kanë aktakuza. Këtë veprim nuk e kishte bërë në fillim të procesit zgjedhor partiak por pasi u rikonfirmua Shef i PDK-së.

Bekë Berisha i AAK-së nuk beson se Veseli po i bën këto lëvizje për ta çuar vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Jo, nuk mendoj që po e bënë për zgjedhje”, konstaton Berisha.

Por, Aleanca nuk pritet të ndjekë shembullin e PDK’së për t’i larguar zyrtarët me aktakuza nga pozitat publike.

“Kadria është kryetar i PDK-së, na e i kem partinë tonë, punën tonë, i kemi kry punët tona nuk na obligon Kadria… Ai i ka punët e veta na tonat”, tha Berisha shkurtë të dielën për Gazetën Express.

Ndryshe, ditë më parë Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk ka dashur të komentojë vendimin e kryetarit të PDK-së për shkarkim të zyrtarëve partiak që janë nën aktakuzë, ka thënë se asnjë veprim i ndonjë një partie nuk ndërlidhet me vendimet e tij.

Të mërkurën në një konferencë për media, kreu i PDK-së bëri të ditur se  i ka liruar nga detyra të gjithë të emëruarit e PDK-së që kanë aktakuza dhe që mbajnë pozita në institucionet publike.

Tashmë, nga detyra është liruar Ministri i Inovacionit Besim Beqaj, këshilltari i Veselit, Njazi Kryeziu, në pritje për lirim nga detyra është edhe Agim Çeku etj.

Ramush Haradinaj nuk i ka punët mirë me liderin aktual të PDK’së, Kadri Veselin dhe as me Hashim Thaçin.

Kryeministri ta takuar javën e kaluar Veselin pas disa muajsh mungese të komunikimit normal mes udhëheqësit të Qeverisë dhe atij të Parlamentit.

Haradinaj ka pasur përplasjet më të mëdha me Hashim Thaçin prej kohës kur Presidenti hapi temën e kufijve. Këtë e kishte kundërshtuar Kryeministri, i cili ka vendosur edhe taksën ndaj Serbisë për të bllokuar këtë proces dialogues.

Presidenti e kishte kërcënuar disa herë Haradinaj me shkarkim nëse vazhdon me të njëjtën qëndrim. Madje, një herë i kishte thënë se Haradinaj e ka bërë ‘skllotë’. Ka kohë që Shefi i Qeverisë dhe Shefi i Shtetit s’kanë pasur takim e as komunikim normal.

Ramush Haradinaj ka thënë se zgjedhjet duhet të mbahen më 2021 pasi edhe nëse do të ketë zgjedhjet të reja s’pritet të ketë ndonjë ndryshim. Ka kërkuar punë më shumë para se të ndodhin votimet.