.
×

BE dhe UNDP lansojnë Programin e ri Rajonal për Demokraci Lokale në Ballkanin Perëndimor



 

Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) do të lansojnë Programin e ri Rajonal për Demokraci Lokale në Ballkanin Perëndimor (ReLOaD), të martën më 20 qershor 2017, në Hotel Emerald, duke filluar nga ora 10:30.

Ngjarja do të mbledhë mysafirë të shquar dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, rrjeteve të organizatave të shoqërisë civile, medias, institucioneve të nivelit qëndror, si dhe përfaqësues nga të gjitha komunat për të lansuar projektin dhe për të diskutuar gjendjen e partneritetit mes qeverive lokale dhe organizatave të shoqërisë civile (OSHC) dhe mënyrat për ngritjen e demokracisë pjesëmarrëse lokale dhe cilësisë së shërbimeve të ofruara nga OSHC-të.

 

Fjalimet hyrëse do t’i mbajnë Luigi Brusa, Shef i Seksionit për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së/PPBE,  Alessandra Roccasalvo, Zëvëndës Përfaqësuese e Përhershme e UNDP dhe Valdete Idrizi, Drejtore Ekzekutive e Platformës CiviKos.

Programi Rajonal për Demokraci Lokale në Ballkanin Perëndimor (ReLOaD) është një iniciativë rajonale tre-vjeçare e financuar nga Bashkimi Evropian dhe i implementuar nga UNDP në gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor që përqëndrohet në fuqizimin e partneritit mes qeverive lokale dhe organizatave të shoqërisë civile duke ngritur një model të suksesshëm të financimit të OSHC-ve nga buxhetet komunale në mënyrë transparente dhe të bazuar në projekte.

Në Kosovë, projekti do të përzgjedhë dhe do të punojë me pesë komuna përmes një skeme grantesh për OSHC-të, me qëllim të përforcimit të demokracisë pjesëmarrëse në nivel lokal, zgjerimit të marrëdhënieve mes qeverive lokale dhe OSHC-ve, si dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të OShC-ve.