.
×

Bardhyl Meta: Durim edhe katër javë edhe e rrëzuam Thaçin



Ish kandidati për deputet i LDK-së, i cili në zgjedhjet e 8 qershorit nuk arriti të marrë besimin e votuesve të partisë që drejtohet nga Isa Mustafa, për t’u bërë deputet, kërkon durim veç edhe katër javë, dhe thotë se qeveria e Bllokut do të bëhet realitet.

Bardhyl Meta ka kritikuar disa kryetarë komunash nga LDK, të cilët ditëve të fundit folën për ridizajnim të marrëveshjes së LAN-it.

Meta i inkuadruar në LDK pak para zgjedhjeve të 8 qershorit, kërkon durim e vigjilencë vetëm edhe katër javë.

“Konsistenca, Uniteti dhe qartësia e orientimit politik – kurorëzojnë krye-kauzën e LVAN! Protagonizmi joserioz, ndërkaq, i kryetarëve të Degëve, e rrënon! Është faza finale – na ndajnë, e shumta katër javë nga përmbyllja e procesit të formimit të Qeverisë – andaj, në këtë fazë, kërkohet ruajtja e unitetit politik në LVAN, ruajtja e qartësisë së orientimit politik, dhe kurorëzimi i krye-kauzës…”, ka shkruar ai në Facebook.

Meta ka kërkuar nga ‘eshalonet’ e degëve që ta mbajnë gojnë mbyllur se me këtë po e prishin ‘Koalicionin e Madh për Ndryshim’.

“Andaj, protagonizmi i individëve nga eshalonet e degëve, të subjekteve që përbëjnë Koalicionin e Madh për Ndryshim – si dhe dialogjet e tyre me njëri tjetrin përmes mediave – janë krejtësisht jashtë kohës, të dëmshme, dhe n’shërbim të palës tjetër oponente… Ishte, dhe mbetet detyrë e krijuesve dhe liderëve të Koalicionit LVAN – që bashkërisht, t’mos lanë asnjë gurë pa lëvizur, dhe n’ditët në vijim, t’sjellin në realitet institucionet e reja, që burojnë nga vota e qytetarëve – dhe t’venë menjëherë në lëvizje ndryshimin e shumëpritur…!”