.
×

Bashkim Fazliu: 2 Dhjetori- “Dita e Rugovës” – Të jetë pjesë e pakos së marrëveshjes VV-LDK



5 vite më parë i kisha dërguar propozimin me shkrim Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë Mustafa, që 2 Dhjetori, ditëlindja e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova të shpallet si festë Kombëtare, duke u njohur si “DITA E RUGOVËS”.

Më vjen keq që ende një propozim i tillë nuk është miratuar, për ta nderuar njërën nga figurat më të rëndësishme në përpjekjet për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës, anipse ai Kuvend kishte një mazhorancë mbi 80 vota.

Kujtoj se ne kemi obligim që brezave që vijnë t’ua lëmë shenjat e historisë dhe angazhimit të gjithsecilit e në veçanti simbolin e rezistencës paqësore dhe Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova! Ashtu sikur kam këmbëngulur në propozime tjera për të cilat koha më ka dhënë të drejtë, sërish e riaktualizoj kërkesën, jo vetëm time, që 2 DHJETORI TË SHPALLET “DITA E RUGOVËS”!

Prandaj, nesër, me 2 dhjetor 2019, kur pritet që të nënshkruhet një koalicion tjetër kësaj rradhe mes VV-LDK-së dhe përkundër shumë kushtëzimeve që u janë bërë njëri-tjetrit, të cilat janë normale dhe demokratike, do t’ishte me vend të vendosej edhe për një kërkesë shumë humane dhe historike: që të votojnë dhe të vendosin për 2 DHJETORIN që të jetë DITA E RUGOVËS!

Suksese! Kosova, Shqipëria dhe mbarë populli shqiptar kudo në botë e mirëpret një Ditë të këtillë, një Festë të këtillë!

Ju faleminderit!

Me shumë respekt,

Bashkim Fazliu #Migjeni

#DitaRugovës #bfm 1.12.2019/Botapress.info/