.
×

Bastisje: Lojërat e fatit po luhen ilegalisht në Kosovë



Botapress 18 Korrik -Policia e Kosovës ka ndërmarrë disa aksione në Viti dhe Vushtrri ku ka sekuestruar disa lokale dhe ka arrestuar persona të dyshuar për organizim të lojërave të fatit dhe bixhozit të paligjshëm.

Policia e Kosovës, konkretisht Njësiti i Hetimeve Kundër Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjilan, me datën 16 korrik 2019 ka ekzekutuar urdhër kontrolli në lokalin e të dyshuarit A. S. në qytetin e Vitisë, për shkak të dyshimit të bazuar se merret me ‘organizimin e lojërave të fatit dhe bixhozit të paligjshëm’.

“Gjatë kontrollit tek lokali i të dyshuarit janë gjetur dhe janë konfiskuar shtatë shtëpiza, gjashtë TV, një DVD kompjuterike, një telefon mobil ‘Samsung’, të cilat do të shërbejnë si dëshmi relevante për rastin. I dyshuari me rastin e kontrollit të lokalit të tij nuk është paraqitur në vendin e ngjarjes si pronar, duke i ikur përgjegjësisë”, thuhet në një komunikatë të policisë.

Në rastin e dytë me datën 17 korrik 2019 Policia e Kosovës ka ndaluar të dyshuarin në fshatin Dobresh-Viti dhe i njëjti është shoqëruar në Polici, për procedura të mëtejme.

I dyshuari është intervistuar dhe  me aktvendim të prokurorit kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Po ashtu policia bën të ditur se me datën 17 korrik 2019, Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren, në bashkëpunim me Qendrën Rajonale Operative, si dhe Njësitë për Reagim të Shpejtë të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, kanë ndërmarrë veprime hetimore dhe operacionale, pasi që dyshohej se në Prizren në një lokal pa emër janë duke u zhvilluar lojëra të fatit, të cilat janë të ndaluara me ligj.

“Pas kryerjes së veprimeve hetimore, ku është përgjigjur edhe njësia për luftimin e krimeve kibernetike, në koordinim të plotë dhe me autorizim verbal të prokurorit kompetent të Prokurorisë Themelore të Prizren është konfiskuar aparatura e hasur në lokalin në fjalë, dy 2 shtëpiza dhe tre 3 monitorë”, theksohet në komunikatë.

Dy të dyshuar në këtë rast, një menaxher dhe një punëtor në këtë lokal, janë intervistuar dhe në konsultim me prokurorin sipas procedurës së rregullt është iniciuar rasti.

“Përderisa në Vushtrri me 17 korrik 2019 është raportuar se Njësiti i Hetimeve të Krimit të Organizuar në kuadër të Policisë së Kosovës, ka arrestuar të dyshuarin mashkull K/Shqiptar, pasi që i njëjti ka zhvilluar veprimtari të kundërligjshme të lojërave të fatit ndërsa gjatë kontrollit në lokalin e tij janë gjetur dhe janë konfiskuar si prova materiale, nëntë (9) aparate të lojërave ndërsa lokali i është mbyllur nga inspektorati kompetent. I dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje, përderisa rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në komunikatë.