.
×

Befason Agim Veliu, ja çfarë thotë për Bulliqin



Pas deklaratës së dhënë për Indeksonline të nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri se Shpejtim Bulliqi nuk është më pjesë e LDK-së, nënkryetari tjetër i saj, Agim Veliu thotë se LDK as nuk e ka shqyrtuar ndonjë gjë të tillë.

 

Në një prononcim për Indeksonline, Veliu thotë se LDK nuk e ka parë të udhës të diskutojë në lidhje me përjashtimin e tij ose jo. Gjithashtu ai thekson se as vet ai personalisht nuk e kishte vënë këtë gjë në diskutim, duke theksuar se deklaratat tjera janë personale dhe individuale.

 

“LDK ka organe nëse vendos të bëj diçka të tillë ai duhet të procedojë, nuk shkon kjo punë me deklarata. Nuk janë punë që bëhen me deklarata. Është një veprim që kryesia e LDK-së nuk e ka pa të udhës të ulet të diskutojë atë veprim. Unë nuk e kisha bërë atë veprim. Unë personalisht nuk e kisha bërë, por dikush e bën dhe ato janë veprime individuale të njerëzve”, ka thënë Veliu.

 

 

Ndërsa, sa i përket veprimit të Bulliqit për t’u bërë kryetar i Komisionit Shtetëror për Demarkacionin, Veliu thotë se ai nuk është konsultuar fare me LDK-në para një vendimi të tillë.

 

“Jo more jo… nuk është konsultuar. Nuk është e nevojshme, ai vepron duke menduar se është veprim i mirë, pastaj punët e partisë janë punë të tjerë. Nëse partia ulet e shqyrton atë veprim, ulet e merr një vendim. por deri tash nuk e ka parë të arsyeshme.

 

Ndryshe, pas deklaratës së Hazirit është kundërpërgjigjur vet Bulliqi, i cili ka thënë se ai ka qenë, është dhe do të jetë pjesë e LDK-së.