.
×

BE ka një kërkesë për Kosovën dhe Serbinë



Botapress 1 Dhjetor – Bashkimi Evropian e ka quajtur provokim vendimin e Qeverisë së Kosovës për rritjen e taksës në 100 për qind ndaj importit të produkteve serbe. Kështu, BE-ja e ka vlerësuar edhe kushtëzimin e Serbisë për ta vazhduar dialogun pas vendosjes së taksës.

Maja Kocijançiç, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të BE-së, ka thënë për Kohavisionin se masat dhe veprimet e fundit nga Kosova dhe Serbia rrezikojnë punën që është bërë deri më tani në dialogun e Brukselit. Ajo ka kërkuar sërish që taksa të hiqet menjëherë, derisa u ka bërë thirrje presidentëve të të dyja shteteve t’i ndalin provokimet. Kocijançiç ka thënë se janë në kontakt me presidentët Thaçi e Vuçiq për ta caktuar datën e takimit të ardhshëm në kuadër të dialogut të Brukselit.

Televizioni i është drejtuar edhe Presidencës së Kosovës për ta marrë një qëndrim sa i përket këtyre zhvillimeve pas vendosjes së taksës, por ajo nuk ka kthyer përgjigje.
Ndërsa, kryeministri Haradinaj nuk ka pranuar të flasë rreth presionit ndërkombëtar ndaj Kosovës për heqjen e taksës.

Në anën tjetër, çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën as që figuron në agjendën e mbledhjes së Këshillit të Ministrave të BE-së, sipas ministres së Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha.

Kritika për procesin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit ka dhënë edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Ai, në një intervistë për Koha.net, ka thënë se ky proces po përshpejtohet me kërkesë të Serbisë.