.
×

BE-ja dhe Ballkani Perëndimor mbështesin vazhdimin e dialogut dhe arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi



Përfaqësuesja e Lartë e BE’së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, ka takuar në një darkë punë liderët e Ballkanit Perëndimor, nën margjinat e takimit të 74- të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.

Në këtë takim është shprehur mbështetje e plotë për hapjen e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, duke nënvizuar se që ky vendim është thelbësorë jo vetëm për dy shtetet, por për të gjithë rajonin dhe Bashkimin Evropian.

Temë tjetër e këtij takimi, pashmangshëm ka qenë edhe dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, drejt arritjes së një zgjidhjeje finale.

Të gjithë pjesëmarrësit në këtë takim kanë thënë se mbështesin vazhdimin e bisedimeve në shërbim të arritjes së një marrëveshje ligjërisht obligative për normalizim të plotë ta raporteve.

Sipas komunikatës zyrtare të lëshuar në faqen zyrtare të EEAS, thuhet se të gjithë partnerët kanë konfirmuar përkushtimin e tyre për perspektivën drejt BE’së, duke shtuar duhet vazhduar punën në reforma, siç janë bashkëpunimi regjional dhe raportet ndërfqinjësore.

Ndër të tjera të gjithë në këtë takim kanë shprehur solidaritetin e tyre me Shqipërinë pas serisë së tërmeteve që kanë përshkuar vendin gjatë fundjavës.

Kosova në këto takime është duke u përfaqësuar nga presidenti, Hashim Thaçi, Serbia nga Ivica Daçiq, Shqipëria nga Gent Cakaj, Maqedonia e Veriut nga kryeministri Zoran Zaev.

Në New York është duke qëndruar edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, për të cilin është thënë se do të ketë edhe takime të ndara me Donald Trump dhe Angela Merkel.