.
×

Balerini Klevis Tafaj po mahnit të gjithë



Tashmë ndjen se po prek ëndrrën me dorë. Pas një çmimi të rëndësishëm në Itali, tashmë pret të firmosë një kontratë të rëndësishme në metropolin e botës, në New York. Nuk e kishte menduar se interpretimi në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të ishte vetëm fillimi.

I ndodhur mes qiellgërvishtësve të New York-ut, balerini 20-vjeçar jo pa të drejtë e pyeste veten “çfarë jam duke bërë këtu?!”. Klevis Tafaj është një nga ata të rinj, që megjithëse mund të jenë rrëzuar rrugës, janë ngritur sërish. “Motoja ime është: Kurrë mos hiq dorë”, thotë balerini. Pas përfundimit të Akademisë së Dancit në Tiranë, si çdo balerin tjetër, edhe ai shpresonte të ngjitej në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Nuk do të ishte e thjeshtë, e megjithatë koreografi Albert Janku do të pikaste mes të tjerësh, disa vite më parë dhe do t’i caktonte rolin e Sokolit në baletin “Halili dhe Hajrija”. Por të çaje në atë institucion që ruan hijen e rëndë të arkitekturës sovjetike, nuk ishte aspak e thjeshtë. “Fatkeqësisht më duhet të them se Shqipëria nuk u jep shumë dorë artistëve të rinj. E gjithë klasa ime ka emigruar, janë shpërndarë nëpër Europë apo dhe më gjerë për të punuar. Disa syresh kanë arritur të kenë sukses”, thotë Klevis Tafaj.

Si një i ri me vullnet të fortë, ai tentoi të tregonte talentin e të provonte fatin përtej detit. Mori pjesë në çmimin prestigjioz “Danza Europa 2014” në Itali. Garoi në kategorinë e dancit klasik me një pjesë nga baleti “Don Kishoti” dhe fitoi çmimin e parë special, shoqëruar me një bursë shkollore prej 700 dollarësh, bashkë me të drejtën e performimit në New York.

“Nuk e besoja se mund të fitoja, por mendova të provoja veten, deri ku mund të arrija”, tregon balerini. Gara ishte e fortë: 300 kandidatë dhe tri net kualifikimesh. Por ia doli. Dhe këtë ia dedikon jo vetëm punës personale, por edhe pedagogut të tij Luan Shtino, që sipas tij ka nxjerrë breza balerinësh shumë të mirë, u ka mësuar disiplinën dhe dëshirën për punë.

Prej muajit korrik u zhvendos në kryeqendrën e botës, pranë Ajkun Ballet Theatre, ku iu krijua mundësia të performonte në skena të ndryshme në Boston, Miçigan, Pensilvani etj. Tashmë është në prag të nënshkrimit të një kontrate me Ajkun Ballet Theatre, që drejtohet nga një prej balerinëve më të njohur shqiptarë në botë, Leonard Xhokaxhi.

“Ndihem shumë i vlerësuar, por janë vetëm hapat e mi të parë. Kam ende shumë punë për të bërë”, thotë Tafaj, teksa shton se në fillim nuk e pati dhe fort të thjeshtë përballjen me teknikat e zhvilluara të baletit. Iu duk se ishte në një tjetër botë dhe gjithçka duhet ta fillonte nga e para. Por ai nuk heq dorë. Sipas tij duhet 1% talent dhe 99% punë.

Dhe këtë të fundit ai ia ka vënë qëllim vetes, që kur ishte ende fëmijë dhe nisi të kuptonte se çfarë ishte baleti dhe të ndiente emocionet e para të skenës.

Për më teper shiko dokumentarin e plotë