.
×

Behgjet Pacolli përfshihet në një aferë ndërkombëtare të shahut



 

Botapress, 16 Maj- Zëvendëskryeministri i Kosovës ka vendosur që të bëhet pjesë e ekipit të rusit të komprometuar Kirsan Ilyumzhinov, për ta drejtuar Federatën Botërore të Shahut. Ilyumizhnov është mik i mirë i Presidentit Putin, por ka pasur dhe ka lidhje të ngushta me diktator, si bie fjala Bashar Al Assad.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, është bërë pjesë e ekipit të rusit Kirsan Ilyumzhinov, në garën për Federatën Botërore të Shahut (FIDE). Z. Ilyumizhnov, i cili ka qenë në krye të kësaj federate për dy dekada, është njëri prej personave më të komprometuar në botën e sportit. Ai, sa ishte në krye të kësaj federate, ishte vënë nën sanksione të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si njeri i afërt me regjimin e Bashar Al Assadin.

Gazeta Express e ka siguruar një dokument të Federatës Botërore të Shahut, në të cilin emri i ish Presidentit Pacolli është propozuar për t’u bërë pjesë e ekipit të Ilyumizhnov për zgjedhjet për President të FIDE’s 2018, si zëvendëspresident. Z. Pacolli, në bazë të disa kërkimeve në Google, shihet në shoqëri me rusin Kirsan Ilyumzhinov.

Kirsan Ilyumzhinov që nga viti 1995 e deri sot, është në krye të Federatës Botërore të Shahut. Tani po kandidon sërish për këtë pozitë. Por, kësaj radhe, në hapjen e kandidanturës së tij ai ka prezantuar edhe ekipin e tij me të cilin pretendon ta udhëheqë edhe për një mandat FIDE’n.

Pjesë të ekipit të tij, e ka paraqitur edhe ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacollin. E në rast se fiton zgjedhjet, Ilyumzhinov, e ka paraparë Behgjet Pacollin si zëvendës të tij.

Gazeta Express ka kontaktuar me Behgjet Pacollin rreth faktit që emri i tij figuron në mbështetje të rusit në zgjedhje të FIDA’s 2018. Pacolli tha se ishte FIDE që e zgjodhën që të jetë në pozitën e zëvendës Presidentit të FIDE’s.

“Ata normalisht e kanë propozu emrin tim, por unë ende nuk e kam trajtu këtë problem, ende nuk kam dhënë një vendim”, tha Behgjet Pacolli për Express, kur u pyet se a është përzgjedhur nga vetë Federata, apo vetë ai ka dhënë mbështetje Presidentit aktual të FIDA’s për zgjedhjet e fundit.

I pyetur se pse ishte pikërisht emri i Pacollit i zgjedhuri nga Federata për zv.president, ai i tha Expressit:

“Zgjidhen persona të njohur, eminent nëpër botë, si çdo Federatë tjetër që i zgjedh”.

Por, Pacolli tha se Ilyumzhinovin e njeh goxha mirë. Madje, ai i tha Expressit se Ilyumzhinov “nuk është rus, që thojnë rus.. ai është kalmik”.

“Unë presidentin e njoh, presidentin e Republikës së Kalmikut. E njof goxha mirë”, tha Pacolli.

Vlen të theksohet se Ilyumzhinov e kishte vizituar Sirinë në vitin 2012, dhe kishte luajtur shah me diktatorin Bashar Al-Assad. Ilyumzhinov gjithashtu kishte marrëdhënie të përzemërta me ish-udhëheqësit e Irakut e Libisë, Saddam Hussein dhe Muamar Gadafin. Kjo madje u dokumentua edhe përmes disa fotografive që ata i shkrepën së bashku. Ndërsa, raportet e këtij zyrtari të lartë të FIDA’së me Presidentin e Rusisë, raportojnë mediat Perëndimore, janë fantastike.

Përveç Pacollit, në listën e ekipit të kandidatit të presidentit të ardhshëm të FIDE’s, figuron edhe emri i Princeshës Rajadarasri Jayankura nga Tailanda, me të cilën Pacolli gjithashtu e ka një afërsi. Vetë Princesha Rajadarasri thotë se “i ka shokë të ngushtë” Pacollin dhe Ilyumzhinovin.

Marrëdhënia e Rajadarasrit me Ilyumzhinovin thuhet të ketë origjinën nga aktivitetet që lidhen me budizmin, fenë e tyre të përbashkët. Ai, në kohën kur ishte goditur nga SHBA, e kishte caktuar për ushtrues të detyrës së FIDA’së një zëvendës të tij.

Gazeta prestigjiozë “The Guardian” kishte bërë një hulumtim rreth lidhjeve të Kirsan Ilyumzhinov me Bashar Al-Assadin, kështu duke i publikuar edhe fotografi me Gadafin.

Kirsan Ilyumzhinov dhe Gadafi

Ilyumzhinov është një figurë e pazakontë. Ai beson se shahu është një “lojë kozmike” që u soll në tokë nga jashtëtokësorët dhe ka pohuar se ai ishte rrëmbyer nga jashtëtokësorët nga ballkoni i apartamentit të tij në Moskë. Ai ka thënë se jashtëtokësorët i veshën atij teshat “kozmike”.

Rusi, për shumë vite ka qenë në krye të Republikës budiste të Kalmykia, që gjendjet në rajonin jugor të Rusisë. Ai, atje, në periferi të qytetit, ndërtoi një “qytet të shahut” dhe e futi si program të detyrueshëm mësimin e shahut nëpër shkolla.

Kalmykia është i vetmi vend në Europë ku shumica e banorëve i përkasin budizmit./M.K.