.
×

Bashkohen sindikalistët, kërcënojnë Qeverinë Mustafa me protesta nëse nuk rriten pagat



Federata e Sindikatave të Arsimit, Shëndetësisë, Policisë dhe Administratës së Kosovës e kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për të kundërshtuar kalimin e buxhetit nga Qeveria e Kosovës pa rritje të pagave siç ishte paralajmëruar nga ish kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Në një konferencë për medie, kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë, Blerim Syla, ka thënë se deklarata e kryeministrit Isa Mustafa ka qenë irrituese për të gjithë punëtorët.

Ai ka thënë se kërkesat e sindikatave janë: Rritja e pagave prej 25 për qind, implementimi i kontratës kolektive të përgjithshme dhe kontratave sektoriale, si dhe zbatimi i ligjit për shërbimin civil dhe nëpunësit civil të cilat parashihen nga 1 janari 2015.

“Apeli ynë i parë që ligji i propozuar nga kryeministri aktual të mos kaloj në Parlament, do me thënë, mos ta votojnë, ligji për buxhetin, mos ta aprovojnë si të tillë në të ndryshmen ajo vet po tregon vet afatin, atëherë organet tona secila do t’i merr vendimet vet”, ka deklaruar ai.

Kurse, kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, ka thënë se mësimdhënësit para se të shkojnë në pushim do të deklarohen publikishtme nënshkrim nëse duan të protestojnë nga gjysmëvjetori i dytë apo jo në mënyrë që në këtë gjysmëvjetor mësimi të mos filloj fare.

“Mbështetjen verbale e kemi ne deri të premten do ta kemi edhe mbështetjen me deklarim me shkrim sepse sot e kemi shpërndarë tek kryetarët formularin i cili do të shpërndahet shkollë më shkollë dhe ne do ta kemi kthesën, ne do të veprojmë ashtu siç thotë baza”, ka deklaruar ai.

Edhe kryetarja e Sindikatës së Policisë, Valbona Kamberi, ka theksuar se marrëveshja e arritur në mes të këtyre sindikatave do të zbatohet dhe nëse kërkohet të bojkotohet puna një gjë e tillë do të ndodh edhe me policinë.

“Edhe sindikata e policisë është në gjendje gatishmërie që ta mbështet dhe ta përkrah çfarëdo lloj vendimi që vjen nga ët gjitha sindikatat. Mirëpo duhet ta cek se është dëshpëruese deklarata e kryeministrit e cila ishte para do dite jo vetëm për sindikatat por edhe për punonjësit të cilët qe sa kohë kanë prit që të paktën një standard ekonomik të jetë më i mirëfilltë në Kosovë. Kështu q me gjithat unë i mbështes këto tri kërkesat për të cilat kemi marrë vendim sot me shpresë se ato do të realizohen”, ka deklaruar ajo.

Përfaqësuesit e sindikatave kanë thënë se do të reagojnë që nga 1 janari nëse kërkesat e tyre nuk do të përmbushen.