.
×

Bashkësia Islame Shqiptare në Winterthur të Zvicrës ndihmon 10 familje skamnore në Gjilan



Gjilan, 17 shtator /

Bashkësia Islame Shqiptare në Winterthur të Zvicrës, ka ndihmuar sot 10 familje me gjendje skajshmërisht të rëndë ekonomiko – sociale në Komunën e Gjilanit me nga 150 deri në 200 franga zvicerane.

Me këtë rast përfaqësuesi i BI – së në Winterthur, Nuhi Mehmeti, haxhi nga fshati Përlepnicë me qëndrim në Zvicër, ka thënë se këto janë ndihma nga Bashkësia Islame Shqiptare në Winterthur të Zvicrës, të mbledhura përmes xhematit e që po shkojnë në familjet me gjendjen më të rëndë ekonomike dhe sociale në Komunën e Gjilanit.

 

 

vintetnur 2

“Ajo çka ne po shohim është një gjendje të cilën më së paku e dëshirojmë ta shohim në shoqërinë Kosovare. Kjo është një jetë shumë e rëndë të cilën e bëjnë këto familje. Kushtet e rënda ekonomike, problemet shëndetësore, problemet sociale e çka jo tjetër na lë të kuptojmë se një pjesë shumë e madhe e shoqërisë sonë në Gjilan dhe Kosovë, lufton përditë për jetë a vdekje. Dashtë zoti që në këto familje të lëshoj “rahmetin” dhe të jenë të fundit që ne i shohim në këtë gjendje të rëndë ekonomiko – sociale. Kjo ndihmë që ne po japim në prag të fillimit të dimrit sigurisht që është e mirëseardhur për ta, por ka edhe shumë të tjera që kanë poashtu shumë nevojë. Apelojmë nga këtu tek njerëzit e vullnetit të mirë, tek njerëzit tanë brenda vendit por edhe në diasporë, që të ndajnë nga pasuria e tyre ndihma të cilat janë jetike për shumë familje në Gjilan. Populli shqiptarë gjithmonë ka qenë solidar, andaj të jemi bashkë si kurrë më parë që të ndihmojmë këtë kategori me gjendje të rëndë”, ka thënë ai ndër të tjerash derisa vizitonte këto familje.

Ndryshe ndihma bamirësie të kësaj natyre nga kjo adresë në Gjilan kanë ardhur edhe më parë.

Ndërsa familjet të cilat përfituan ndihmat e BI-së në Winterthur, shprehën falënderimin e pafund për secilin kontribuues, duke e çmuar këtë ndihmë si shumë të madhe për ta, kur kanë parasysh jetën e rëndë të cilën e bëjnë në kushte tepër të rënda, ku secila ditë është një luftë e madhe e me vuajtje për të jetuar.