.
×

Basketboll: Skuadrat kosovare nuk janë të gatshme për Eurochallenge



Me pranimin e FBK-së në FIBA, basketbollit kosovar i janë hapur dyert nga të katër anët. Skuadrat kosovare tash do ta kenë mundësinë të marrin pjesë në gara ndërkombëtare.

FIBA Europe aktualisht e organizon Eurochallenge, ligë elitare nën patronatin e saj dhe, nëse nuk ndryshon formati, në sezonin e ardhshëm mund ta shohim ndonjë skuadër të këtushme në këtë eveniment.

Megjithatë, kjo s’do të jetë aspak e lehtë, pasi shpenzimet dyfishohen ose trefishohen, shkruan Zëri. FBK-ja do t’i nominojë skuadrat dhe këto të fundit do të vendosin nëse do të marrin pjesë në Eurochallenge, apo do të vazhdojnë në Ligën Ballkanike.

“Nëse nuk ndërron sistemi i garave të FIBA Europe, ne do ta kemi mundësinë t’i nominojmë një, eventualisht dy skuadra, për pjesëmarrje në Eurochallenge. Më pas, do të varet gjithçka nga to, nëse kanë para dhe lojtarë, për t’i përballuar kriteret e kësaj lige. Do të ulemi dhe të bisedojmë me klube dhe ta dëgjojmë disponimin e tyre, nëse kanë ambicie për të luajtur në BIBL, apo të kalojnë në një rang më të lartë, në Eurochallenge, ku megjithatë ka më shumë kërkesa”, thotë për “Zërin”, sekretari i përgjithshëm i FBK-së, Leart Hoxha.

Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm i Sigal Prishtinës, Florian Miftari, thotë se “Bardhekaltrit” nuk kanë vendosur ende se në cilën ligë do të marrin pjesë sezonin e ardhshëm. Sipas tij, momentalisht kryeqytetasit janë të fokusuar vetëm te sezoni aktual.

“Fillimisht, pranimi i Kosovës në FIBA është një lajm fantastik, më në fund u thye izolimi, i cili e ka penguar zhvillimin normal të basketbollit. Përkundër kësaj, ne nuk jemi ndal dhe mendoj se njëri prej çelësave kryesorë të pranimit të FBK-së në FIBA është pjesëmarrja jonë në Ligën Ballkanike”, theksoi Miftari për gazetën Zëri.

“Më vjen mirë që tash na ka ardhur dita të zgjedhim. Por, fillimisht jemi të fokusuar ta fitojmë Ligën Ballkanike, e më pas do të mblidhet Bordi i klubet dhe do të vendosin se kah të marrim pjesë në sezonin e ardhshëm. Në këtë aspekt, jemi të pavarur: do të vendosim ne se në cilën ligë të marrim pjesë”, vazhdoi ish-basketbollisti i njohur kosovar.

Gashi: Peja vazhdon në Ligën Ballkanike

Klubi i basketbollit Peja, sipas të gjitha gjasave, do të garojë edhe sezonin e ardhshëm në Ligën Ballkanike. Kryetari Art Gashi thotë se kostoja e pjesëmarrjes dhe fuqia e ligës Eurochallenge, nuk përputhet me kapacitetin aktual të këtij klubi, përcjell Zëri.

“Së pari do ta presim nëse do të ketë ndonjë ndryshim të formatit të ligave. Por, mendoj se është më mirë të qëndrojmë në një ligë të nivelizuar si ajo e Ligës Ballkanike, e vetmja e licencuar nga FIBA. Fatkeqësisht, në Eurochallenge ka shumë shpenzime dhe me dy lojë mund ta përfundosh sezonin, pasi shkon me fazë të grupeve. Ne s’po duam vetëm të marrim pjesë, pasi ashtu mundemi. Por, duam të përfaqësohemi denjësisht, si në BIBL”, deklaroi Gashi.

Sidoqoftë, nga sezoni i ardhshëm na është dhënë mundësia të garojmë me më shumë skuadra në garat ndërkombëtare.