.
×

Bardhyl Canolli i pari edhe në auto sllallom



Pasi e ka siguruar titullin e kampionit në disiplinën malore, Bardhyl Canolli synon që këtë sukses ta arrijë edhe në disiplinën e auto sllallomit.
Një hap të rëndësishëm drejt këtij synimi Canolli e ka bërë këtë të shtunë, pasi fitoi në garën që u zhvillua në pistën e vjetër të aeroportit në Sllatinë.
Anëtari i Auto Klubit Eurogoma RT deri te fitorja arriti me kohën 01.21:294 minuta.
“Bëhet fjalë për një garë krejt ndryshe nga ajo e disiplinës malore, sidomos duke marrë parasysh veturën me të cilën garoj unë (Radical SR8 LM), por pasioni për shpejtësinë më shtyn të marrë pjesë në çdo garë. Besoj të arrij sukses edhe në dy garat e ardhshme dhe të shpallem kampion edhe në këtë disiplinë”, ka thënë Canolli pas fitores.
I dyti në plasmanin e përgjithshëm u rendit Valon Jaha i Prishtina RT, i cili me BMW e tij ishte më i ngadalshëm për 01.286 sekonda.
Podiumi i fituesve u plotësua me Suhejb Vuqiternën e Auto Klubit Rahoveci. Ai me Audi S3 në krahasim me fituesin e vonua për 04.881 sekonda.
Në konkurrencën ekipore, pozita e parë i takoi AK Prishtina RT, e dyta Prizreni D&G, ndërsa në pozitën e tretë u rendit Eurogoma RT.
Kampionati i Kosovës vazhdon këtë diel me garën Drag Race, që po ashtu mbahet në Sllatinë